Selim Ibraimi-Kryetari francez Emanuel Makron vizitoi Serbinë këtë javë. Shitja e avionëve francezë ka ndezur shqetësime rajonale për militarizimin e rajonit. Paraprakisht francezët kishin përfunduar negociatat me qeverinë serbe për shitjen e 12 avionëve luftarakë “Rafale” duke shënuar kështu një përparim në marrëdhëniet dypalëshe. Shitja e avionëve francezë me një vlerë deri në 3 miliardë euro, konsiderohet investim i madh serb në armatim.
Sipas zyrtarëve francezë dhe serbë, “shitja e avionëve jo vetëm që forcon bashkëpunimin ushtarak midis dy vendeve, por edhe thekson partneritetin e tyre strategjik në rritje në mes dy qeverive”. Shitja e avionëve francezë sipas analistëve, parashihet të ketë ndikim të gjerë në rajonin e Ballkanit, veçanërisht duke pasur parasysh raportet jo të mira midis Serbisë dhe Kosovës dhe rolit në rritje të Serbisë po në Ballkan. Veprimet e fundit të Makronit japin përshtypjen e një roli të ri për Francën në Ballkan.
Gjithashtu kjo mund të shihet edhe si një konkurrencë me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, SHBA, Rusinë dhe Kinën. Duke garuar në fushën ushtarake dhe teknologjike, Perëndimi dhe shtetet e bllokut të BRICS po e vendosin Serbinë në qendër të një tregu të industrisë së armëve, me një hapje të një kapitulli të ri në kontekst të diplomacisë euro-amerikane ndaj Serbisë.
Koha e shitjes së avionëve është gjithashtu e rëndësishme, e cila bëhet brenda erës së re të diplomacisë euro-amerikane në funksion të “bindjes” së Serbisë për tu tërhequr përfundimisht nga Rusia. Viteve të fundit nga BE -ja dhe SHBA-të ka pasur fjalë të mira për Serbinë, pavarësisht pozicionit të Beogradit ndaj sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë.
Rritja e nivelit të marrëdhënieve të Perëndimit me Serbinë po vazhdon me kërcënime ndaj vendeve fqinje, ku e ardhmja e tyre me një Serbi të fuqishme në ekonomi dhe ushtri po bëhet e rrezikshme. Shitja e avionëve francezë, sipas analistëve në Paris pritet të forcojnë rolin e Francës si një partner kyç në fushën e mbrojtjes për Serbinë. Dhe jo vetëm kaq, Franca po e bëhet pjesë e një gare më të madhe në mbrojtje në Ballkan, Ukrainë dhe në Afrikë. Shitja franceze vjen pas asaj të Gjermanisë me litiumin, ku Serbisë ju dha një status i veçantë në BE dhe në materialet strategjike.
Nuk ka asnjë dyshim se Serbia po bëhet një faktor vendimtar për politikën franceze, BE-në dhe SHBA-të. Në shkëmbimin tregtar serbo-francez, të dhënat e Entit Statistikor të Serbisë tregojnë për një deficit, sepse më shumë importohet nga Franca se sa eksportohet aktualisht. Po sipas Dhomës Serbe të Tregtisë dhe Industrisë, korporatat franceze janë të interesuara për bashkëpunim dhe investime “në energji, bujqësi, transport, në teknologjinë e komunikimit dhe të informacionit”.
Në aspektin historik, marrëdhëniet serbo-franceze kanë pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm. Ky zhvillim kaq i qëndrueshëm daton nga mesjeta, por lidhjet në mes serbëve dhe francezëve u ngritën në shekullin e 19, aty kah viti 1839, kur serbët e konsideronin Francën si mike për tu mbrojtur nga Perandoria Osmane dhe Habsburge. Lufta e Parë Botërore i forcoi edhe më shumë këto raporte. Njëkohësisht ndihmat në ushqime dhe në mjete ushtarake ishin pjesë e një politike më të madhe franceze për të rritur ndikimin në SKS dhe Jugosllavi më vonë. Aleanca franko- serbe u konsolidua edhe pas Luftës së Dytë Botërore duke vazhduar deri sot me një shkëmbim tregtar disa miliardësh në investime dhe tregti dypalëshe.
Në këtë linjë, pesë muaj më parë, presidenti serb Aleksandër Vuçiq ishte për vizitë zyrtare në Francë duke e thelluar bashkëpunimin jo vetëm në fushën ekonomike e ushtarake, por edhe në energji, dhe në inteligjencën artificiale. Disa analistë të pavarur angazhimin europian dhe amerikan për të shtyrë Serbinë në një bashkëpunim më të ngushtë me Perëndimin e kanë quajtur të kotë, sepse Beogradi sipas tyre nuk do t’i ndryshojë raportet me Rusinë dhe as më pak me Kinën.
Pavarësisht reagimeve, uljeve dhe ngritjeve në tregti, investimet franceze në Serbi po rriten si shtet qendror për Francën, ku sigurisht se do të përfitojë Serbia dhe populli i saj. Ndërsa shtetet e tjera mund të përballen me rënie dhe mungesë investimesh e me një politikë franceze e cila anon nga Serbia. Se në cilën anë do të jetë politika e jashtme franceze në Ballkan, veçanërisht në rastin Kosovë-Serbi, kjo duket shumë qartë nga deklaratat e Makronit të dhëna në Beograd për Kosovën me mbështetje të hapur ndaj Serbisë.
Megjithatë, përfshirja franceze në Serbi dhe e fuqive të tjera evropiane do ta dobësojë rajonin e paqëndrueshëm me fërkime në marrëdhëniet e brendshme të kombeve. Analistë rajonalë, kritikë të politikës franceze kanë thënë se kryetari i Francës Emanuel Makron për habi është në një linjë me autokratin e Serbisë, duke injoruar lidhjet e tij me Putinin e duke minuar si Francë parimet e BE-së.
Në përgjithësi, kjo mund të jetë një shenjë e keqe për të ardhmen e BE-së, ku çdo shtet anëtar i unionit po i tregon audiencës së brendshme dhe të jashtme se BE tashmë është e pafuqishme. Megjithëse shtetet rajonale kanë ngritur shqetësime për transaksionet ushtarake të Perëndimit me Serbinë, qytetarët e zakonshëm të Ballkanit mendojnë ndryshe në veprimet e ardhshme të Serbisë ndaj fqinjve, të cilat mund të mos jenë të njëjta me ato që shohin korporatat ushtarake perëndimore në drejtim të biznesit me Serbinë. Sidoqoftë, kjo është një tregues i përgatitjeve ushtarake për luftërat e ardhshme.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.