Nga prof. Xhelal Zejneli-
Koha në Makondo rrjedh në mënyrë ciklike. Pas njëqind vjetësh ajo rikthehet në fillimin e vet – për t’ia filluar nga e para. Aty ligji nuk është veçse një nocion abstrakt. Po kështu, edhe e drejta. Sistemi i vlerave nëpërkëmbet, shembet, rrënohet dhe përmbyset. Madje s’ka kush e di, në ka sistem vlerash. Kudo dhe gjithkund hasësh në abuzime, shpërdorime, keqpërdorime. Zhvillim, përparim, progres s’ke. Ke ngecje dhe prapambetje. Klasë politike s’ke. As klasë intelektuale. Megjithëkëtë, çdo pore e “shoqërisë” është e politizuar. Numri i partive, që veten e marrin për politike, arrin shifra marramendëse. Partitë – të ashtuquajtura politike – s’janë veçse grupe interesi, me aspirata meskine. Në krye të Makondos janë sankilotët. Këta që nuk njohin as komb, as shtet. Këta që s’kanë kurrfarë ideali. Këta që janë të zhveshur nga çfarëdo idealizmi, që e kanë të përkryer retorikën demagogjike, që iu qasën politikës pa asnjë lek në xhep, për t’u pasuruar brenda natës – me gojën plot atdhetarizëm. Aty s’ka rend dhe rregull. Ka shkelje ligji dhe anarki. Mashtrues, gënjeshtarë, rrenacakë – sa të duash. Ngado që e kthen kokën, sheh e dëgjon propagandë të sofistikuar. Aq të sofistikuar, të përpunuar dhe të përkryer, saqë pa kurrfarë mundi, të zezën e shet për të bardhë. Me trumbetë trumbeton, katranin zbardhëllon. Aty s’prodhohet dot gjë. Nocionet prodhim dhe eksport janë fiktive. Dikur prodhohej dhe eksportohej speci e lakra, ndërsa sot, edhe këta janë lënë pas dore. Zbatim ligji s’ka, mirëpo s’mund të ankohesh e të thuash se nuk ka mitë dhe ryshfet. Korrupsion në gjyqësi, në polici, në dogana, në administratë, nëpër bashki apo komuna, në urbanizëm, në shëndetësi, në universitet, në porte dhe limane. Ku s’ka. Ka me shumicë, në të katër anët. Të korruptuar – politikanë, udhëheqës politikë, ministra, deputetë, shefa kabineti, këshilltarë ministrash, këshilltarë liderësh politikë, kryetarë bashkish, kryetarë komunash, këshilltarë bashkish, këshilltarë komunash. Të korruptuar – gjykatës, prokurorë, avokatë, porotnikë, noterë. Të korruptuar – punëtorë doganash, shefa doganash, policë, policë të qarkullimit rrugorë, punonjës, përgjegjës dhe shefa portesh apo limanesh, punonjës të administratës, përgjegjës të sektorëve të urbanizmit. Të korruptuar – mjekë të mjekësisë së përgjithshme, mjekë specialistë, infermiere, motra mjekësore, punëtorë sanitarë. Të korruptuar – profesorë universitarë, pedagogë, ligjërues, dekanë. Të korruptuar – auto-shkolla. Ngasës makinash, veturash, mjetesh transporti – pa patentë për ngasje, pa leje drejtimi apo pa patentë shoferi. Patenta shoferi shiten e blihen. Shiten e blihen provime, diploma fakulteti, tituj akademikë, magjistratura, doktorata. Jepen dhe falen mbi baza të ndryshme – miqësie, partiake, fisnore, amoraliteti – nota, diploma, tituj akademikë. Nepotizmi lulëzon si askund tjetër. Pushtetari, personi me pushtet dhe me ndikim i punëson, pa kurrfarë kriteri, të gjithë anëtarët e familjes së vet dhe të fisit. Prej një shtëpie punësohen pesë vetë, nga një tjetër – asnjë. Shumëçka bëhet në emër të kombit. Dituria është në shkallë të ulët dhe për këtë s’çanë kokën kush. Mbizotëron përzgjedhja negative, më i miri shpërngulet, ndërsa mediokri i rrëmben kolltukët e zyrave. Madje emërohet, caktohet edhe aty ku kërkohet profesionalizëm. Vlerat etike dhe profesionale nuk luajnë rol të madh. Diletantizmi ia zë vendin profesionalizmit. Dijes, shkencës s’i kushtohet dot rëndësi. Në vise të caktuara, numri i atyre që e shkruajnë drejt gjuhën amtare, numërohet në gishta. S’ke për të parë liri pa e shkruar drejt gjuhën e nënës! Për të qëndruar në këmbë, pushtetarët ndjekin politikën e bukës