SELIM IBRAIMI (CSSD)- Viteve të fundit në Maqedoni ka një grindje të mjaft të theksuar se deri në çfarë mase, forma dhe mosfunksionimi i shtetit të ri mund t’i atribuohet përvojës socialiste apo nëse trashëgimia nga ish regjimi duhet të merret parasysh sot në drejtimin e republikës. Përgjithësisht, përgjigjja e saktë është se të dyja format ajo socialiste të organizimit politik dhe demokratik të shtetit të brishtë e karakterizojnë situatën politike në Maqedoni.
Klientelizmi është një rend shoqëror që varret nga marrëdhëniet e patronazhit e në veçanti, mund të interpretohet si një qasje politike e partive politike që i shfrytëzojnë marrëdhëniet e krijuara nga sistemi.
Maqedonia në nivel rajonal rangohet keq për sa i përket klientelizmit dhe ky trend po vazhdon ende në qeverinë reformatore të kryeministrit Zoran Zaev.
Në fakt të gjitha qeveritë e Maqedonisë që nga pavarësia kanë pasur nivele të caktuara të kilentelizmit dhe fenomeni u përhap sidmos gjatë qeverisjes së ish –kryeministrit Nikolla Gruevski.
Kleptokracia megjithëse është dukuri edhe tek shtetet e zhvilluara, në Ballkan sëmundja u përhap pas ndryshimit të sistemit politik dhe formimit të partive politike me liderë dogmatik nga ish regjimi.
Një pjesë tjetër e liderëve që e mbështeti qeverisjen kleptokrate, lindën gjatë procesit të transfomimit të shoqërisë në Maqedoni.
Historikisht kleptokracinë e gjejmë si sistem që në Greqinë e lashtë por në shoqëritë bashkëhore sistemi i “qeverisjes nga hajdutët” është më i përsosur përshkak të natyrës së shteteve dhe lidershipit.
Kleptokratët e Ballkanit synojnë që të grumbullojnë sa më shumë pasuri personale dhe të fitojnë fuqi politike për të mbajtur pushtetin dhe popullatën të ngulfatur. Në këtë mënyrë sistemi i ndërtuar përfshin kapjen e shtetit dhe fondeve në kurriz të qytetarëve.
Maqedonia ishte dhe vazhdon të jetë një vend i përshtatshëm për të gjitha deformimet shoqërore.
Ambiciet e qeverisë së re për të luftuar kleptokracinë dhe klientelizmin janë të mëdha.SHBA dhe BE kanë ndarë fonde shtesë për të luftuar sistemin e ngritur nga qeveritë e Maqedonisë.
Megjithatë qeveria e Zaevit nuk është imune ndaj politikanëve të cilët për synim kanë pushtetin dhe korrupsionin.
Struktura politike e qeverisë së Zoran Zaevit është e ndërlikuar dhe përshkak të natyrës së forcave politike do ta ketë të vështirë ta luftojë korrupsionin, kleptokracinë dhe klientelizmin.
Pasi qeveria e re rrezikohet të shembet nga partnerët e koalicionit përshkak të dallimeve në procese, atëherë reformat e qeverisë mund të marrin dinamikë të re.
Gjatë fushatës zgjedhore, kryeministri Zoran Zaev tha se koha e nacionalizmit ka marë fund me çka partnerin e koalicionit Aleanca për Shqiptarët e ka vënë në pozitë të pafavorshme. Rreziku për procese që do ta shëndronin Maqedoninë në një pikë të nxehtë ende vazhdojnë të mbeten aktive.
Modeli për të cilin kryeministri është deklaruar se është një ndër më të mirët për Maqedoninë, ka hasur në tone pozitive nga partia e Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).
Këtu në proces do të kemi përplasje të vazhdueshme në mes partnerëve për sa i përket këtij modeli.
Rezultati mund të jetë fatal për Maqedoninë nëse për shkak të dallimeve situata do të dalë jashtë kontrollit.
Maqedonia përveç korrupsionit, klientelizmit pra po ndeshet me një nacionalizëm institucional të promovuar nga qeveritë në Shkup.
Ndërsa për Bashkësinë Ndërkombëtare, është koha të përcaktohet qartë për dinamikën e proceseve në Maqedoni të nisura nga kryeministri Zoran Zaev i cili zbriti në terrenin elektoral shqiptar duke shfrytëzuar marrëveshjen parazgjedhore me BDI.
Përveç kësaj nuk është e qartë se përse kryeministri po përkrah aq fuqishëm partinë e Ahmetit. Kritika të shumta janë adresuar kundër kryeministrit se po përkrah një klasë të korruptuar politikanësh që kanë qeverisur me Nikolla Gruevskin e VMRO-DPMNE-së.
Zgjedhjet në Maqedoni nxorrën në dritë dalllimet e partnerëve të koalicionit për sa i përket shtetit dhe trendeve brenda dhe jashtë.
Kleptokratët vazhdojnë ta nënshtrojnë demokracinë nëpërmes formave të presioneve politike duke i manipuluar edhe proceset zgjedhore.
Maqedonia për gjatë kohë nuk do të jetë në gjendje t’i luftojë këta deformime përderisa ka këtë gjyqësi partiake dhe ideologjike të trashiguara nga sistemi socialist.
Problemet ndëretnike vazhdojnë të lënë vakumin e dëshiruar për kleptokratët.
Maqedonia mund ta humbë këtë betëjë nëse qeveria e re do të vazhdojë që tani të krijojë armiqë.
Situata e krijuar brenda Maqedonisë shkon në disfavor të shtetësisë së diskutueshme të republikës së re dhe ndikon në rritjen e antagonizmave në Maqedoni.