Nga Begzad Baliu
Leximin e veprës letrare të historianit, shkrimtarit e publicistit Jusuf Buxhovi e kam filluar më shumë se katër dekada më parë. Isha gjimnazist kur arsimtari i gjuhës, Fejzullah Fejzullahu, një nga ata treqind intelektualët e izoluar të vitit 1989, na e solli romanin e sapo botuar “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”(1982) dhe tek po e mbante në dorë, na tha: “Kjo vepër e shkrimtarit Jusuf Buxhovi nuk është lektyrë e obligueshme shkollore sepse sapo ka dalë nga shtypi, por me vlerat që ka, do të bëhet, prandaj ju që i keni përfunduar referatet (seminaret) e lektyrës do të ishte mirë ta lexoni”.
Leximin e veprave të tij e kam vazhduar më tej me romanet “Loja” (1980), “Nata e shekujve”(1985), “Galeria e të vdekurve”(1987), “Libri i të mallkuarve”(1989), për të vazhduar me romanet, të cilat sa herë i vëmë në spikamë i identifikojmë jo si tituj të plotë po si kode, si personazhe apo si ojkonime: Vdekja(1, 2, 3), Kryeprinci (2003), Kolonel Dreni (2004), Gjin Bardhi (2004), Von Brauni (2005), Kodi (2006), Mendim Drini (2006), Bllaca (1, 2, 3), (2007), Gjakova (2008), Bashkim Kosova (2011), (Jeniçeri (2013), Dosja (2014), Dosja B(2016), Dushkaja (2017) etj., dhe më tej pas shumë leximesh letrare, historike e publicistike, përseri në vitin 2015 romanin “Loja”, duke ja sugjeruar mikut tim, që t’i kthehej përsëri, sepse brenda tij, në rininë e hershme, kishte krijuar një sistem alegorik, një univers me mundësi strukturimi, rishikimi e konceptualizimi të botës në kohë dhe hapësira të ndryshme.
E bëra këtë hyrje të zgjeruar jo për të dëshmuar njohjen pak a shumë sistematike të veprës letrare, historike e publicistike të Jusuf Buxhovit, po për të konstatuar një paradigmë të romanit “Udhëtimi në kohë” (E djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja e Artan Rrashtës”) (2025), të cilën po e paraqesim para jush. Vepra hapet me një Prolog të shkurtër, vazhdon me pjesën e parë: e djeshmja/Principata; me pjesën e dytë: e sotmja/ Fisi; me pjesën e tretë: e nesërmja/Thashethemnaja dhe mbyllet me një Epilog po kaq të shkurtër.
Romani “Udhëtimi në kohë” është vepër letrare e përbërë nga tri pjesë, të cilat mund të lexohen si tre kapituj (e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja e Artan Rrashtës), si tri kohë (mesjeta, koha e re dhe e sotmja), si tri histori të ndërlidhura njëra me tjetrën, madje si tri jetë të narratorit: për të vazhduar me tri situata, tri ese, tri rrëfime në vetën e parë, në vetën e dytë dhe në vetën e tretë; tri novela që bëjnë një roman; apo një histori, një narratologji dhe një dramë; dhe më tej, një histori tragjike, një tragjedi dhe një tragjikomedi; për të mos thënë një dramë historike, një histori tragjike dhe një satirë, për të qenë më i saktë: një tekst dramaturgjik i përbërë nga tri akte. Prej aktit të parë: tragjedisë; prej aktit të dytë: dramës dhe prej aktit të tretë: satirës.
Në pjesën e parë Principata (një nga Principatat antike të Ilirisë; një nga Principatat mesjetare të Arbërisë; Kosova, Teatri), që këtu merr përmasën e simbolit të të gjitha kohërave, është një vend i cili “pa marrë parasysh se përherë kishte qenë i shkelur, që prej qindra vjetësh kishte mbijetuar mbi këto vlera, të cilat i kishte ruajtur me çmimin e madh të sakrificës, që u ishin paguar kryqtarëve që vritnin dhe digjnin besimtarët e kryqit “tjetër” në emër “të kryqit të vet”, një Principatë e cila edhe përkundër ndërrimit të shpejtë të pushtuesve, kishte pranuar vasalitet fizik, por jo edhe shpirtëror, një hapësirë që kishte mbijetuar gjithë rrëmetin e kohës, që i kishte sjellë ndodhja në vijën e kryqëzimit të dy botëve dhe përkundër të gjithave kishte dëshmuar se fundi i njërës nuk do të thoshte njëherësh fillimi i tjetrës, dhe me këtë kishte mbrojtur të drejtën e afrive dhe të pajtueshmërisë së të kundërtave…” (17-18).