dhe të argëtimit, panem et circesnses. Për interesa meskinë, intelektualët apo pseudo-intelektualët janë shndërruar në sinonime dhe në personifikime të oportunistëve dhe të konformistëve. Në vise të caktuara, shumë intelektualë me tituj akademikë, nuk flasin, nuk lexojnë dhe nuk shkruajnë – drejtë – në asnjë gjuhë të huaj. Inflacion titujsh akademikë. Asnjë studim e hulumtim, asnjë kërkim e gjurmim, kurrfarë pune kreative e shpikje. Kopjim dhe plagjiaturë sa të duash. Krizë e shpirtit! S’ka përparim apo progres. Ka ngecje, stagnim dhe regres. Sikur të jetë kohë lufte. Ngecje dhe regres ka vetëm në kohë luftërash. Zënka, fyerje, ofendime, denoncime dhe denigrime ndër udhëheqës politikë, si në asnjë vend tjetër të rruzullit. Të tillët, as mund të ndërtojnë shtet, as mund të udhëheqin shtet. Kur në zgjedhjet e përgjithshme pezullohet apo suspendohet demokracia dhe në vend të parlamentit shtetëror fitohet “kuvendi kozak”, atëherë është më se qartë se ajo që quhet klasë politike, nuk është në krye të përgjegjësisë historike. Kuvendi shndërrohet në cirk, në arenë të primitivizmit, të dhunës, në reality show. Arrogancë, megalomani, mendjemadhësi sa të duash. Modesti fare. Ambicie që janë në diskrepancë apo në mospërputhje me mundësitë. Materializim i skajshëm, ekstrem i mendjes dhe i shpirtit. Rendje pas të mirave materiale. Mungesë e çdo ndjenje për atë që është shpirtërore. Shuarje e çfarëdo ideali. Në radhët e personave me ndikim dhe të pushtetshëm, si dhe të personave vendimmarrës vërshojnë poltronët. Shumëçka vihet në dyshim, dinjiteti dhe integriteti personal. Në rrethana të tilla pason depersonalizomi i personalitetit të njeriut apo të individit. Mbizotëron njëmendimi politik dhe ideologjik, skena orveliane të trishtueshme. Totalitarizëm, diktaturë, tirani, despotizëm, autokraci dhe autoritarizëm. S’ka liri fjale, liri shprehjeje. S’ka mendim të lirë apo liri mendimi. S’ka mediume, gazeta, revista, shtëpi televizive. Ato që janë, për një janë të shitura dhe të blera. Shumëfish të shitura dhe të blera. Mungesë e plotë, totale e mendimit kritik, e kritikës politike, e kritikës shoqërore apo sociale. S’ka analiza as analistë. Ka analiza të rrejshme dhe mercenarë të mirëfilltë. Analistë-mercenarë, të paguar prej pushtetit dhe pushtetarëve. Mediume – të shkruara dhe elektronike – të paguara prej shtetit, prej pushtetarëve dhe prej pseudo-opozitarëve të kamur. Analistë-mercenarë, të ushtruar, të stërvitur dhe të trajnuar për shpëlarjen e trurit. Të ushtruar për të gënjyer, gënjeshtar me pagesë. Ka edhe kalemxhinj, të cilët në çdo çast janë të gatshëm të lidhin pakt edhe me Mefistofelin. Ç’nuk ka?! Ka çmos. Ka tregtarë flamurësh, pseudopatriotë, pseudoatdhetarë, manipulues me vlerat kombëtare, atdhetarë folklorikë, ekzibicionistë, të denjë për analiza frojdiste apo psikanalize. Probleme sociale, papunësi, varfëri, skamje, mjerim, skena surrealiste si në veprat e Emil Zolës, dallime sociale të paimagjinueshme, paga apo rroga në shumë prej 150, 200 apo 300 eurosh. E pabesueshme, e trishtueshme, e frikshme! Sektor privat i pazhvilluar, mungesë e sektorit privat, prodhim, kultivim, përdorim dhe shitje lëndësh narkotike, vrasje, vetëvrasje, grupe kriminale të strukturuara, skena si në Amerikën Latine të viteve ’50 të qindvjeçarit XX, trafikim armësh dhe qeniesh njerëzore, trafikim i të miturve, ngujime, hakmarrje, gjakmarrje, armëmbajtje pa leje, klube nate, bastore, kazino, taverna me tym si në kohën e Raskollnikovit. Reality televizion me shikueshmëri marramendëse, skena amorale, pornografike, muzikë pornografike, lakuriqësi, shthurje morale. Shkurorëzime apo ndarje çiftesh bashkëshortore, divorce, jetimore, braktisje