Nga Selim Ibraimi  

Hyrje

Ministri i Jashtëm i Federatës Ruse Sergei Lavrov vizitoi Beogradin të mërkurën duke e  forcuar edhe më shumë aleancën e vjetër 180 vjeçare në mes Rusisë dhe Serbisë.

Të dyja vendet vendosën lidhje në vitin 1838 duke i zhvilluar më tej marrëdhëniet  diplomatike në vitin 1940 në mes BRSS së atëhershme dhe ish Mbretërisë së Jugosllavisë. Raportet e mira serbo-ruse vazhduan edhe pas shkatërrimit të komunizmit.

Një fazë tjetër i parapriu aleancës së sotme serbo-ruse dhe kjo ndërlidhet me ndihmën që dha Perandoria Ruse për trupat ushtarake serbe të drejtuara nga udhëheqësi serb nga Shumadia i quajtur Karagjorgji.

Pasi në fund të vitit 1806 Perandoria Osmane u bashkua me Francën e Napoleon Bonapartës dhe u sulmua po në të njëtën kohë nga Rusia dhe Anglia, Karagjorgji i Serbisë kërkoi nga Rusia tua plotësonte kërkesat rebelëve serbë të cilët ishin çuar kundër forcave osmane.

Rusia e cila kishte fituar statusin e një perandorie të fuqishme, në atë kohë, ju ofroi ndihmë dhe bashkëpunim serbëve.

Serbia e cila nuk ishte fuqi rajonale e pranoi ofertën e Rusisë mbi autonominë nën osmanët e që më pas u definua me marrëveshjen e quajtur “Paqja e Içkos” dhe paralelisht nënshkroi një aleancë me Perandorinë Ruse në vitin 1807.

Analizë

Dekada e dytë e shekullit XXI nuk e ulur interesin rus për Serbinë dhe Gadishullin Ballkanik.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Serbisë mbi 70 traktate bilaterale, marrëveshje dhe protokolle janë nënshkruar në mes dy shteteve duke filluar nga ekonomia, armatimi dhe burimet energjetike.

Vizita e së mërkurës e ministrit të Jashtëm të Rusisë Sergei Lavrov, riafirmoi edhe njëherë aleancën e përhershme në mes të Serbisë dhe Rusisë.

BE, Komisioni Europian, tani e tutje do të vazhdojë të mendojë më shumë rreth zbutjes së kritereve europiane ndaj Serbisë.

Në një farë shkalle, vizita e fundit e Lavrovit do ta rrisë edhe më shumë interesimin e SHBA-së për Serbinë, sepse pa një Serbi qoftë edhe jo aq perëndimore, SHBA do të ishte e pafuqishme për të vazhduar ndikimin e saj të plotë në Ballkan.

Në fakt, pas 20 viteve, Serbia nga një shtet që shkakëtonte probleme dhe luftëra me fqinjtë , po kthehet në një vend ku BE dhe SHBA dëshirojnë t’i maksimizojnë qëllimet e tyre.

E para, BE po bën përpjekje që ta zvogëlojë influencën turke, por për sa i përket ndërhyrjeve ruse në Ballkan, Brukseli zyrtar është treguar i butë dhe duke vazhduar të njëjtën politikë edhe me Serbinë.

Uashingtoni si duket do të fillojë një diplomaci të re me Beogradin dhe jo më atë të shkopit por vetëm të karrotave.

Gjatë takimit të fundit në Beograd, Vuçiçi dhe Lavrovi kanë shkëmbyer letra sekrete.

“Serbia nuk do të ndryshojë politikën e saj ndaj Rusisë dhe nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë,” tha Aleksandër Vuçiçi pas takimit me ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov.

“Serbia do të vazhdojë të ndjekë politikat e saj dhe ne presim mirëkuptim nga BE, nëse jo -Serbia është një vend i pavarur dhe i lirë”- tha Aleksandër Vuçiçi.

Serbia vend i shtatë milion banorëve po bëhet përsëri si nyja e dikurshme jugosllave, e një rëndësie strategjike duke thithur fonde nga jashtë në emër të sigurisë europiane dhe amerikane.

Sipas burimeve tregtare, Rusia është tregu i katërt më i madh i eksportit të Serbisë pas Gjermanisë, Italisë dhe Bosnjës.

Por, 881.3 milion euro e barabartë me 1.1 miliardë dollarë amerikanë të importeve, janë të pakta nga gati 10 miliardë euro në mallra që Serbia i plason në tregjet e shteteve anëtare të BE-së.

Ministri Lavrov e përshëndeti qëndrimin e Serbisë ndaj Rusisë, duke thënë se “vendet e rajonit nuk duhet të detyrohen të bëjnë zgjedhje të rreme midis Perëndimit dhe Lindjes”.

Tani ka shumë gjasa që shtetet tjera të W B6 të pësojnë nga politikat e BE –së për sa i përket diplomacisë së karrotave perëndimore vetëm për Beogradin.

Serbia me potencialin e saj dhe miqtë në organizatat ndërkombëtare, ka ndikuar shumë procese në Ballkan, duke filluar me Kosovën në pjesën veriore, Bosnjën dhe në një farë mase në Mal të Zi.

Politika e Perëndimit, përkundër investimeve nuk ka dhanë rezultate pozitive në opinionin e banorëve të Serbisë por edhe të shteteve tjera të Ballkanit duke përfshirë këtu Maqedoninë.

Zyrtarisht Serbia vazhdon të jetë neutrale ushtarakisht dhe ka refuzuar t’ju bashkohet sanksioneve ndërkombëtare të Perëndimit kundër Rusisë.

Nga ana tjetër, Serbia ka nënshkruar “Planin e Veprimit për Partneritet Individual” me NATO-n më 2015 dhe mbetet e angazhuar për të hyrë në BE.

Vuqiqi e vizitoi Moskën në dhjetor të vitit të kaluar duke negociuar marrëveshje të rëndësishme. Njoftohet se delegacionet negociuan qasjen e Serbisë në tregjet e BE-së, të naftës dhe gazit rus. Vuçiçi la të hapur mundësinë e blerjes së helikopterëve të transportit nga Rusia por hodhi poshtë pyetjet rreth marrëveshjes së përfolur për tanke dhe automjete të blinduara, ose sistemet e mbrojtjes ajrore S-300. Sistemet raketore S-300 do ta favorizonin Serbinë në rajon duke e bërë ushtarakisht më të fortë se çdo shtet tjetër fqinjë.

Gara për armatim lë hapësirë për konflikt të armatosur në të ardhmen në Ballkan.

Megjithatë mbetet të shihet se kush do t’i fitojë zemrat dhe mendjet e banorëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

BE me SHBA që po investojnë me vite në Serbi -apo shtetet që kanë lidhje tradicionale e historike me Ballkanin?

Diplomatë të lartë të BE-së do t’i vizitojnë disa shtete të WB6, por pa një strategji afatgjate për katërshen që nuk u përfshi në planin e BE-së deri në 2025.

 

 

ISSDMACEDONIA
2018