Nga Akademik Abdylmenaf Bexheti- Rektor i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë

Të dashur miq, ka kohë që jam ,,distancuar” nga postimet, posaçërisht të qëndrimeve politike edhe për arsye objektive ndaj pozitës sime institucionale. Por, kësaj radhe nuk munda të qëndroj indiferent ndaj ,,superioritetit” personal të KM shqiptar- Edi Rama, të cilin e adhuroj dhe e mbështes për shumëçka që ka bërë dhe bën në Shqipërinë tonë të përbashkët. Nuk parapëlqej një superioritet personal në dëm të asaj nacionale! Në lidhje me projektin e tij të adhuruar- ,,Ballkani i Hapur” përgjatë deklaratave të tija publike me shqiptarët gjithandej, si edhe i kam shkruar pse dhe si do ishte i (pa)dobishëm ky projekt. Përparësitë dhe mangësitë e tij, së pari të vihen në peshore kombëtare e më pas në atë regjionale. Kjo temë, për një herë tjetër!

Në lidhje me idenë e këtij qëndrimi, që në fillim të jem i qartë. Absolutisht, jam kundër kushtëzimeve dypalëshe për një proces me epilog anëtarësimi shumëpalësh. Sigurisht që edhe RMV, në bazë të rrethanave dhe raporteve i ka bërë gjitha përpjekjet e mundshme për të arritur në fillimin e negociatave me Brukselin. Tanimë BE-ja ka problem me ,,veten” dhe mekanizmin e vendimmarrjes për zgjerim e cila nuk është në duart tona, si proces. Si RMV ashtu edhe Shqipëria ka disa vite që e kanë merituar fillimin e negociatave për çka shumë personalitete relevante zyrtare të BE-së, përfshirë edhe vet kancelarin gjerman, pa ekuivoke e kanë shprehur këtë qëndrim. Bile ato nuk qëndruan duarkryq! Fatkeqësisht disa nga ata ,,më aktivë” në vitin e fundit ishin po ata që e pengonin para tre vitesh, kur akoma nuk kishte ,,bllokada” specifike. Por kjo është Evropa jokonzistente dhe nuk e kam të qartë se pse duhet të habitemi e aq më pak të frustrohemi?! Nuk diskutohet aftësia retorike e KM-Rama, si dhe çlirimi nga inferioriteti ndaj ndërkombëtarëve, që gjithmonë e kemi adhuruar, shumë prej nesh. Dhe për këtë gjithnjë ka marrë ,,duartrokitjet” tona.

Fjalimet e tij, shpesh edhe argumentet janë briliante, sikur po eliminohen metaforat dhe gafet me përmasa ofenduese. Sjelljet e tija me fjalorin pa fije politeske, të ashpër dhe bile ofendues ndaj BE-së dhe Bullgarisë në veçanti na prekin interesin tonë gjithëkombëtar sepse të gjithëve na ekspozon në risk të panevojshëm politik duke na armiqësuar me shtetet anëtare, e në veçanti me ata që gjithmonë na kanë përkrahur pa hezitime. Mbase e kuptoj frustracionin e tij por nuk mund të arsyetoj fjalorin dhe akuzat ndaj një vendi si Bullgaria që jo këto tre dekada, por pothuaj asnjëherë nuk kanë treguar armiqësi ndaj shqiptarëve! E vlerësoj edhe solidaritetin fqinjësor për një periudhë të caktuar por ama jo të bashkë-flijimit, përgjithmonë pa qenë nevoja për këtë sepse thjesht nuk ndihmon asgjë. Pse avokatinë e tij duhet ta durojë Bullgaria dhe e gjithë BE-ja, bile çuditërisht edhe nën kërcënimin me Rusinë për mbrojtjen e opinionit publik në Serbi, duke shkuar në 80% të mbështetjes së Putinit! Në fjalimin e tij politik më shumë mbrojti Serbinë si viktimë se sa Kosovën. Maqedoninë e ,,vajtoi” shumë më shumë se vet zyrtarët e saj.

