Selim Ibraimi- Ekziston ende një dilemë në opinion nëse do të ndodhë integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE). Zyrtarët e BE-së së fundmi kanë propozuar një datë anëtarësimi të vendeve të rajonit- atë të 2030-ës. Sa është reale 2030-ta nuk dihet, duke marrë parasysh mungesën e shtetit të së drejtës dhe shumë çështje tjera të hapura.
Për një qeveri të përkushtuar ndaj reformave ndoshta viti 2030 nuk është aq larg. Por bazuar në reformat që duhet vendet e rajonit dhe Maqedonia e Veriut t’i bëjnë dhe përfundojnë me sukses, 2030-ta duket jashtë realitetit. Vetëm nëse BE-ja i mbyll sytë dhe vendos të pranojë anëtarë të rinj pa i plotësuar kushtet, atëherë këtu s’kemi pse flasim më për vlera evropiane. Megjithatë shumë ngjarje në Maqedoninë e Veriut dhe si qeveria në Shkup ka reaguar ndaj padrejtësive dhe ndryshimeve ligjore, një vendi kandidat për në BE dhe as më pak një shteti anëtar i NATO-s nuk i takon.
Ditë më parë deputetët e parlamentit në Shkup aprovuan një ligj që ndryshon Kodin Penal, duke favorizuar sipas krtikëve zyrtarë aktual dhe ish- zyrtarë të lartë në proceset gjyqësore e duke lënë hapësirë në të ardhmen për keqpërdorime. Në Maqedoninë e Veriut të gjithë mundohen t’i ikin drejtësisë e cila nuk ekziston.
Çfarë po ndodhë në emër të ndryshimeve kushtetuese, dhe a është normale për një shtet që pretendon BE-në dhe vlerat e saj?
Është një humbje e madhe për këtë vend që të mos pastrohet nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. Në vend të kësaj qeveria po bën veprime jo të mira, duke dhënë shembuj se sa lehtë është të shkelen ligjet dhe të mos dënohet askushi. A i duhet këtij vendi të brishtë një gjë e tillë? Natyrisht se jo, po ja që politika ka vendosur të bëjë të veten duke e lënë vendin pa të ardhme, pavarësisht se një pjesë e shoqërisë është e kënaqur me politikat e qeverisë. SHBA dhe BE nuk janë deklaruar qartë rreth këtij plotësimi ligjor në favor të uljes së standardeve edhe ashtu jodemokatike dhe ligjore. Heshtja e tyre është edhe më shqetësuese, pasi do të ketë efekte negative për qytetarët e dëshpëruar nga mungesa e ligjit. Nëse nuk do të ketë reagime nga BE-ja, atëherë unioni po dërgon sinjale të këqija për Ballkanin Perëndimor, duke e lënë drejtësinë në duart e politikës dhe grupeve të lidhura me krimin e organizuar.
Ndryshimet ligjore kanë kaluar, ndërsa presidenti i shtetit Stevo Pendarovski ka shprehur gatishmëri që ta nënshkruajë këtë ligj. Kështu që ka shumë pak shpresa që ky ligj të mos zyrtarizohet. Trashëgimia që do të lë pas do të jetë jo e mirë dhe me pasoja për jetën e banorëve të vafër të shtetit të brishtë multietnik që e kanë humbur besimin në drejtësinë. Pasi BE-ja ka dhënë disa shenja se do të mund të bëjë anëtërsimin e disa shteteve nga rajoni deri në 2030-ën, ndërtimi i një sistemi gjyqësor të pavarur dhe efikas mbetet një ndër qëllimet e një shteti.
A është duke u bërë kjo në Maqedoninë e Veriut?
Aktualisht jo, pasi reformat janë shumë larg. Kapitulli i 23-të i Aqusis-it i BE-së nënvizon se “paanshmëria, integriteti dhe një standard i lartë gjykimi nga gjykatat janë thelbësore për ruajtjen e shtetit të së drejtës. Kjo kërkon një përkushtim të fortë për të eliminuar ndikimet e jashtme mbi gjyqësorin…” Më tej në kapitull thuhet se “duhet të ekzistojnë garanci ligjore për procedurat e gjykimit të drejtë.” “Në të njëjtën mënyrë, shtetet anëtare duhet të luftojnë korrupsionin në mënyrë efektive, pasi ai përfaqëson një kërcënim për stabilitetin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit. Kërkohet një kuadër ligjor solid dhe institucione të besueshme për të mbështetur një politikë koherente të korrupsionit.”
Siç vërehet ligji i BE-së është shumë i qartë, por kur rrënimi i së drejtës nuk vjen vetëm nga jashtë por edhe nga vetë qeveria, atëherë çështjet janë serioze dhe mbetën të ndërlikuara. Shkupi zyrtarë dhe vendet tjera që kanë pretendime që të anëtarësohen në 2030-ën duhet të zhvillojnë reforma serioze. Duhet të japin shembuj konkret organet e drejtësisë, prokuroria e policia.
Partitë politike dhe qeveria duhet të qëndrojnë larg gjykatave. Deri më tani shenjat janë të zbehta dhe atmosfera i ngjan jetës politike dhe të një drejtësie si në Amerikën Latine.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.