Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor

ANALIZË E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE E ARTEVE TË KOSOVËS

MBËSHTETJA E MAQEDONISË SË VERIUT PËR NISMËN “BALLKANI I HAPUR”

Që nga fillimi, që në nismën e Novi-Sadit, Maqedonia e Veriut ishte e para që iu
bashkëngjit Serbisë për iniciativën rajonale “Mini-Shengeni ballkanik” dhe më pas “Ballkani i hapur”. Koha kur u shfaq ky afrim i papritur i Maqedonisë së Veriut me
Serbinë, lidhet drejtpërdrejt me ngurrimet e BE-së për të çuar përpara negociatat e
integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe, së fundi, me bllokimin që po iu bën Bullgaria
këtyre negociatave. Pra, sikundër edhe në rastin e Shqipërisë, në pamje të parë duket se iniciativat rajonale të tipit “Ballkani i hapur” kanë për synim të kompensojnë dështimet në procesin e integrimit evropian.
Por në të vërtetë, duke marrë parasysh rrethanat gjeostrategjike në Ballkanin
Perëndimor, boshti asimetrik Beograd-Shkup-Tiranë ka edhe të tjera reperkusione,
edhe tjetër prapavijë. Pas “Marrëveshjes së Prespës” dhe tejkalimit të problemeve me
Greqinë rreth emrit, përveç se kishte pritur një avancim më të shpejtë të integrimeve me BE-në, Maqedonia e Veriut, me këtë forcim të shpejtë të pozitës ndërkombëtare u gjet e inkurajuar të bëjë edhe disa ndryshime edhe në politikat e saj të brendshme dhe rajonale. Rëndësia e pjesëmarrjes së gjerë të shqiptarëve në jetën politike të Shkupit, që mund të konsiderohej si njëlloj katalizatori i stabilitetit, duke ruajtur balancat politike të
brendshme dhe të jashtme të vendit, përnjëherësh u përmbys dhe u zhvlerësua.

( faqe 24 e analizës)

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë më faktor relevant, as në politikat e
brendshme, as në politikat e jashtme të këtij shteti, sepse peshën e tyre qeveria e
Shkupit e ka zëvendësuar, ose synon ta zëvendësojë me një afrim të drejtpërdrejtë me Tiranën, duke e anashkaluar ose duke e bërë të parëndësishëm faktorin e brendshëm shqiptar. Pranimi në NATO i Maqedonisë e Veriut nuk u lexua në Shkup vetëm si forcim i sigurisë dhe i pozitës ndërkombëtare të këtij shtetit, por më shumë si mundësi për të bërë ndryshime strukturore në politikat e brendshme dhe të jashtme, siç është afrimi me Serbinë dhe anashkalimi i faktorit të brendshëm shqiptar, si përcaktues i konfigurimit
politik të vendit. Në të vërtetë, që me largimin e Gruevskit nga Maqedonia përmes një marrëveshjeje Zajev-Ahmeti-Rama dhe më pas Vuçiq, u pa qartë se ky koalicion në të ardhmen do të forcohet edhe më shumë, duke e kthyer faktorin shqiptar të Maqedonisë së Veriut në shërbyes të tij.

Me afrimin e shpejtë dhe gati të papritur me Beogradin dhe më pas me Tiranën, qeveria aktuale e Shkupit mendon se mund të arrijë disa objektiva njëherësh: i) t’i bëjë shantazh BE-së me mundësinë e përafrimit më të madh me Serbinë dhe Rusinë; ii) ta forcojë diskursin e saj nacionalist, për të baraspeshuar me të djathtën, e cila e ka bazë kryesore qëndrimin e prerë antishqiptar; iii) të tërheqë në krahun e vet një pjesë të mirë të elektoratit pro-serb, i cili iu bashkëngjit të djathtës maqedonase për shkak të vijës së saj më të ashpër ndaj shqiptarëve; iv) të shmangë Kosovën nga agjenda politike, duke e identifikuar atë si burim të nacionalizmit, për ta relativizuar peshën e saj te faktori shqiptar i Maqedonisë së Veriut; dhe v) të shmangë lëvizjet emancipuese nga Kosova,
që ushtrojnë ndikim te shqiptarët, në mënyrë që t’i krijohet hapësirë e patrazuar manipulimit fetar islamist, duke vazhduar traditën e hershme të kohës së ish- Jugosllavisë. Në të gjitha këto pika, afrimi me Beogradin duhet të rivalizojë Bullgarinë, kurse afrimi me Tiranën duhet të margjinalizojë ndikimin e Kosovës. Kjo është traditë recidiviste e Shkupit që në kohën e ish-Jugosllavisë. Mirëpo, shkëputja e lidhjeve tradicionale të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me Kosovën do të shkaktojnë pashmangshëm disa pasoja të rënda dhe do t’i sjellin dëme të
mëdha jo vetëm komunitetit shqiptar, por edhe vetë shtetit maqedonas, siç është
shtrirja më agresive e radikalizmit islamik, i pa baraspeshuar dhe “i pakontrolluar” nga
ndikimi emancipues i Kosovës; radikalizimi i një pjese të faktorit politik shqiptar, i cili
nuk do të ndihet mirë nën ombrellën anacionale të Tiranës; përçarjet e brendshme e faktorit politik shqiptar (sipas modelit të Tiranës), që mund të çojnë deri te destabilizimi i Maqedonisë së Veriut etj. Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë lidhje shpirtërore, që nuk mundet të minimizohet, aq më pak të mënjanohet tërësisht.

Analiza e Akademisë së Kosovës në dokumentin e mëposhtëm: