SELIM IBRAIMI –INSTITUTI PËR STUDIME TË SIGURISË DHE ZHVILLIMIT
Zgjedhje po mbahen në Bosnjë, një ditë shumë e rëndësishme për federatën dhe Ballkanin. Në Letoni “Partia e Harmonisë”, një parti pro-ruse ka kryesuar anketat dhe është në epërsi. Koalicioni i deritashëm qeverisës ka humbur shumicën në zgjedhjet kombëtare të Letonisë.
Në Maqedoni, referendumi hapi një hendek të thellë dhe kundërshtim të rezultatit përfundimtar midis opozitës dhe qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev. Shqiptarët e Maqedonisë votuan për referendumin, maqedonasit në përgjithësi e bojkotuan, duke konsideruar Marrëveshjen e Prespës-si tradhëti kombëtare dhe humbje të identitetit.
Dalja ishte mbi 36% nga trupi i përgjithshëm votues dhe referendumi nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor u vlerësua si jo valid.
Ashtu si në Bosnjë ku politikat nacionaliste dhe populiste kanë përhapur mosbesim ndëretnik, në Maqedoni papritur referendumi krijoi një situatë të re tensioni dhe të pasigurisë.
Kur mendohej se referendumi do të kishte mbështetje të fortë popullore, rezultati ishte i pakënaqshëm për të bindur opozitën maqedonase se Marrëveshja e Prespës nuk dëmton interesat kombëtare të maqedonasëve.
Dalja e zbehtë në referendum ishte një shkas që opozita maqedonase të bëhet më agresive ndaj qeverisë.Megjithatë, votuesit shqiptarë duke pasur parasysh orentimin perëndimor i dhanë një mbështetje të duhur procesit euroatlantik.
Bllokada eventuale nga shqiptarët e Maqedonisë do të shpinte drejt një kaosi të paimagjinuar. Ndërsa vakumi i krijuar pas referendumit, kryesisht është i hapur për manovrime jo vetëm nga partitë politike, por edhe nga fuqitë jashtë Ballkanit.Rusët në një farë shkalle punuan për t’i arritur disa objektiva në Maqedoni. Njëkohësisht edhe ShBA dhe BE nëpërmes misionarëve u munduan të ndikojnë në procesin e nisur nga qeveria. Aktualisht nuk dihet se cila nga fuqitë e huaja është në epërsi në Maqedoni.
Situata aktuale në Ballkan dhe në Maqedoni mund të përkeqësohet vetëm nga trazirat e brendshme dhe pakënaqësitë etnike që mund të shfrytëzohen lehtë nga të gjithë. Në Maqedoni fërkimet politike gjithnjë mbajnë një rrezik të përhershëm që të zbersin në terrenin ndëretnik. Për më shumë, zyrtarë të lartë të BE-së kanë shfaqur drojë për rrëshqitjen e rajonit drejt një krize të re.
“Nëse, në peizazhin shumë kompleks të Europës, përshtypja është se nuk jemi serioz në sigurimin e një perspektive për anëtarësimin në BE të Ballkanit Perëndimor, atëherë mund të shohim më vonë – dhe ndoshta edhe më shpejt – atë që pamë në Ballkan gjatë viteve të 90-ta“, tha Juncker në një fjalim në parlamentin austriak.
Maqedonia për të ruajtur stabilitetin e brendshëm, duhet të kërkojë nga NATO ose OKB-ja që të zbarkojnë me forca paqëruajtëse për të mbështetur proceset e mirëbesimit ndëretnik dhe paralelisht për t’i rritur kapacitet demokratike. Diplomacia preventive që nga pavarësia është treguar efikase në Maqedoni.
Nga Ohri e deri në Kumanovë ushtarë të forcave aleate do të shpërndaheshin për të parandaluar shkallëzimin e mundshëm ndëretnik dhe në të njëtën kohë misioni do të kishte efekte mbrojtëse për Maqedoninë në shkallë kombëtare.
Maqedonia që nga pavarësia ka pasur përvojë me forcat paqëruajtëse ndërkombëtare, duke filluar me forcat e UNPREDEP-it, forcat ushtarake amerikane, misionet ”Dhelpëra e Kuqrremtë”, “Korrja e Domosdoshme”etj.
Ndoshta fillimisht duket pak herët të flitet për këtë lloj operacioni ndërkombëtar por, është i domosdoshëm për Maqedoninë e brishtë e cila është bërë arenë dhe poligon në mes Fuqive të Mëdha dhe aktorëve tjerë. Ky veprim nuk do të dukej mirë për qeverinë, por duhet vlerësuar si thelbësore për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Maqedoni dhe në Ballkan.