Nuk jam aq i sigurt nëse vërtet KM-Rama e njehë konstelacionin dhe arsyet historike të problemit midis Bullgarisë dhe RMV, që të akuzojë vetëm njërën anë. E kuptoj ndjenjën e bashkëvendasëve të mia maqedonase, ndaj atributeve identitare me theks në atë të gjuhës maqedone, por ama se kuptoj si KM-Rama nuk e shehë fobinë maqedonase ndaj gjuhës tonë (të tij dhe timen) shqipe që na e pagëzojnë si, 20 përqindëshit!

Foto: Meta.mk

Ne po “vrvëlitemi” nëpër institucionet tona tash e dy dekada ta zbatojmë atë në kapacitet të avancuar dhe kolegët e mij në Akademi e lëshojnë sallën sa herë që unë filloj të flas shqip! Të mos përmend këtu Enciklopedinë famëkeqe dhe shumëçka tjetër që gjoja e tërhoqën por kurrë nuk e zhbënë siç u soll edhe vendimi. Këshilltarët e KM, duhet t’i sugjerojnë të lexojë analizat dhe kolumnat e kryetarit të Akademisë së Maqedonisë dhe do të kuptojë më mirë filozofinë dhe fobinë e tyre. Nëse, KM Rama, krejt këtë e bëri në emër të progresit të Shqipërisë në këtë proces, pse nuk kërkoi me kohë shkëputje nga Maqedonia e hipotekuar. Nëse tani i iku treni për mos vlerësim të rrezikut në të qenit bashkë me RMV, le të filloj menjëherë me kërkesën për shkëputje dhe qasje individuale në proces ashtu siç edhe BE-ja po e promovon. Duhet ta përkujtojmë KM Rama se shumë zyrtarë të vendit tonë, 2-3 vite më parë kur Shqipërinë e ,,bllokonte” Holanda nuk hezituan të trumpetojnë për shkëputje nga Shqipëria. Pse duhet me kaq ,,përkushtim” të ruhet kjo kurorë e panevojshme ku i gjithë procesi i integrimit është krejt specifik dhe individual për çdo vend. Krejt në fund i dashur KM Rama, argumentet tuaja të radhitura si margaritar në konstatime për BE-në edhe mbajnë, por ama për juve nuk u lejohet dhe nuk mundeni këto ,,aftësi personale”, t’i praktikoni në një proces me rëndësi strategjike kombëtare dhe jo vetëm shtetërore. Shpresoj të reflektoni sa më parë dhe t’i rikuperoni këto turbulenca që po shkaktoni për gjithë shqiptarët! Atë që ju po thoni në retorikë ta zbatojmë në praktikë, t’i bëjmë vendet tona në kuptimin funksional- Evropë dhe nuk do të shembet bota, nëse këtë proces e nisim në këtë apo në qershorin e radhës.

Rinia po na ikë çdo ditë jo pse nuk kemi negociata me Evropën, bile edhe jo vetëm se s’mund të mbijetojnë ekonomikisht këtu, por sepse nuk shohin politikëbërje dhe qeverisje të mirë në vendet tona. Kjo ua zbeh të gjitha perspektivat, fatkeqësisht me të drejtë! Nuk është se opozita në Shqipëri do bëjë më mirë rolin e paternalizmit kombëtar. Historikisht e ka dëshmuar se e ka bërë bile shumë më keq. Kjo rrethanë edhe më shumë na brengos se në këtë plan s’do të vij dikush më i mirë, prandaj duam dhe shpresojmë që Ju, si kryeministër (por edhe si artist) të luani rolin që ju takon e jo ,,big brother-in e mëhallës” në Ballkanin e çoroditur!

Miq të dashur, e zgjata pak, kërkoj falje për kohën tuaj! P.S. Lëshimet eventuale gjuhësore nuk kërkoj të më arsyetohen por të mirëkuptohen si rezultat i teknologjisë së shkrimit teknik.

(Marrë nga postimi i Akademik Abdylmenaf Bexhetit në Facebook)