SELIM IBRAIMI- Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ndodhet në Uashington ku po takohet me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, senatorë dhe kongresemenë që kanë peshë në zhvillimet në Evropë dhe në Ballkan.
Ideja fillestare e z.Thaçi në këtë verë lidhej me kufijtë e Kosovës e cila më pas nga reagimet e brendshme dhe të jashtme ndryshoi në demarkacion në mes dy shteteve dhe në fund të gushtit u lidhë me normalizimin e marrëdhënieve në mes Prishtinës dhe Beogradit për një integrim më të shpejtë në Bashkimin Evropian.
Bashkimi Evropian këtë ide padyshim si të tillë dhe të papërpunuar mirë me shumë lehtësi e ka pranuar, pasi me këtë Beogradit pothuajse tërthorazi i përmbushen objektivat historike të copëtimit të Kosovës dhe bërjes shtet jo- funksional.
Burokracia e BE-së ka një fjalorë tipik dhe të zakonshëm për problemet e Ballkanit, andaj si plan është i pranueshëm për elitën evropiane në Bruksel dhe Strazburg, por me këtë gjuhë nuk pajtohet Berlini.
Me idenë e z. Thaçi dhe të Vuçiçit në një shkallë të konsiderueshme për çudi ka shfaqur pajtueshmëri Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare.Të gjithë deklarohen se marrëveshja eventuale do ta lehtësojë të kaluarën e popujve dhe do të rritet stabiliteti i rajonit.
Zhvillimi i idesë së normalizimit dhe dominimi i retorikës së kufjve bashkë me shkëmbimet e territorit në mes Serbisë dhe Kosovës, është një kapital i pa analizuar mirë se çka paraqet për Kosovën saktë ky normalizim. Në rast se historia e kufijve në Ballkan i ka përcjellur kombet me shumë pasoja dhe tragjedi të shpërnguljes së popullatës për shërbime të interesave të Fuqive të Mëdha dhe politikave shoveniste kombëtare, atëherë ideja e normalizmit mund të shpie në një marrëveshje që Kosova do të përfundonte me siguri pa veriun dhe burimet bazë dhe strategjike shtetërore.
Andaj, pasi presidenti Thaçi i ka hyrë kësaj çështje kaq të ndejshme mbetet në vazhdim që plani kosovarë të përmirësohet dhe t’i përmbajë elementet kryesore të pavarësisë dhe të integritetit territorial.
Kur jemi tek territori dhe kufijtë, Serbia nuk është e interesuar që të nënshkruajë një marrëveshje me palën kosovare për normalizim dhe me mbështeteje nga Uashingtoni, në qoftë se veriu do të mbetet nën sovranitetin e Prishtinës, por synon që ta bëjë objekt bisedimesh pikërisht veriun dhe shkëputjen në tërrësi nga Kosova. Me siguri se presidenca në Prishtinë dhe këshilltarët i kanë peshuar këto dilema.
Nuk do të jetë fitore për Kosovën në rast se nënshkruhet një marrëveshje e cila do ta linte Prishtinën nën ombrellën serbe të menazhimit të pasurive dhe bllokimit të njohjve e anëtarësimt në organizatat ndërkombëtare. Nuk ka garancione në marrëdhëniet ndërkombëtare se një shtet do të sillet mirë me një shtet tjetër apo me fqinjtë.Presidenti Thaçi ka dekaluar se më këtë marrëveshje Kosovës i hapen shumë mundësi duke filluar nga OKB-ja…
A mund të këmbehen këto anëtarësime me një ide apo plan që nuk është i definuar mirë? A do të mbetet Kosova në fund në kufijë aktual? A është e interesuar Serbia që t’i lë serbët e veriut as nën juridiksionin e Kosovës dhe as në të qeverisë serbe? Në fund a ka arsye Kosova t’i hyjë çështjes së kufirit duke shkuar në nivel të daljes jashtë kornizave të planeve që kërkojë analiza dhe kuptim të qartë të korrigjimit?
Ideja publikisht po mbështetet nga Uashingtoni në emër të ecjes përpara dhe stabilitetit rajonal.Pasi kërkesa ka ardhur nga presidenti Thaçi dhe e pëlqyer nga Vuçiçi, pahamendje duke i zbavitur Fuqitë e Mëdha me plane, e bëjnë BALLKANIN NJË BIZNES DIPLOMATËSH. Se kush do të fitojë mbetet të shihet nëse plani do të vihet në tryezë dhe zbatim nga Kosova dhe Serbia, pasi aktualisht këtë ide nuk po e pengon kush më.
Definimi i normalizimit, demarkacionit dhe korrigjimit, thjeshtë nuk është veçuar nga abstrakcioni individual i liderëve. Me siguri në të njëtën kohë, pala kosovare do të dalë gjatë vitit 2019 me një bazë të qartë se ku do të mbetet kufiri i Kosovës në fund të marrëveshjes për normalizim.Nëse marrëveshja nuk do të prekë asnjë metër të territorit të Kosovës, atëherë plani dhe ideja e presidentit Thaçi duhet mbështetur nga popullata dhe organet e Kosovës, por dihet se zakonisht kompromiset në Ballkan kanë qenë të dhimbshme. (ISSDMaqedonia @CSSDMacedonia)
Shënim:
Ndalohet përdorimi i gjuhës së urrejtjes së çfarëdo natyre. Bordi redaksional rezervon të drejtën të redaktojë dhe të mos publikojë materiale që shkelin të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, shtypin e lirë, integritetin individual, etnik, gjinor dhe social.
Publikimi i intervistave dhe i analizave ka për qëllim përpunimin e çështjeve me karakter social, ndëretnik, ekonomik, politik dhe të sigurisë në interes të qytetarëve.
Parandalimi i krizave të brendshme dhe të jashtme nëpërmjet platformave dhe mediave neutrale, të balancuara, të ndershme dhe objektive, është një nga prioritetet e programeve tona të Ndërtimit të Paqes, Menaxhimit të Konflikteve, Sundimit të Ligjit dhe programeve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Pikëpamjet e autorëve dhe të ekspertëve të jashtëm jo gjithëherë pasqyrojnë linjën dhe politikën redaksionale të ISSDMaqedonia.