QANI NUHIU:”NËSE HAPET “KUTIA E PANDORËS” VËSHTIRË SE MBYLLET”

Intervistë me politikologun z.Qani Nuhiu.

Intervistoi Selim Ibraimi nga Instituti i Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit (ISSDMaqedonia)

Do të kisha thënë se ka përçarje përbrenda politikës në Uashington, por edhe përbrenda BE-së në Bruksel. Pasi edhe Uashingtoni edhe Brukseli nuk folin me një zë për këtë çështje. Shembull, kemi divergjenca bredna vetë zyrtarëve amerikanë rreth çështjes së kufinjëve që po tentohet të hapet në relacionet Kosovë-Serbi. Nga ana tjetër edhe Evropa nuk flet me një zë. Kemi në njërën anë Gjermaninë  dhe Britania e Madhe që nuk pajtohen me ndryshimet territoriale Kosovë-Serbi, pasi janë të vetëdijshme për pasojat afatgjata me shtrirje që për momentin as që mund të supozohen, kurse nga ana tjetër kemi Francën, Austrinë diçka më pak Italinë që duket se pajtohen me idenë e ndryshimit  të kufinjëve.

ISSD: Z.Nuhiu, si e vlerësoni debatin për korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë?

Qani Nuhiu: Padyshim, që është e nevojshme arritja e një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimi i një konflikti shumë të gjatë me Serbinë dhe mendoj se kjo është koha kur duhet arritur kjo marrëveshje. Por edhe pëkundër kësaj mendoj se ideja për ndryshimin e kufinjve është e gabuar, e dëmshme dhe si e tillë nuk ofron zgjidhje për problemin. Mendoj se ndryshimi i kufinjve në këtë rast (qoftë edhe nëse vetë palët pajtohen), nuk do të mbetej rast i izoluar, por do të kishte ndikim në rajon dhe më gjërë. Nëse ndryshimi i kufinjve tolerohet në një rast, atëherë cili do të ishte argumenti i diplomacisë ndërkombëtare  për të frenuar tendenca tjera të këtilla në rajon? Pra, ky proces i debatimit rreth kufinjve është shumëfish i rrezikshëm, sepse, si e para në themel do rrëzikohej ideja dhe do të  fillonte falimentimi i vetë idesë për shetete dhe shoqëri multietnike dhe bashkëjtesave të kombeve dhe kulturave të ndryshme, që poashtu është në kundërshtim me filozofinë politke dhe idenë integrimeve e të globalizimit nëpër të cilët hapëron bota moderne e progresit. Gjithashtu do të ishte shumë e rrezikshme edhe për sigurinë e tërë rajonit, konkretisht të Ballkanit Perëndimor, pasi mund të prodhojë konflikte të armatosura, zhvendosje të popullatës dhe tragjedi tjera tashmë që janë  akoma të freskëta për këtë rajon dhe këta njerëz.Më tingëllojnë qesharake, naive dhe jobindëse  pohimet e disa diplomatëve dhe ekspertëve të ndryshëm ndërkombëtar se ky do të ishte rasti i vetëm dhe se nuk do të ketë ndikime në rastet tjera tek shtetet multietnike. Diçka shumë qartë duhet thënë, se, nëse fillohet me ndryshimin e kufinjve kudoqoftë, atëherë dhe futemi në paqartësi dhe pasiguri afatgjate. Futemi në një proces  të rrezikshëm me pasoja tragjike të cilit as nuk dihet e as nuk i shihet fundi.

ISSD: Z.Nuhiu, cilat janë rreziqet për shtetësinë e Kosovës?

Qani Nuhiu: Me vetë faktin që Kosova ka pranuar të debatojë për këtë çështje ka bërë një gabim të madh strategjik. Sepse le përshtypjen se nuk fokusohet mjaftueshëm dhe po dëshmon një pavendosmëri në konsolidimin shtetëror dhe institucional të vetin dhe e tëra kjo ndikon në ngadalësimin e njohjeve të reja nga shtetet tjera dhe anëtrësimin në organizatat ndërkombëtare. Gjithsesi se e defokuson vëmendjen dhe ndikon edhe në moskonsolidimin e  brendshëm institucional të vetë Kosovës.Prandaj mendoj se është do të ishte shumë më e dobishme që energjia e cila harxhohet rreth debatit për ndryshimin e kufinjve të fokusohet rreth konsolidimit të brendshëm të Kosovës dhe procesit të integrimit euro-atlantik.

ISSD: Z.Nuhiu, në mënyrë të veçantë, për të ecur përpara çfarë duhet të bëjnë Kosova dhe Serbia?