E gjithë pjesa e parë Principata përshkohet nga një dialog Unë/Ti, që ndërtohet si përemër i vetës së parë (uni/vëllai) me trajtën toske të përemrit pronor (im vëlla, që në të vërtetë është monolog Unë/Egoja ime), një bartje e Zërit në raport me Piktorin te romani “Dushkaja”, që këtu shpërfaqet më hapur, sepse “Yt vëlla nuk është dhe as që ka qenë ndonjëherë…”(60), thuhet në fund të pjesës së parë). E gjithë ideja përshkohet nga përpjekja jo vetëm për t,u mbrojtur, po edhe për të ndryshuar gjendjen në të mirë të realitetit të krijuar nga forca të tjera të jashtme. Prandaj, në një nga diskutimet e tij do të theksoj: “Por ishte pikërisht çështja e veprimit dhe mosveprimit, si dhe atyre që duhej bërë dhe nuk bëheshin dhe atyre që bëheshin dhe nuk duhej bërë, pra qasja e jetësimit, që idenë e fitimtarit në njërën anë e kthente në filozofi të durimit pa fund, me rrezikun që ashtu mund të zhvlerësohej, dhe në tjetrën anë, atij mësimi ia parashtronte domosdonë e lëvizjes, pra edhe të ndërmarrjes së veprimeve të matura, që të shpinin te përshpejtimi i ndryshimit të gjendjes për të mirë?…”(22-23).
Nëse rrafshi i parë i tekstit Principata përshkohet nga përbërësit historikë, ndërsa i dyti nga përbërësit ideorë e tematikë, rrafshi i tretë i kësaj pjese merr dimensionin tipik artistik, duke e vendosur ngjarjen tërësisht në një teatër të përshkuar nga ironia.
“Hiqu mendimeve për teatrin dhe ktheju realitetit, lum vëllai…”
“Realiteti është teatër, lum vëllai…”
Shtova se jeta është teatër, madje i përhershëm… I thash që përgjegjësia që e zë ngoje, apo papërgjegjësia, që do të thosha (e që janë të njëjta nga pikëpamja e ndërtimit të brendshëm të dramës), nuk paraqet tjetër pos ndarje të roleve në një teatër?…” (49)
Në pjesën e dytë mund të identifikohen (pak a shumë) motivet dhe madje fatet e kryeheronjve të romaneve e tij për mesjetën Lindore/Perëndimore; në të dytën romanet për Periudhën Osmane, Rilindjen Kombëtare, Periudhën e Pavarësisë dhe përgjithësisht pjesën e parë të shekullit XX; ndërsa në pjesën e tretë mund të identifikohen romanet që trajtojnë dramat kombëtare të shekullit XX dhe XXI. Kjo ndërkaq nuk e përjashton bartjen e temave dhe fateve të personazheve nga njëra periudhë në tjetrën (nga romani “Loja” te “Dushkaja”) në pjesën e parë; motivet kur historike e kur simbolike (nga “Nata e shekujve” te “Letra për Kryeprincin”) te libri i dytë; gjuhën kur deskriptive, kur alegorike/simbolike e kur krejt tradicionale: ndërmjet miteve e folklorit (nga “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” te “Dosja e hapur”) te pjesa e tretë. Dija e gjertanishme për veprat letrare të Jusuf Buxhovit, ndërkaq ka vënë theksin kryesisht te rendi tematik i trilogjive, të Perandorisë, të Bllacës, të Gjakovës dhe sidomos trilogjisë gjermane (“Vdekja e Kolonelit”, “Kujtimet e zonjës Von Braun” dhe “Kodi i Dashurisë”).
