Gjergj – Bajram Kabashi
“Pasluftat e mia” (1946 – 1999 dhe 2000 – 2026)
Kujtime, biseda , dëshmi
Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2026.
Shkrimtari , historiani dhe gazetari i njohur Jusuf Buxhovi, autor i shumë veprave letrare, historike e publiçistike, kësaj vere erdhi me librin monografik “Pasluftat e mia”, një të thuash roman i veçant i tij, i shkruar në mënyrë autobiografike që e paraqet rrugën e tij jetësore nga fëmijënia e deri sot.
Meqenëse me Buxhovin kemi punuar sëbashku në gazetën “Rilidja”, që nga viti 1982, kur ai ishte në komisionin pranues për gazetarët e rinj, në mesin e të cilëve isha edhe une.
Prandaj, rrugëtimin e tij profesional, si gazetar me përgatitjen e duhur shkollore dhe kulturen e admiruar, në një mënyrë e njihja, përderisa libri mongrafik “Pasluftat e mia” , e rikthej në kujtesë punën e tij të madhe e të vazhdueshme.
Romani autobiografik apo mongrafie “Pasluftat e mia” është një libër voluminoz me përplot të dhëna e dëshmi për një rrugë të bujshme që e ka kaluar Jusuf Buxhovi, jo vetëm në gazetari, por edhe në rolin e tij të madh në formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në rrugën e formimit të tij profesional si letrar e historian.
Libri “Pasluftat e mia” e përfshin periudhën që nga lindja e krijuesit të njohur, vitet 1946 – 1999 dhe ato 2000 – 2026.
Ky është një libër përplot të dhëna dhe dëshmi për kohën e kaluar këtij personaliteti të veçant, libër që mbetët si një monument i madh kujtese, jo vetëm për rrugëtimin jetësor e profesional të autorit, por edhe të Kosovës e të kombit shqiptar.
Kujtimet, dëshmitë e bisedat e autorit, të përmbledhura në një libër me një titull që të kujton njeriun e shumë betejave të kaluara nëpër jetë dhe shikimin e tij kah rrugët nga ka kaluar, janë njëherit kujtime dhe rrëfime, qoftë edhe të zbehura nga harresa, të një populli të tërë, andaj rrëfimet e shkrimtarit Buxhovi janë edhe “rrëfimet e secilit prej nesh”, që ka kaluar nëpër ato rrugë të vështira.
Përderisa e lexoja librin “Pasluftat e mia”, më dukej sukur jam ende tuj i përcjellë ngjarjet për gazetën “Rilindja”; apatheidin, segregacionin, pakësimin e nxënësve në shkolla, rrënimin e autonomisë, arsyetimet e politikanve, “Apelin 215”, shpërnguljet jashtë vendit të shqiptarëve nga dhuna shumëllojshe e Serbisë, formimin e LDK-së, konferencat e përjavshme për shtypin të Ibrahim Rugovës, daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës etj.
Andaj, është një kënaqësi që kulturës sonë i shtohet një libër i tillë që e plotëson një zbrazësi, libër që në mënyrë kronologjike, pothuaj hap pas hapi, rrëfen për kohët e kaluara, për vetminë e madhe që mendonim se i jemi nënshtruar në atë kohë, por edhe për fuqinë tonë , energjitë tona pozitive dhe shpresën për një ditë më të mirë.
