Dr. Selim Ibraimi– Propaganda ruse ka ka tri faza kryesore në Maqedoninë e Veriut (MV): E para, lidhet me ndikimin rus të formës së drejtpërdrejtë në qeverinë e e atëhershme të ish- kryeministrit Nikolla Gruevski dhe e njëjta fillon aty kah viti 2008; faza e dytë, 2015-2019, ku para krijimit të Qeverisë së Përzhinos e deri në qeverinë e re të parë të ish- kryeministrit Zoran Zaev, Rusia me të gjitha mjetet në disponim, duke filluar nga partitë politike, mediat, profesorë të universiteteve, shoqata jo –qeveritare, diplomacisë dhe GRU-së ruse, u përpoq të ndikonte në proceset politike dhe të ndërrimit të opinionit tek pjesa maqedonase; faza e tretë, fillon aty gjatë kohës së pandemisë dhe vazhdoi fuqishëm para dhe pas sulmit rus ndaj Ukrainës në shkurt të 2022-tës. Në tri mujorin e tretë të 2022 me humbjet e mëdha të ushtrisë ruse në Ukrainë, ndikimi rus në MV ka vazhduar të forcohet edhe më shumë. Dhe kjo ka një përgjigje e cila është një variabël konstante tek ndikim rus. Opinioni publik në MV e në veçanti ai maqedonas ka një pakënaqësi ndaj SHBA-së dhe BE-së që është ndërtuar tek populli maqedonas se kinse Uashingtoni dhe Brukseli kanë tentuar të ndërhynë në çështjet identitare maqedonase. Ky vakum apo rast ka qenë dhe vazhdon të jetë i mirëseardhur për rusët që të ushtrojnë ndikimin e tyre pa shqetësime qoftë në MV, Serbi dhe në pjesët tjera të Ballkanit ku jeton popullata me përkatësi ortodokse. Në MV, shumë lehtë e kanë mbajtur opinion publik në “stand by” dhe ky status është ndihmuar nga partitë politike dhe akademia. Në dy mujorin e dytë të 2022 kemi një ulje të ndikimit e cila ka qenë e karakterizuar me lajme për luftën e Rusisë në Ukrainë, suksesin rus atje dhe “larjes” së mendjeve të popullatës maqedonase se SHBA dhe BE janë armiqtë e maqedonasve dhe botës ortodokse.
Pasi propaganda ruse ndahet në tri faza kryesore më e rëndësishmja është faza e parë dhe dyta, ku po aty janë vënë themelet e këtij ndikimi rus në MV dhe natyrisht faza e dytë ku para ndryshimeve dhe deri në arritjen e nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, SVR-ja ruse dhe ambasada në Shkup kanë pasur rol të drejtpërdrejtë në MV, dhe paharruar këtu mediat maqedonase të lidhura ngushtë me rusët. Propaganda ruse edhe është mohuar nga autoritetet, ajo ka qenë ë pranishme dhe është bërë me e rrezikshme. Pasi është shtresuar në psiqikën e popullatës dhe vështirë se mund të dilet nga kjo gjendje. Rrjetet sociale vazhdojnë të jenë një burim i rusëve për ndikim dhe këtu autoritetet dhe trupat tjerë rregullues të mediave nuk mund të bëjnë më shumë. Mangësia kryesore është se vendet e rajonit dhe MV nuk kanë gjetur metoda të reja për të luftuar këtë ndikim që vjen nga të gjitha anët. Dhe sigurisht kjo është e pamundur të luftohet me sukses për arsye se pranuesi i propagandës ruse e dëshiron këtë politikë dhe janë të lidhur me këtë koncept ideologjik që burimin e ka në Moskë dhe në qendrat rajonale të shpërndarjes së propagandës dhe dezinformimit. Rusia për më shumë se një dekadë i ka shfrytëzuar metoda hibride të ndikimit, që kanë qenë të lidhura me konceptin ushtarak rus. Opinioni publik e sidomos tek mjetet sociale, rusët kanë qenë më të fortë, pasi me mbështetjen e popullatës lokale ortodokse në Ballkan, i kanë arritur objektivat shumë lehtë, duke vazhduar të jenë në përparësi ndaj BE-së dhe SHBA-së, pra gjithnjë kur flitet për ndikim pozitiv apo negativ. Pavarësisht ndarjes së buxheteve për të kundërshtuar këtë ndikim rus, vendet e përziera fetare dhe etnike dhe ku aty ka vend për ndërhyrje ruse do të jenë të mirëseardhura për Rusinë sot dhe në të ardhmen. Duhet nënvizuar se sfera e opinionit publik në Ballkanin Perëndimor është e rezervuar për rusët. Dhe kjo dallon me Shqipërinë, Kosovën dhe viset tjera ku jetojnë popullatë me përkatësi tjetër etnike. Ndikimi fillimisht është koncentruar tek liderët qofshin të qeverisë dhe pastaj tek partitë politike. Kjo formë e ndikimit është vërtetuar në MV dhe në Serbi, ku lidershipi qoftë në qeveri (rasti në Serbi) dhe në opozitë, haptazi kanë shprehur qëndrime pro ruse dhe kanë mbështetur politikën e Moskës qoftë në Ballkan dhe në Ukrainë. Ajo që mbetet e pa thënë është se këta liderë nuk ua thonë të vërtetën bashkatdhetarëve të vet se Rusia as financiarisht dhe ekonomikisht nuk i ndihmon dhe as i ka ndihmuar. Pra, janë paratë e taksapaguesve dhe donacionet evropiane dhe amerikane që mbajnë vitale qoftë MV dhe shtetet e Ballkanit. Më tej ky ndikimi në partitë politike është bërë me qëllim pasi është më lehtë të shpërndahet propaganda nëpërmjet partive simotra në rajonin e Ballkanit dhe liderëve që ndajnë mendime të njëjta me rusët.
Në kuadër të euro-integrimeve ballkanike, skepticizmi ndaj BE-së është rritur pikërisht nga ndikimi që kanë ushtruar partitë tek elektorati i tyre për të mbështetur Rusinë dhe përjashtuar BE-në dhe SHBA-të nga mendjet dhe zemrat e tyre. Në tri mujorin e tretë 2022, pra para hyrjes në muajin e vjeshtës së 2022-tës, ky ndikim rus është forcuar edhe më shumë në kokat e banorëve të MV. Duhet pranuar se SHBA dhe BE nuk kanë pasur përqindje të lartë besueshmërie në MV as më parë. Për habi ky trend vazhdon me tendenca të rënies. Deri diku qeveria në Shkup duhet të bëjë më shumë përpjekje për të luftuar dezinfomimin, por kjo është e pamundur si në MV, Serbi dhe në Bosnjë- Hercegovinë. Në proces afatgjatë, ndryshimi në strategji do të mund të sjellë përmirësim të opinionit maqedonas tek Perëndimi, po jo aq premtues për një qëndrueshmëri të përhershme dhe pozitive ndaj politikave të SHBA-së dhe BE-së në MV dhe në rajon.
Pjesa e I (2022-2023)