Nuk mungojnë këtu madje edhe strukturat e tjera referenciale gjeografike/historike: Bjeshkët e Nemuna / Rrasa e Zogut, “sëmundja e territ”, Kështjella e Hijes në Pashtrik (“Letra për Kryeprincin” dhe “Jeniçeri i fundit”, në të cilin ajo përfaqëson “fundin e udhëtimit”), Matanëkrena (“Matanëkrena dhe “Letra për Kryeprincin”) apo të autorëve të tjerë bashkëkohës, si: bregu i pikëllimit (Teki Dërvishi), dimri i vetmisë së madhe (Ismail Kadare, 117), si dhe përbërës të tjerë tematikë të romaneve të tij, apo edhe të autorëve të tjerë, si ajo me pamjet tragjike të gjakderdhjes, në raport me romanin “Gjarpijt e gjakut” të Adem Demaçit (103-107) apo dramën e Rexhep Qosjes, “Sfinga e gjallë”. Një sintezë më gjithëpërfshirëse letrare të gjithë historisë së popullit shqiptar, që nga antika deri te lufta e fundit, pavarësisht se ajo shihet, sigurisht, vetëm në një dimension të saj (“Kodi i dashurisë”) dhe pakrahasueshëm me romanin e fundit “Udhëtimi në kohë”.
Tani pamja e historisë, përkatësisht gjeografisë dhe kohës sillet në një tridimensionalitet, të panjohur më parë. Kalimi nga një rrafsh historik, që me titullin Principata e përcakton edhe kohën, në rrafshin tjetër e përcakton me një shpjegim orientues, që në fillim të pjesës së dytë, gjithashtu me titullin Fisi, që dëshmon jo për ndryshimin përkatësisht avancimin historik po me rënien, tkurrjen, mbylljen, nga një nivel i organizimit shoqëror në nivel të organizimit fisnor, nga gjeografia parashtetërore në krahinën etnografike të fisit përkatësisht familjes. E gjithë kjo madje në kontekstin e organizimit (në dimensionin historik/vertikal), në raport me zhvillimin shoqëror të kohës (në dimensionin kohor/aktual), e në raport me të menduarit si pjesë e bartësve të procesit intelektual, shoqëror e politik (në dimensionin artistik).
“Dushkaja e djeshme nuk është më”, më tha im vëlla, binjak. Shtoi se një mjegull e errtë, që kishte zgjatur me vite e vite, kishte shuar gjurmët e jetës. Për ç’gjë ishin detyruar të largoheshin prej saj.
Lumi mbeti pa ujë. Bari zuri myshqe. Vendi u kthye në një ligatinë…”. (63)
Këtu fillon ajo që autori e quan Libri i fajit, mbase një titull për romanin tjetër. Brenda tij diskutohen të gjithë përbërësit intelektualë, politikë, kulturorë e qytetarë të një kohe dhe të një e më shumë brezave. Në këtë rrjedhë autori flet për vetminë, si një akt universal i intelektualit; luftën e përfunduar dhe luftën e brendshme që nuk ka fund, paqen me të tjerët dhe mungesën e saj brenda vetes; vrasjen si akt i mbyllur dhe ndërgjegjen e vrarë si dramë e hapur, luftën e të kundërtave si sëmundje e territ (90) dhe mendimin ndryshe – si herezi(90); dilemën e përjetshme, sikur e quan ai për t’u vrarë apo për të vrarë, “ngaqë nuk ia dalim që çlirimin ta kthejmë në liri nga mallkimi i shpirtit binjak dhe pengu i dijes së gjakut që përjashton gjakun e dijes, ku fuqia e dijes kthehet në dije të fuqisë, në duart e prijësit fisnor-profet…” (77); dhe që e tëra mbaron me dilemën hamletiane “Me vra, ose me u vra, çështje është kjo?…(118)
Jusuf Buxhovi është historian i specializuar me ndikim ndërkombëtar dhe shumë lexues veprat e tij historike, publicistike dhe letrare i perceptojnë para se gjithash si tekste historike. Jusuf Buxhovi është publicist dhe intelektual, një zë i përmasave europiane, prandaj vepra e tij perceptohet jo pak edhe si zë i kohës në rrjedhat shqiptare të proveniencës europiane. Sot këta lexues Jusuf Buxhovi i ka më të shumtë dhe këta dy përbërës dominojnë në amzën e lexuesve të tij, por në këtë vepër është rasti që të parët, të dytët dhe të tretët të bashkohen.