Autori i librit “Pasluftat e mia” thekson, se, “Ajo që ka rëndësi në kujtimet, dëshmitë dhe bisedat e këtij libri, ka të bëjë me atë se, në pjesën e parë, Fadil Hoxha dhe dr. Ibrahim Rugova, si persona historikë, në kuadër të zhvillimeve të ndryshme: në njërën anë, ngritjes së statusit autonom të Kosovës nga ai rajonal i vitit 1945, te njësia federative me kushtetutën e vitit 1974 dhe rrënimin e saj nga Serbia përmes puçit kushtetues më 23 mars 1989, dhe në anën tjetër, Shpalljes së Republikës së Kosovës në Kuvendin e Kaçanikut, më 7 shtator 1990 e deri te protektorati ndërkombëtar sipas rezolutës 1244 të KS të OKB-së,më 12 qershor 1999 – i takojnë historisë së shtetndërtimit evolutiv. Siç u pa edhe në vendimin e GJND-së me 10 korrik 2010, ky fakt i shërbeu formulimit se pavarësia e shtetit të Kosovës, e ndërlidhur edhe me konstitucionalizmin jugosllav dhe rezistencën institucionale – aktive – paqësore, që nuk bia ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Në kuadër të librit, në pjesën e dytë, atë të protektoratit ndërkombëtar të KS të OKB-së,më 12 qershor 1999 – i takojnë historisë së shtetndërtimit evolutiv. Siç u pa edhe në vendimin e GJND-së me 10 korrik 2010, ky fakt i shërbeu formulimit se pavarësia e shtetit të Kosovës, e ndërlidhur edhe me konstitucionalizmin jugosllav dhe rezistencën institucionale – aktive – paqësore, që nuk bia ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Në kuadër të librit, në pjesën e dytë, atë të protektoratit ndërkombëtar nga 12 qershori 1999 deri më 17 shkurt 2008, kur Kosova, e ndihmuar nga aleatët perëndimorë, veçmas SHBA-të shpallet e pavarur, fokusimi bie mbi dy çështje, që ndikuan zhvillimet që do ta përshpejtojnë pavarësinë:
-Së pari, te protektorati ndërkombëtar përmbrenda dihomisë: siguri (KFOR) – institucione demokratike (UNMIK) si dhe konflikti etnik i vitit 2004 me pasoja tragjike, që nga dr. Rugova po edhe disa liderë të tjerë nga jashtë, u vlerësua “puç i organizuar nga Beogradi dhe aleatët e saj nga radhët e grupeve staliniste për ta nxjerrë Kosovën nga rruga e pavarësisë”.
Pas hyrjes sqaruese për domosdonë e shkrimit të librit, autori Buxhovi si një plak i urtë dhe me kujtesë të madhe e mendime të freskëta, flet për fëmijërinë e tij, vitet e rinisë në Ponoshec, Aksionin për mbledhjen e armëve, Procesin e Prizrenit dhe ndërlidhjen e raportit midis Enverit e Titos për Kosovën, për hakmarrjen serbe, për Plenumin e Brioneve dhe “aleancën” e Titos me Shqiptarët, për kërkesat për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës deri te njësia federative, demonstratat historike të Kosovës së vitit 1968, për “Kohën e barazisë”, Amandamentet kushtetuese dhe themelimi i Universitetit të Prishtinës, për Kushtetutën e vitit 1974 dhe ngritjen e statusit të Kosovës në njësi federative, pastaj rrëfimet e autorit për “Vitet e Gjermanisë”, për kohën kur ishte korrespondent i përhershëm i Rilindjes në Bon, për “lidhjen shqiptare” që i përafron shqiptarët, për opcionet rreth “Shqipërisë jugosllave” dhe ato për “Kosovën shqiptare”, për bisedat me Vladimir Bakariqin, filozofin Vajceker, nobelistin Bëll dhe Horst Emken.
Pastaj për “Dimri i madh” shqiptar, atuja e “e barazisë” së Bakallit, “gasterbajterët” tanë dhe klubet jugosllave.
Janë edhe kujtimet për shkrimtarin tonë Martin Camaj, për Oda Buholc, Fidler dhe Knoblauh.
Secili kapitull ku rrëfen Jusuf Buxhovi e bartë vulën e saktësisë dhe dokumentimit.
Jusuf Buxhovi rrëfen për vazhdimësinë nëpër të cilën ka kaluar si njeri e gazetar, duke mos zbukuruar asgjë, por duke e thënë vetëm të vërtetën, ashtu siç ka qenë ajo, e jo qysh do të dëshironim që të ishte.
Të kritikuar edhe prej njerëzve tanë pa kompetenca shkencore , por vetëm nga xhelozia dhe mosdurimi ndaj tjetrit që kanë menduar se “u bënte hije”.
Jusuf Buxhovi fëmijëninë e ka kaluar në Ponoshec të Gjakovës, ku i punonte babai si mësues për shumë vite dhe libri “Pasluftat e mia” është botuar kësaj vere , me rastin e 80 vjetorit të lindjes së autorit me 4 gusht 1946.
Jo vetëm me këtë vepër, por edhe në paraqitjet e tij të shumëta publike, Buxhovi e ka thënë të vërtetën pa u fshehur e pa ngurrim, edhe në rastet kur ndaj tij janë drejtuar edhe kritika të paparsyeshme e të palogjikshme, fyerje, shpifje e kërcënime.