Qani Nuhiu:Vazhdimi negociatave të sinqerta dhe transparente dhe me garanca të fuqishme nga Bashkësia Ndërkombëtare. Të definohen qartë dhe përfundimisht çështjet të cilat janë kontestuese në mes të Kosovës dhe Serbisë, me zgjidhje të cilat duhet të jenë pjesë e një marrëveshje më garanca të fuqishme ndërkombëtare e cila do të ishte obligative  për të dyja palët dhe të fokusohen në proceset integruese dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të tyre.

 

ISSD: Z.Nuhiu, çfarë ndikimi gjeopolitik mund të ketë rivendosja e kufijve të rinj për Maqedoninë dhe Bosnjën?

Qani Nuhiu: Nuk mund të  garantojmë se pazarllëqet dhe shkëmbimet territoriale në mes të Serbisë dhe Kosovës nuk do të kenë ndikim në Maqedoni dhe  Bosnjë e Hercegovinë. Nëse figurativisht, thënë hapet “Kutia e Pandorës” vështirë se mbyllet aq shpejt aq lehtë dhe pa pasoja për tërë Ballkanin Perëndimor. Pra, nëse pranohet ndryshimi i kufinjëve në mes të Serbisë dhe Kosovës, pra, indirekt pranohet se nuk është e mundur bashkëjetesa në mes të kombeve, kulturave dhe feve të ndryshme. Pyetja logjike që pason e që do ta parashtronin shumë njerëz dhe opinioni në rajon është kjo: Si është e mundur që në një pjesë të Ballkanit Perëndimor  bashkëjetesa me dallime nuk është e mundur, kurse në pjesët tjera të të njëjtit rajon (Ballkanit Perëndimor), në të njejtën kohë, me mentalitet politik dhe me rrethana të njëjta apo shumë të ngjashme është e mundur !!! ???

ISSD: Z.Nuhiu, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dhënë reagime të ndryshme. A ka ndonjë përçarje midis Uashingtonit dhe Brukselit?

Qani Nuhiu:Unë nuk mendoj se mund të flitet për “përçarje” në mënyrë të përgjithësuar në mes të Uashingtonit dhe Brukselit. Para do të kisha thënë se ka përçarje përbrenda politikës në Uashington, por edhe përbrenda BE-së në Bruksel. Pasi edhe Uashingtoni edhe Brukseli nuk folin me një zë për këtë çështje. Shembull, kemi divergjenca bredna vetë zyrtarëve amerikanë rreth çështjes së kufinjëve që po tentohet të hapet në relacionet Kosovë-Serbi. Nga ana tjetër edhe Evropa nuk flet me një zë. Kemi në njërën anë Gjermaninë  dhe Britania e Madhe që nuk pajtohen me ndryshimet territoriale Kosovë-Serbi pasi janë të vetëdijshme për pasojat afatgjata me shtrirje që për momentin as që mund të supozohen , kurse nga ana tjetër kemi Francën, Austrinë diçka më pak Italinë që duket se pajtohen me idenë e ndryshimit të kufnjëve. Pra ideja e ndryshimeve të kufinjëve e rrezikon edhe politikën unike edhe të vetë Unionit  Evropian.

ISSD: Z.Nuhiu, si e shihni të ardhmen e Ballkanit?

Qani Nuhiu: Nëse  tejkalohen me sukses e pa pasoja debatet e dëmshme rreth ndryshimit të kufirit Kosovë-Serbi, unë Ballkanin e shoh si “histori” të suksesshme, të integruar  në NATO dhe BE, me shtete e institucione të konsoliduara e stabile  e me perspektivë për një jetë më  cilësore për të gjithë qytetarët e Ballkanit, të cilët për momentin  nuk shohin ardhmëri  dhe janë të preokupuar  vetëm si të largohen nga ky rajon.

 

Shënim:

Ndalohet  përdorimi i gjuhës së urrejtjes së çfarëdo natyre.
Bordi redaksional rezervon të drejtën të redaktojë dhe të mos publikojë materiale që shkelin të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, shtypin e lirë, integritetin individual, etnik, gjinor dhe social.
Publikimi i intervistave dhe i analizave ka për qëllim përpunimin e çështjeve me karakter social, ndëretnik, ekonomik, politik dhe të sigurisë në interes të qytetarëve.
Parandalimi i krizave të brendshme dhe të jashtme nëpërmjet platformave dhe mediave neutrale, të balancuara, të ndershme dhe objektive, është një nga prioritetet e programeve tona të Ndërtimit të Paqes, Menaxhimit të Konflikteve, Sundimit të Ligjit dhe programeve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Pikëpamjet e autorëve dhe të ekspertëve të jashtëm jo gjithëherë pasqyrojnë linjën dhe politikën redaksionale të ISSDMaqedonia. Ju lutemi, nëse vendosni të botoni materialet tona të institutit, shkruani burimin dhe autorin e analizës.