Home / EU, the Balkans, Eastern Europe/ Russia, Turkey / Për abetaren, së pari t’i drejtojmë kritikat ndaj Ahmetit dhe ministrave të tij

Për abetaren, së pari t’i drejtojmë kritikat ndaj Ahmetit dhe ministrave të tij

Koment nga Dr. Selim Ibraimi- Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka përshëndetur ABETAREN E PARË TË UNIFIKUAR. Ai në një postim në FB e ka quajtur abetaren e përbashkët si krijesë e bashkimit të vullneteve të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, për të gjithë fëmijët shqiptarë këtej e andej bjeshkëve, e kudo ata ndodhen.

Pas vitit 1991, kjo është një ndërmarrje e vështirë, e suksesshme dhe pavarësisht se mund të quhet e vonuar, dhe me disa mangësi, duhet mbështetur. Kritikë të ndryshëm kanë akuzuar qeverinë në Tiranë për mungesë përgjegjësie për mos përfshirjen në këtë projekt të shqiptarëve të Maqedonisë Veriore. Mirë, le të themi se Tirana zyrtare dhe Prishtina i kanë fajet, por para se të kritikojmë të tjerët është mirë si shqiptarë të Maqedonisë Veriore t’i kthehemi vetes, se ku qëndron problemi. Dhe shumë lehtë mund të themi se nuk është as në Kosovë dhe në Shqipëri, por çështja e mos përfshirjes së shqiptarëve të Maqedonisë Veriore në këtë projekt mbarëkombëtar qëndron tek partia e Ali Ahmetit BDI, e cila është në qeveri që nga viti 2002, pra është tek selia në Reçicë të Tetovës, aty ku nuk ka as ujë dhe perspektivë, po mund të shohësh diçka tjetër.

Siç dihet ministra të Arsimit, partia në pushtet BDI ka pasur plot dhe për më shumë, ose thënë shkurt, Ahmeti dhe djemtë e tij të rinj në qeveri nuk kanë qenë të interesuar për këtë nismë të ABETARES SË PËRBASHKËT, sepse vetë “nisma bie ndesh me interesat shtetërore maqedone”. Dhe kur jemi tek interesat shtetërore, Ahmeti dhe shumë të tjerë, ABETAREN shumë lehtë mund ta lënë të qëndrojë si projekt fushatash zgjedhore, për patriotizëm televiziv dhe kur ndonjë herë mblidhen si shokë në odat e vjetra për të vajtuar me këngë kreshnike ose thurrë duhan.

  • Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në mesin e rapsodëve. Sharki, folklor dhe politikë

Kryeministri Rama shumë qartë e thotë se abetarja është krijesë e bashkimit të vullneteve të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës”. Këtu qeveria e Maqedonisë Veriore nuk mund të merr pjesë, pasi është në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e shtetit maqedon, ku partia e Ahmetit dhe të tjerët janë formalisht në pozita dhe nuk vendosin për interesat shtetërore. Dhe kur dihet se Shkupi zyrtarë nuk respekton asnjë “KARTË TË GJUHËVE”, tani e tutje, kritikat duhet t’i adresojmë drejt BDI-së së Ahmetit, ministrave të tij, dhe sigurisht edhe ndaj mbështetësve të politikave të tij. Ose për arsye të pozitës që partia e tij e ka në Shkup, as edhe duhet këshilluar se nga ai dëshiron të shkojë dhe cilën anë të mbajë. (29.8.2022)

About Admin