Shembulli i tij është ai i një maratonisti në fushën e kulturës, për të cilin nuk duhet menduar aq shumë se si është nisur, por ku ka arritur me maratonën e tij jetësore – intelektuale.
Ai i ka kryer punët e veta dhe ka ecë vetëm përpara, pa e kthyer kurrë kokën pas…!
Në promovimin e librit të tij në Ponoshec, Buxhovi theksoi se e kishte zgjedh titullin “Pasluftat e mia” pasi “periudhat e tranzicionit dhe të pasluftës në Kosovë (si ajo pas vitit 1946, ashtu edhe ajo pas vitit 1999) shpesh kanë qenë po aq të rënda dhe sfiduese për fatin e kombit sa edhe vetë luftërat. Ai bëri thirrje që historiografia të lirohet nga mitet dhe të pasqyrojë vetëm të vërtetat dokumentare. Ky vend , kishte theskuar Buxhovi për Ponoshecin, për te “përfaqëson një “vendlindje të dytë”.
Në Ponoshec babai i autorit, Aziz Buxhovi (që ishte normalist i Elbasanit), ka shërbyer si mësues i parë në shkollën e këtij fshati nga viti 1953 deri në vitin 1960.
Duke e lexuar këtë libër në secilën faqe të tij, sikurse në faqen 30, kthehesh në kohën që nuk ke dëshirë ta kujtosh me ëndje.
Pas “Procesit të Prizrenit”, shkruan autori në faqen 30 të librit, “kemi edhe aksionin famëkeq të armëve në vitet 1954 – 1955, i përcjellë me dhunë shtetërore dhe burgosje deri te likuidimet fizike të shumë vetave. Në vitin 1958 shfaqet edhe marrëveshja gjentelmene Tito – Çuprili për vazhdimin e shpërnguljes në Turqi të popullsisë “turke” , që nuk ishte tjetër pos vazhdim i marrëveshjes jugosllave – turke të vitit 1938.
Sipas kësaj marrëveshjeje, mbi 250 mijë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Sanxhaku, të konvertuar në “turq”, u shpërngulen në Turqi. Shumë prej tyre u desh që pronat t’i shesin më lirë, ose edhe ti braktinin fare për “vizikat” turke. Shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi u shfrytëzua që në Maqedoni të silleshin “egejcat” nga Greqia, ndërsa në Sanxhak malazezë e serbë nga Hercegovina. Edhe në Kosovë, zbrazja nga shqiptarët, i hapi rrugë kolonizimit me popullatë serbe.”
Jo vetëm kjo që e thekson krijuesi Buxhovi në veprën “Pasluftat e mia”, e vërteton një gjë thjeshtë e me fakte nga jeta, se krimineli (kriminelët) kthehen gjithmonë në vendin e krimit.
Jo vetëm Serbia, por edhe Turqia e sotshme, neoosmane, e vazhdojnë në mënyrë tjetër, aty ku e kanë lënë dikur. Ku Perandoria Osmane e ka lënë më 1912 , ndërsa Serbia në qershor të vitit 1999.
Turqia me investimet e pandalshme religjioze islamike në meremetimin dhe ndërtimin e xhamive, duke qenë e vetëdijshme se, ashtu , e krijon ndikimin e saj përmes religjionit islam, e po ashtu edhe Serbia, që e pati ruajt këtë religjion “për ne” me qëllimet e për synimet e veta gjeostrategjike, mes tjerash edhe përmes krijimit të “turqve” e turkofilëve, që do të krijonin qëndrime idiferente të botës ndaj nesh.
“Pasluftat e mia” e Jusuf Buxhovit, nuk është vetëm një vepër që kallxon se kah kemi kaluar, me cilat vështirësi e intriga u ndeshëm nga pushtimi serb, por tregon se rruga për ndërtimin e kombit edhe përmes kujtesës, është ajo që na ka munguar.
Ky libër rrëfimtar i një eruditi, tregon se nëse duam të jemi ata që duam të jemi, duhet të punojmë shumë për vetën. Për këtë arsye Jusuf Buxhovi ngrehinën e kombit e ka ngritur dhe ndërtuar me veprat e tij të shumëta, me mendimet e tij, me rrëfimet dhe jetën e tij si shkrimtar, historian e gazetar.
Libri “Pasluftat e mia” i Jusuf Buxhovit, mahnitë me rrëfimet dhe faktet aq të shumëta, që mund ta shquajnë vetëm një intelektual kritik e poliedrik, qysh është ai.

