Ahmeti dhe Sela, “kingmakers”, a do të mund t’i japin “shah-mat” Zaevit?

NGA SELIM IBRAIMI- Ish kryeministri Zoran Zaev tashmë ndodhet në pushim vjetorë dhe do të kthehet pas 2 gushit për t’i hyrë rrugës së vështirë apo të lehtë të negociatave me partitë e sidomos ato shqiptare për të formuar qeverine e re. Zaevi si kryetar i LSDM-së para se të marrë rolin e kryenegociatorit ka katër opsione:

  • Të pranojë për kryeministër shqiptar idenë dhe planin e BDI-së së Ali Ahmetit.
  • Të refuzojë të njëjtin dhe të vazhdojë bisedimet me partitë politike shqiptare që kanë marrë numër më të vogël mandatesh, me ASH-AA dhe PDSH-në.
  •  Të aplikojë  sistemin e rotacionit të pozitës së kryeministrit me BDI.
  • Të vazhdojë lojën duke i zgjatur bisedimet dhe blerë kohë me shpresën për përçarje të thellë të spektrit politik shqiptar në MV.

Në ndërkohë, pasi të shfrytëzohen të gjitha mundësitë, ish kryeministri Zoran Zaev do të tentojë një rrugë kompromisi me BDI-në e Ali Ahmetit, me gjasa që ai të jetë kryeministër dhe BDI të marrë ministri të rëndësishme në përbërjen e re qeveritare. Në lojën e re që e ka hapur ish kryemnistri Zoran Zaev, kanë hyrë Ali Ahmeti dhe Ziadin Sela. Ish kryeministri Zaev gjatë fushatës zgjedhore tha se e ‘dëshiron BDI-në në opozitë’.

Mirëpo, realiteti post zgjedhorë ka nxjerrë në fushë lojtarë më të fortë me strategji të bisedimeve mjaft të ndërlikuara për Zaevin. Derisa ai të formojë apo jo qeverinë me partitë opozitare dhe gjysëm opozitare shqiptare apo në fund me BDI-në, Zaevit do t’i duhet një prapaskenë veprimesh për të arritur të bindë të gjithë ‘prijësit’ shqiptarë të pajtohen me programin e tij qeverisës dhe ta dërgojnë siç thuan ata ‘BDI-në në opozitë’. Ky skenarë duhet paksa i vështirë për tu realizuar, duke i marrë në konsideratë raportet jo të mira të opozitarëve shqiptarë në koalicionin e mundshëm të Zaevit.

Megjithatë “Kingmakers” më të fortë se Ali Ahmeti dhe Ziadin Sela tash për tash nuk shohim tek politika shqiptare. Gjithashtu për të sjellë në pushtet Zaevin, nëpërmes BDI-së dhe ASH-AA, ish kryeministrit Zaev i duhet një person në këtë rast një parti që përmes ushtrimit të ndikimit politik të ndryshojë mendimin e dy liderëve për të mbështetur planin e tij për kryeministër.

Në këtë plan të veprimeve, qoftë Ali Ahmeti apo Ziadin Sela, mund të imponojnë një lojë të vështirë për liderin Zaev, duke e detyruar të pranojë një platformë qeveritare e cila do të ndryshonte mënyrën e qeverisjes së deritanishme. Në një situatë jo të volitshme para se Zaevi apo qoftë Mickovski të formojë qeverinë, do të kemi shumë lojtarë shqiptarë, ku asnjëri lojtar nuk është në gjendje të fitojë. Në të dy rastet, BDI dhe ASH luajnë një rol kyç në përcaktimin e rezultatit për Zoran Zaevin, ndryshe do të dalin nga dera e qeverisë të zbathur nga mashtrimet politike të mandatarëve maqedonas. Në fund të lojës, në rast se Zoran Zaevi nuk do të zihet ‘shah-mat’ nga veprimet e Ali Ahmetit apo Ziadin Selës, atëherë e gjithë loja do të konsiderohet e humbur për faktorin politik shqiptarë në Maqedoninë Veriore, pasi zgjatja e lojës për të formuar qeverinë do t’i përçante partitë shqiptare duke i shëndëruar në asete të interesave dhe objektivave madhore të shtetit dhe politikës maqedonase. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)