”Sistemet politike bashkëkohore”. Libri në fjalë paraqet një kontribut modest në studimin e një fushe shkencore që është mese e nevojshme për studentët e shkencave shoqërore. Unë u nisa nga ajo se në gjuhën shqipe ndjehet mungesë e theksuar e teksteve universitare nga kjo fushë. Nga ana tjetër, në shumë fakultete dhe universitete me mësim në gjuhën shqipe ligjerohen lëndët mësimore: Sistemet politike, Sistemet politike krakasuese, Politikat krahasuese etj. Ligjeruesit nevojat e studentëve i plotësojnë nga tekstet e autorëve të huaj, ose nga ajo pak literaturë në gjuhën shqipe nga sfera e drejtës kushtetuese krahasimore, e drejta parlamentare, historia e shtetit dhe së drejtës etj. Arsyet pse autorët shqiptarë nuk meren edhe aq me këtë problematikë janë të shumta, por në asnjë mënyrë nuk mungon aftësia e tyre të shkruajnë tekste universitare nga sfera e sistemeve politike, të cilët për nga cilësia nuk do të dallonin aspak nga autorët jo shqiptarë që meren me këtë problematikë.
Unë edhe pse tani më jam profesor i pensionuar, pas shumë bisedave me kolegë më të ri e mora për obligim ta shkruaj këtë libër me shpresë se sado pak do ju ndihmon studentëve, por edhe publikut më të gjërë të marin njohuri elementare për sistemet politike bashkëkohore. Edhe pse disponoj me një përvojë relativisht të pasur, prej në fillim isha i vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat do të ballafaqohesha gjatë shkruarjes së tekstit në fjalë. Megjithatë vështirësitë për mua paraqisnin vetëm një nxitje të brendshme, një provokim pozitiv e asgjë më shumë.
Sistemet politike bashkëkohore si disiplinë shkencore paraqesin një “oqean” me thellësi dhe gjërësi vështirë të matshme. Bëhet fjalë për një materie mjaft dinamike. Çdo ndryshim kushtetutar ndikon më shumë ose më pak në fizionominë e sistemeve politike që janë lëndë studimi. Si shembull i mirë është sistemi politik i Federatës Ruse dhe sistemet politike të ish sheteve komuniste në Evropë.
Në tekstin që tani më ndodhet para lexuesve, janë analizuar disa tipe të sistemeve politike bashkëkohore dhe atë: sistemet parlamentare, gjysmë parlamentare, sistemet presidenciale, sistemet kuvendore dhe sistemet politike të bazuara në drejtën islame. Më saktë thënë pas shumë analizave të bëra u përcaktova për sistemet politike si në vijim: Mbretëria e Bashkuar (monarki parlamentare); Gjermania (republikë parlamentare); SHBA (republikë presidenciale); Franca dhe Rusia (sisteme politike të përziera, presidencialo-parlamentare gjegjësisht parlamentaro-presidenciale); Kina (sistem komunist); Belgjika (demokraci konsociative); Zvicra (sistem me demokraci konsesuale); Bosnja e Hercegovina dhe Republika e Maqedonisë së Veriut (sisteme me demokraci konsesuale në zhvillim); Arabia Saudite (monarki apsolute e bazuar në sheriat) dhe Irani (republikë e bazuar në sheriat). Sipas qasjes metodologjike, libri ndahet në tetë kapituj dhe ate: Pjesa hyrëse; Sistemet politike parlamentare; Sistemet politike presidenciale; Sistemet politike të përziera; Sistemet politike me demokraci konsesuale dhe demokraci konsociative; Sistemet politike me elemente konsesuale që dolën me shpërndarjen e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë; Sistemet politike të bazuara në sheriat; dhe Sistemet politike komuniste.
Si autorë jam shumë i vetëdijshëm se ky tekst nuk është as i plotë e as i përkryer. Ashtu siç theksova më lartë, librat e shkuara nga dora e njeriut nuk janë as Kur’an e as Bibël. Ata kanë plot zbrazëtira dhe mangësi. Ndoshta aty qëndron edhe vlera e tyre. Zbrazëtirat dhe mangësitë e sfidojnë autorin e librit ose autorë tjerë që të hulumtojnë në vazhdimsi dhe të shkruajnë tekste më të plota dhe më cilësore.
Gjatë shkruarjes së librit, në çdo moment më rrotullohej në kokë qëndrimi i Tokvilit, të cilit pas gjysmë viti qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar ia parashtrojnë pyetjen pse nuk shkruan libër për sistemin politik të Britanisë së Madhe. Përgjigjia e tij përafërsisht ishte kësisoj: “ Duhet njeriu të jetë budalla në aspektin filozofik, që të ndjehet i aftë të sjell një vendim të atillë pas një periudhe aq të shkurtër të qëndrimit në Britani”.
Andaj, të gjithë autorët që synojnë të shkruajnë libra për sistemet politike duhet ta kenë parasysh këtë qëndrim të Tokvilit, jo për të mos shkruajtur por që t’i kenë parasysh të gjitha llojet e vështirësive me të cilat do të ballafaqohen gjatë shkrimit të librave dhe kritikave herë qëllim mira dhe herë qëllim këqia që do të pasojnë pas botimit të librave.
Duke u nisur nga kjo që u tha më lartë, unë si autor do t’ju jem mirënjohës të gjithë atyre persona që pas leximit të librit do të japin sugjerime dhe do të bëjnë kritika konstruktive të cilat do të ndihmojnë që libri të bëhet shumë më cilësor me rastin e ribotimit eventual, sepse si autorë do t’i autorizoj kolegët që janë në marrëdhënie të rregullt pune në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, pa kurfarë problemi të bëjnë plotësimin dhe ribotimin e këtij teksti universitar.
Libri “Sistemet politike bashkëkohore” është shkruar me një gjuhë të kuptueshme. Qëllimi im është që libri t’ju shërbejë jo vetëm studentëve, por edhe gjithë atyre lexuesëve që dëshirojnë të marrin njohuri elementare nga sistemet politike që trajtohen në rastin konkret. Ky libër mund t’ju shërbejë si literaturë bazë studentëve që i ndjekin ligjëratat në lëndët: Sistemet politike bashkëkohore, Sistemet politike krahasuese, Politikat krahasuese; dhe si literaturë ndimëse studentëve që si disiplinë akademike e mësojnë Të drejtën kushtetuese, Historinë e shtetit dhe së drejtës, Hyrje në politikat publike etj.
Shpresoj se libri “Sistemet politike bashkëkohore” t’i tejkalojë kufijtë e UEJL-së dhe të bëhet pjesë e bibliotekave të dashamirëve të literaturës së kësaj natyre, gjithandej ku jetojnë shqiptarët, e para së gjithash, të bëhet pjesë e bibliotekave të universiteteve me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri.
Unë shfrytëzoj rastin t’i faleminderoj shokët e fëmijërisë z. Taip Qazim Kodra dhe z. Vebi Halil Kodra për ndihmën modeste financiare në publikim e këtij libri. Dhe për fund, u shpreh falëminderime të përzemërta recensentëve Prof.dr Jeton Shazivari, Prof. dr Ylber Sela, Prof. dr. Adnan Jashari; lektorit Mr. Lulzim Dalipi; pronarit të Focus Print z. Imer Goxhufi; dhe të gjithë kolegëve dhe studentëve të UEJL që intelektualisht dhe teknikisht ndihmuan rumbullakimin e idesë dhe publikimin e librit.
Pr. dr. Etem Aziri
29.4.2023