fëmijësh, foshnjash, shpopullim i trojeve të atdheut, të mëmëdheut, ikje e trurit, fshatra të mbetura vetëm me pleq të cilët s’do të ketë kush t’i varrosë. Toka të mbetura djerrinë, braktisje e bujqësisë dhe e blegtorisë, shpërngulje masive e të rinjve, shpërngulje e familjeve të tëra, prindër të moshuar të lënë vetë, të lënë në vetmi, pa kurrfarë kujdesi nga fëmijët e emigruar, strehimore pleqsh primitive, parake. Klasa të zbrazura, të mbetura me pak nxënës, madje edhe vetëm me një nxënës, mësues dhe arsimtarë të mbetur pa punë. Mësymja rrugëve pa kthim, rrugëve drejt asimilimit apo shkombëtarizimit. Jashtë vendit, sa mund të ruhen gjuha amtare, traditat, doket, zakonet. Me historinë, me figurat historike, me simbolet kombëtare, me lashtësinë e racës, me autoktoninë, me pastërtinë e racës, me kujtesën historike – në tokë të huaj – pakkush do të merret. Dobësim i qenies kombëtare, krizë demografike, rënie e numrit të popullsisë, rrudhje e territorit etnik, dobësim i forcës punuese, prodhuese, biologjike, shtuese, riprodhuese, mbrojtëse. Çekuilibër gjinor, rënie e shkallës së lindshmërisë apo e natalitetit, plakje e popullsisë, rritja e shkallës së vdekshmërisë apo e mortalitetit, ballafaqim me vdekjen e bardhë. Sjellje e fuqisë punëtore nga vende të tjera, përzierje e racës. Nga ta kthesh kokën, improvizime. Lulëzojnë kiçi dhe shundi. Në vise të caktuara të mëmëdheut, ka kohë që kanë harruar se si duket libri. Kriza e të lexuarit. S’i lexon dot kush, as veprat klasike, as ato bashkëkohore. Në vend të tyre, shikohen me të madhe seritë televizive pa asnjë vlerë, pa kurrfarë vlere, pa asnjëfarë mesazhi apo porosie. Për art të mos flitet. Banalizim i plotë i asaj që është artistike. Relativizim i çdo vlere. Libra as blejnë, as lexojnë, pjesë teatrore, drama dhe komedi nuk shfaqen, kinematë ku dikur jepeshin filma artistikë, ka kohë që janë mbyllur, biblioteka moderne dhe librari bashkëkohore, s’ka. Në viset e errëta të atdheut panairet nuk organizohen fare. Një shoqëri që nuk lexon, s’ka se si bëhet, s’ka se si ngrihet. Shoqëritë që nuk lexojnë, rrënimin shpirtëror e kanë të pashmangshëm. Postime në rrjetet sociale, veten, vetveten në pozicione nga më të ndryshmet, veshjen, shtëpinë, mobiliet, ndejat, takimet, tubimet, komentet, kundër-komentet, mbështetjen ndaj ndonjë partie politike, sulmin ndaj ndonjë partie tjetër, trapezën, sallonin, pjatat, gotat, pijet, ushqimet, ëmbëlsirat, fëmijët, foshnjat… Postimet e tilla janë në kundërshti të plotë me normat etike. Gabimet gjuhësore, drejtshkrimore, morfologjike, sintaksore, terminologjike nëpër ato farë postime apo komente janë shqetësuese, të turpshme, të pafalshme, të patolerueshme. Improvizohen edhe të ashtuquajturat veprimtari kulturore. Vlerat kulturore s’durojnë dot improvizime. Mbartësit e tyre ka kohë që janë shndërruar në tregtarë të kulturës. Veprimtaritë kulturore bëhen për ngritjen shpirtërore të segmenteve të caktuara të shoqërisë dhe jo për përfitime vetjake. Poezia është elitiste. Jo çdokush që thur vargje është poet. Poetë që s’i lexon kush, që s’i njeh askush. Të njëjtët njerëz me dekada lypin para prej institucioneve për t’i realizuar veprimtaritë kulturore. Krahas parave që i marrin prej institucioneve të shtetit, i mërzisin – vite me radhë – edhe sponsorët. Prej kulturtregerëve të këtillë, askush tjetër s’mund të vijë në rend. Mu për këtë, edhe interesimi i shoqërisë për veprimtarinë “kulturore” të tyre, dita-ditës bie. Shoqëria apo segmente të caktuara të saj, kanë nevojë për procese dhe për zhvillime kulturore, qoftë edhe në kohë krizash politike, ekonomike dhe sociale, por materializimi i një veprimtarie kulturore shpie në vrasjen e kulturës. (Facebook)