SELIM IBRAIMI- INSTITUTI I STUDIMEVE TË SIGURISË DHE ZHVILLIMIT-
Zëvendës presidenti amerikan Mike Pence në një letër dërguar kryeministrit Zoran Zaev ka mbështetur rrugën euroatlantike të Maqedonisë duke përshëndetur nismën për ndryshimet kushtetuese.
Lideri i VMRO-DPMNE-së Kistjan Mickovski në një postin në rrjetet sociale tha se Republika e Maqedonisë është duke hyrë në një krizë sociale, ekonomike dhe politike. “Pamundësia për të menaxhuar proceset politike, e të japë rezultatet e premtuara dhe të nevojshme nga qytetarët, qeveria dhe Zaevi e shtynë vendin në një krizë më të madhe dhe më të rrezikshme”.
Ndërkohë qeveria i ka hudhur poshtë kërkesat e opozitës maqedonase për zgjedhje të parakohëshme sipas kushtëzimeve të Mickovskit. Një zyrtatë i lartë i VMRO-së tha për mediat se partia e tij po përgatitet për zgjedhje dhe ata do të votojnë kundër ndryshimeve kushtetuese.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e Ali Ahmetit, aktualisht është deklaruar kundër zgjedhjeve “Snap” përshkak të polarizimeve në terren. Sipas deklarimeve partiake do të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që ndryshimet kushtetuese të ndodhin në parlament, dhe e fundit, gjithnjë duke lënë hapur mundësinë për shkuarje edhe në zgjedhje. Sipas njoftimve jo zyrtare, BDI është këshilluar nga amerikanët që të mos e sforcojë opinion për zgjedhje.
Për më shumë, partia më e madhe opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës po bën një kthesë të dukshme në kërkesat për ndryshimin e pozitës së shqiptarëve të Maqedonisë duke paralajmëruar amandamente shtesë gjatë hapjes së Kushtetutës së Maqedonisë.
Ky është një potez politik që e ndihmon Aleancën jo vetëm para elektoratit të gjërë shqiptarë por edhe para faktorit ndërkombëtar në Maqedoni. Amerikanët në Maqedoni tani po zgjohen, pas rezultatit të zbehtë që doli nga referendumi dhe kanë filluar ta ndryshojnë qasjen ndaj opozitës shqiptare duke e konsideruar rëndësinë që ka ASH-ja në skenën politike shqiptare dhe në elektorat në momente vemdimtare.
BDI-ja ka arritur për një kohë që nga viti 2002 ta mbulojë dhe dominojë të gjithë hapësirën ku është vendosur e ardhmja e Maqedonisë, veçse referendumi shpalosi vijën e saj të moçme të nisjes dhe mos përfundimit të proceseve. Edhe pse Ambasada Amerikane e përshëndeti procesin e referendumit, përsëri vërehej dëshpërimi tek amerikanët për rolin e jorezistent të partive qeveritare në referendum.
SHBA dhe BE duke u bazuar në vlerësimet e partive shqiptare dhe qeverisë, mendonin për fitore dhe mbi 50 përqind dalje të qytetarëve të Maqedonisë gjatë ditës së mbatjes së referendumit. Mirëpo kjo nuk ndodhi dhe ishte një farë turpi për ndërkombëtarët pas gjithë zbarkimit diplomatik që bënë në Maqedoni para 30 shtatorit që qeveria të angazhohet plotësisht në motivimin e banorëve të Maqedonisë dhe testi i parë të përfundojë më sukses.
Janë hapur disa dilema se mos vallë e kaluara ndëretnike ka luajtur rol në rezultatin përfundimtar duke përfshirë këtu edhe makiavelizmin e partive qeveritare shqiptare në proces. Dilema do të vazhdojë deri në shpalljen apo jo të zgjedhjeve të parakohëshme, ku mjegulla politike e këtij viti ka gjasa të shumta të vazhdojë në 2019-të. Polarizimi në Maqedoni shfaqet në kohën e ndërrime të mëdha, dhe në momentet kur Prokuroria Speciale ka hapur disa lëndë të reja gjyqësore për zyrtatë të lartë qeveritarë.
Shkuarja në zgjedhje nxjerr shumë pikëpyetje për vetë kryeministrin, fati politik i të cilit është i lidhur ngushtë me ndryshimet kushtetutese. Në qarqet diplomatike vlerësohet se atë mund ta zëvendësojë Nikolla Dimitrovi, i cili do të pranohej lehtë nga amerikanët në Maqedoni. A do ta lejohet nga SHBA që Maqedonia të kthehet në një zonë turbulente të fuqive të jashtme? Kjo do të shihet këtë vit deri në mbylljen apo jo të ndryshimeve kushtetuese dhe hyrjen e Maqedonisë në NATO.
Në grupin e kombeve moderne me këtë mentalitet politik, klasa politke e Shkupit do ta ketë të vështirë të pranojë realitetin europian. Për shqiptarët e Maqedonisë, parahyrja në familjen europiane të vendit duhet të shfrytëzohet me forcimin e kapaciteteve demokratike dhe ndryshim thelbësor të statusit juridik pa të cilin Maqedonia do të vazhdojë të mbetet jashtë BE-së. Në këtë shtëpi të re shqiptarët mund të luajnë disa karta duke e pasur një “joker” të rëndësishëm e që duhet luajtur kur duhet. Për më shumë, qindra të rinjë të dëshpëruar nga premtimet e politikanëve të Maqedonisë po largohen drejt shteteve të BE-së. @selimibraimi @CSSDMacedonia
Shënim :
Ndalohet përdorimi i gjuhës së urrejtjes së çfarëdo natyre.
Bordi redaksional rezervon të drejtën të redaktojë dhe të mos publikojë materiale që shkelin të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, shtypin e lirë, integritetin individual, etnik, gjinor dhe social.
Publikimi i intervistave dhe i analizave ka për qëllim përpunimin e çështjeve me karakter social, ndëretnik, ekonomik, politik dhe të sigurisë në interes të qytetarëve.
Parandalimi i krizave të brendshme dhe të jashtme nëpërmjet platformave dhe mediave neutrale, të balancuara, të ndershme dhe objektive, është një nga prioritetet e programeve tona të Ndërtimit të Paqes, Menaxhimit të Konflikteve, Sundimit të Ligjit dhe programeve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Pikëpamjet e autorëve dhe të ekspertëve të jashtëm jo gjithëherë pasqyrojnë linjën dhe politikën redaksionale të ISSDMaqedonia.