Pjesa e tretë e romanit E nesërmja: thashethemnaja, është pjesa më e bukur e kësaj proze, një satirë tipike: për kohën, hapësirën, temën, përkatësisht temat e trajtuara, narratorin dhe raportet e tij me personazhet, për atmosferën orveliane në të cilën flasin me një mendje, të gjithë: njerëzit dhe më shumë kafshët, shpezët, kurrizorët dhe sidomos zvarranikët e insektet. Bartës të pushtetit dhe realizues të tij, zvarranikë partiakë që bëhen mbretër; kafshë, si cjapi me traditë tragjikomedike në teatrin antik që këtu merr përmasa më satirike se ç’i kishte në kohën e tij, prandaj hapësira teatrore e tij më parë se sa një teatër klasik është një çadër a një thark; miza, që bëhen pickojë në parti dhe buall në rrethet shoqërore të saj; tuafqinjtë a thuthaqët, që i dinë të gjitha, për të kaluarën, të sotmen dhe sidomos të ardhmen. E të tjerë, e të tjerë.
Më parë se sa me thëniet dhe me bëmat e tyre, përkatësinë etike, biografike, politike e shoqërore të personazheve të pjesës së tretë e përcaktojnë emrat dhe sidomos mbiemrat e tyre: Ukë Currani, Lon Keqa, Lutë Ziu, Dan Pelini, Cen Karremi, Gega i Gecit, Cjapi i Tushit, Shelgu, Rremë Batarja, Lam Krypa, Shahe Krraba, Nurie Futa, Izet Qorri, Sabri Hamalli etj. Personazhi më brilant është e veja e Tushit, e cila bën një veprim të panjohur në letrat shqipe, madje as në mite e në legjenda: “qep kapakët e syve që të mos e shoh këtë botë të çoroditur”
Këta dhe personazhe të tjerë janë bartës të zhvillimeve politike e ekonomike të botës materiale e shpirtërore të kohës, mbushur me tema të përditshmërisë dhe të fantastikës mendore, sikur e thekson autori “në kohën e harresës”, duke filluar nga thashethemet e çarshisë, për të vazhduar me fatin e Sylës e të cjapit të tij, Shahe Kërrabën e Nurie Futën, Sakib Brinin që e shihte botën së prapthi, zonjushën e bujtinës së Mon Sefasë, qëndrimin e kronistit ndaj dashurisë së pafat, martesën, lindjen e parë në kohën e harresës, garën politike, një prej akteve më brilante në jetën tonë politike si përbërës historik, si referencë politike dhe si vlerë etike e mbretërve, presidentëve nën hije, politikanëve pa etikë, kryepleqve me sahatin e ndalur në kohën e Mesjetës, si dhe bardëve të të gjitha kohëve: principatave, fiseve, shteteve, republikave, provincave e strukturave të tjera shtetërore.
E parë në kontekstin historiko-letrar, estetiko-letrar e semasiologjik, teksti i kësaj vepreje ofron mundësi diskutimi për teknikat e ndërtimit të saj, për bartjen përkatësisht transformimin e temës; për natyrën e komunikimit (ndërmjet dialogut dhe monologut), të pangjashme me veprat letrare të tij të gjertanishme; për transformimin e historisë në pjesën e parë, për transformimin e të menduarit në pjesën e dytë dhe për transformimin e diskursit në pjesën e tretë; për dialogun e monologun në pjesën e parë, për monologun e komentin në pjesën e dytë dhe për komentin e ironinë në pjesën e tretë.
A janë këto arsyeve të mjaftueshme që të ftojmë lexuesit e tij për të vënë në sprovë edhe këtë vepër të Jusuf Buxhovit dhe shijuar prirjet letrare të tij në interes të historisë si dimension etik dhe të letërsisë si kërkesë estetike. Madje duke riaktualizuar a ridimensionuar edhe njëherë porosinë përcaktuese të profesorit tim të Gjimnazit të Gjilanit nga viti 1982, dua të kujtoj se romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazi” atë kohë nuk ishte lektyrë shkollore, por pas pak viteve u bë dhe sot është gjithashtu. As vepra të cilën po e përurojmë sot nuk është lekturë shkollore, por ju premtoj, që do të bëhet lektyrë intelektuale.
Prishtinë, 3 shtator 2025
2025-09-18