Nga Jusuf Buxhovi- Klithma deri në çirrje rreth zhvillimeve të tanishme anti-shtet të klasës së gjithmbarshme politike, është e drejtë dhe e domosdoshme. Sepse, ajo vjen nga njëri nga ata që i ka takuar brezit intelektual, të cilin historia e ngarkoi me përgjegjësi politike në rrethanat e rrënimit të autonomisë së Kosovës më 23 mars 1989 nga Millosheviqi, që me të drejtë u përjetua ripushtim i Kosovës pas atij të vitit 1945, për t’iu përgjigjur proceseve që në vitin 1990 me Deklaratë Kushtetuese të 2 korrikut dhe Kuvendin e Kaçanikut të 7 shatorit, që çuan te shkëputja nga sundimi serb dhe njëherësh te shpallja e Kosovës Republikë, me organizimin e rezistencës aktive institucionale paqësore e deri te ajo e armatosur në vitet 1998-1999, me të cila iu hap rruga ultima ratios së NATOS nga 24-10 qershor 1999, që Kosovën e çliroi dhe e solli të protektoratit ndërkombëtar, i cili mori fund me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Ky zhvillim historik ndër më të rëndësishmit e këtij shekulli, i koordinuar ngusht me aleatët tanë perëndimorë, veçmas SHBA-të, po rrezikohet dukshëm nga veprimet e papërgjegjshme të fundit të klasës së gjithmbarshme politike të Kosovës, të cilat me bllokimin e konstituimit të Parlamentit të Kosovës dhe veprimet e shumta të paligjshme deri te ato antikushtetuese, jo vetëm që kanë marrë formën-antishtet, por njëherash po sillen në shpërputhje me qendrimet e aleatëve tanë që çliruan Kosovën dhe e vunë në binarë të pandalshëm procesin e shtet-ndërtimit. Kjo sjellje, e sanksionuar tashmë nga aleatët, Kosovën jo vetëm që po e largon nga aleatët tanë perëndimorë, por njëherësh, po rrezikon me pasojat tjera të rënda për fatin e shtetit tonë në rrethanat kur pas ardhjes në pushtet të administratës Trump, priten rirrjeshtime gjeopolitike të paparashikueshme.
Avanturat populiste për një grusht votash, siç ishte vendimi i djeshëm i KQZ-së për mos çertifikimin e Listës Serbe me anatemën e veprimtarisë terroriste (gjë që nuk përjashtohet mundësia që nga individët e saj të ketë edhe veprime të tilla po që ato duhet të vërtetohen nga gjykatat dhe jo me diskualifikime paushalle), Kosovën e ballafaqojnë me vështirësi të tjera në raport me ndërkombëtarët, ndërkohë që thellojnë mosbesimin me minoritetit serb, ndaj të cilit, popullata shumicë ka detyrime që ta mbrojë dhe të përkujdeset që ata të pranojnë shtetin e Kosovës si të tyre…