Nga Dr. Selim Ibraimi- (SHBA)

Diplomacia serbe në Uashington po vazhdon të forcohet në krahasim me atë Kosovës, ku kemi një rënie të kapaciteteve brenda Ambasadës së Kosovës. Një përparësi të jashtëzakonshme këtu i kanë dhënë Serbisë dhe diplomatëve serbë, SHBA-të, duke i rivendosur marrëdhëniet në mes shteteve si dikur para shkatërrimit të RSFJ-së. Realisht, lobi serb gjatë 10 viteve të fundit ka punuar shumë që raportet serbo-amerikane të përmirësohen dhe mbështeteja amerikane të mos mungojë për Serbinë në të gjitha çështjet e hapura në Ballkan. Dhe me mundësinë e plotësimit të politikave ekspanzioniste të Beogradit në rajon. “Gjatë dy shekujve të fundit, kombet tona kanë bërë një rrugë të gjatë. Ne kemi treguar se sa herë që serbët dhe amerikanët vendosin të punojnë së bashku, ne arrijmë gjëra të mahnitshme. Prandaj jam i bindur se na pret një e ardhme e ndritur“- është shprehur ambasadori serb në SHBA Marko Gjuriq.

“I kënaqur që u takuam me Kongresmenin Kean duke diskutuar çështjet aktuale politike dhe të sigurisë në Evropë”- ka shkruar ambasadori serb Marko Gjuriq, i cili njihet gjithashtu për idetë e tij nacionaliste ndaj Kosovës dhe Bosnjës. Përkundër qendrimeve anti- demokratike, njerëzore dhe kundër popujve të rajonit, Gjuriqi i ka dyert e hapura në Shtëpinë e Bardhë, në Kongres, në Departamentin e Shtetit dhe në organet tjera të rëndësishme amerikane.
“Sa i përket lidhjeve tona dy palëshe ekonomike, Serbia është e gatshme të vazhdojë të përmirësojë mjedisin e saj të investimit për kompanitë e SHBA -ve, dhe të mbështesë misionet e ardhshme të biznesit dhe tregtisë”.  Sipas tij, komuniteti serb në Kosovë po përballet me vështirësi. Ambasadori Gjuriq ka shtuar se në takimin konstruktiv me Senatorin Shaheen, Chris Murphy dhe Chris Van Hollen, ka theksuar nevojën e themelimit të BKS-së. “Unë kërkova nevojën e formimit të Bashkësisë së Komunave Serbe (BKS), dhe ndërtimin e besimit në zbatimin e marrëveshjeve si elemente kyçe për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë”.

Krahasuar me palën kosovare dhe stafin e Prishtinës në Uashington, është e pakrahasueshme me këtë diplomaci ekonomike dhe strategjike të diplomatëve serbë në SHBA. Për fat të keq, është e mjerueshme për diplomatët e paktë të Kosovës në Uashington, që edhe edhe sipas raportit të fundit të ambasadorit Dugolli, në Uashington, pjestarët e stafit kosovarë dyertë i kanë të ‘bllokuara’ në institucionet amerikane. Qeveria në Kosovë ashtu siç kam theksuar që nga viti 2018, urgjentisht duhet të ndërmarrë një aksion të forcimit të lobimit, plotësimit me diplomatë dhe këshilltarë të ambasadës kosovare në D.C., si një kundërpeshë ndaj Serbisë. Ndryshe, Serbia do të avancojë edhe më shumë në brendi të institucioneve amerikane, duke ndikuar në formulimin e politikave amerikane për Ballkanin. Kosova mund që hap pas hapi të zhvillojë një diplomaci të përzier me shfrytëzimin e metodave të spiunazhit. Po zbatimi i kësaj politike gjithsesi kërkon një strategji nga qeveria e Kosovës.