Nga Selim Ibraimi- Gazetaria në Kosovë është në gjendje të tmerrshme. Joprofesionistë dhe individë jashtë standardeve profesionale dhe morale, janë shfaqur në opinion për të bërë “gazetari”. Të ashtuquajturit gazetarë profesionistë të cilët prej vitesh janë përpjekur të përfaqësojnë llojin e gazetarisë “të pavarur”, sot nuk janë në funksion të shtypit të lirë. Nuk është profesionale përderisa ju nuk raportoni faktet, por ju si person publik e vendosni veten në një mision tjetër që të mos informoni publikun, dhe si reporter vazhdoni të gënjeni mbi baza politike dhe urrejtje ndaj pushtetarëve, pavarësisht ngjyrave politike. Kjo nuk ka të bëjë fare me shtypin e lirë. Shumica e mediave kosovare kanë nevojë urgjente për ndihmë. Manipulimet me pronësinë e një medie dhe gabimet ligjore nga zyrtarët e qeverisë nuk duhet të trajtohen në sferën e shkeljes së lirisë së shtypit. Nëse ka pasur shkelje të ligjit, të dyja palët duhet të fokusohen në të dhe të marrin përgjegjësi. Të gjitha ligjet e shtetit nuk mund të shkelen në emër të lirisë së shtypit. Kjo është e papranueshme në të gjitha vendet me demokraci dhe liri të shtypit. Më e pakta që duhet të bëjnë gazetarët dhe pronarët e Kosovës, është të respektojnë ligjet e vendit të tyre. Për dallimet politike, në fund vendosin elektorati dhe opinioni. Përndryshe, demokracia e brishtë atje është në rrezik jo nga jashtë, por nga vetë kosovarët.
- Ibraimi ka doktoruar në Shkenca Politike në UEJL, ka magjistruar në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Webster, Scott Air Force Base, IL, Shtetet e Bashkuara dhe mban një diplomë B.A. në Gazetari nga Universiteti i Tiranës, Shqipëri.