Nga Selim Ibraimi– ShBA thuhet se ka ndryshuar me presidencën e Trumpit. A është e vërtetë kjo dhe pse politika e jashtme amerikane me ardhjen e Trumpit është e shpërndarë dhe jo aq e përqendruar në të drejtën humanitare dhe të vetëvendosjes së etnive në Ballkan?
Qeverisja e presidentit Donald Trump lidhet rreth boshtit të një Amerike të fortë brenda dhe jashtë, duke i parë interesat amerikane para çdo kërkese apo problemi që nuk e prek strategjinë kombëtare të ShBA-ve.
Ballkan
1.Debate të shumta në Kosovë, Maqedoni dhe në Shqipëri për diplomacinë amerikane të Trumpit gjatë mandatit të tij se pse me kaq vendosmëri po dëshiron që konflikti shekullor në mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet këtë vit.
Indikacionet janë se ShBA kësaj here janë të vendosura që të arrihet një marrëveshje e cila nuk është e publikuar, po punohet dhe sipas dinamikës në Uashington, po bëhen përpjekje maksimale të nënshkruhet deri në vjeshtë të 2020-ës.
Aktualisht qeveria e kryeministrit Albin Kurti, është duke u ballafaquar me një bllokadë nga lobimet e ndryshme të presidencës kosovare dhe të vetë DASH-it, duke e mbështetur politikën e presidentit Thaçi dhe njëkohësisht duke e përgatitur politikën kosovare për t’i dhënë mbështetje këtij plani në këtë mandat parlamentar apo tjetër. Plani mund të përfshijë dy faza: e para të ndryshimit të kufijve të Kosovës dhe e dyta dhënia e një një fuqie më të madhe qeverisëse të “Asociacionit Serb”.
2.Të dyja versionet e dëmtojnë shtetësinë e Kosovës, por politika në Prishtinë, sipas atmosferës së sotme nga takimet e presidentit ThaçI me liderët e partive politike, ka vendosur të ketë qasje tjetër ndaj takimeve në mes Thaçit, Grenellit dhe Vuçiçit, duke i anëshkaluar të gjitha institucionet dhe vetë qeverinë Kurti. Kryeministri Kurti për t’ju kundërvënë ndikimit dhe planit presidencial, duhet të deklarojë një “emergjencë” kombëtare dhe ndërkombëtare diplomatike për sa i përket kësaj marrëveshje që po shtyhet nga Uashingtoni pa Brukselin dhe qeverinë Kurti.
Në mes të dy të këqijave, Kosova po detyrohet të zgjedh njërën e që nuk dihet se çfarë do të sjellë për qeverinë e Kurtit dhe vetë Prishtinën. Për Serbinë, kjo do të cilësohet si një fitore e re pa luftë dhe me pak kontribut në administratën në Uashington.
Në fund, pozicionin amerikan duhet kuptuar jo sipas këndit shqiptar, por sipas përparësive globale dhe rajonale të Uashingtonit. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)
9.3.2020