Ndërveprimi i faktorit etnik në performancën e qeverisë së Maqedonisë së V.

Nga Selim IbraimiGjashtë muaj pas formimit të qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut mes VMRO-së dhe partive shqiptare që formuan VLEN-in, dilemat për arritjet kryesore të koalicionit të ri vazhdojnë. Le të fillojmë me ndryshimet kushtetuese të cilat janë pengesat kryesore për Maqedoninë e Veriut për të hapur kapitujt për anëtarësim në BE. Qeveria e re nuk është gati për ndryshimet kushtetuese, një lëvizje që e pret Bullgaria dhe BE. Qeveria e kryeministrit Hristijan Mickoski kërkon më shumë siguri nga Sofja dhe Brukseli se nuk do të ketë pengesa të tjera nga Bullgaria. Viti 2025 mund të jetë një vit që Maqedonia e Veriut të lëvizë qartë në këtë drejtim, por mbetet të shihet. Partitë shqiptare të VLEN-it të cilat kryesisht kanë qenë në qeveritë e kaluara (LSDM-BDI), janë në pritje të VMRO-së. VLEN-i deri më tani edhe pse pjesë e qeverisë, nuk është në gjendje të formulojë dhe zbatojë çështje të politikës së jashtme. Për sa i përket sundimit të ligjit, disa arrestime janë në proces dhe kërkojnë kohë për të parë se si do të ecë përpara kursi i fushatës qeveritare kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në rastet e korrupsionit, ish- zv. kryeministri nga radhët e BDI-së Artan Grubi dhe anëtarët tjerë të mëparshëm të qeverisë BDI-LSDM janë akuzuar nga Departamenti i Shtetit për ndërhyrje në gjyqësorë. Po ashtu, autoritetet maqedonase kanë hapur raste ndaj ish-zyrtarëve të cilët ende nuk janë arrestuar. Në sistemin shëndetësor ka pasur shumë ankesa nga qytetarët dhe vdekje në Spitalin e fëmijëve. Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë përkundër shumë premtimeve se do t’i shikojnë rastet, nuk kanë lëvizur nga gjendja e mjerueshme. Sistemi i kujdesit shëndetësor ka qenë në një situatë të rëndë edhe në qeveritë e kaluara. Në fushën e marrëdhënieve ndëretnike, situata nuk është stabile. Gjykata Kushtetuese është një proces për të diskutuar ligjin e gjuhës ku në shënjestër është gjuha shqipe që nuk është plotësisht zyrtare. Opozita kryesisht shqiptare BDI, ka akuzuar VLEN-in dhe kryeministrin Mickoski për tendenca të destabilizimit të vendit. VLEN-i i ka mohuar dhe është kundërpërgjigjur me akuza të stilit të njëjtë. Pas gjatë muajsh qeverisje, vazhdon loja e njëjtë mes partive shqiptare. Asgjë të re për shqiptarët. VLEN-i dhe BDI-ja së fundmi kanë hyrë në një debat për himnin që duhet të këndohet nga të gjithë nxënësit, pavarësisht përkatësisë etnike. Ligji i propozuar nxori në pah dallimet e mëdha në mes grupeve etnike. Sipas opozitës shqiptare, zyrtarët e VLEN-it së bashku me Ministrinë e Arsimit e propozuan ligjin. Ligji për ish- luftëtarët e 2001, gjithashtu hapi një plagë të vjetër të pa zgjidhur për ish -kryengritësit shqiptarë. Ligji i ri përplasi drejtuesit politikë shqiptarë. Debatet që ende nuk kanë përfunduar, kanë sjellë fërkime ndëretnike. Po ashtu situata ekonomike është në të njëjtin nivel pa tregues të rritjes së ekonomisë dhe prosperitetit. Në politikën e jashtme, qeveria e re po qëndron afër Serbisë, ashtu njëjtë si ish- qeveria LSDM-BDI. Në sferën shqiptare, që nga rrëzimi i BDI-së, nuk shihen ndryshime rrënjësore për sa i përket statusit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Në burgje vazhdojnë të qëndrojnë njerëz të dënuar nga gjykatat etnike. Ekziston drojë se VLEN-i, sipas dinamikës aktuale po shkon rrugës së BDI-së duke e mbështetur nepotizmin dhe mos lëvizur asgjë në qeverinë qendrore. Në raport me partnerin e koalicionit VMRO-DPMENE, vëzhguesit thonë se VLEN-i ashtu si të gjitha partitë shqiptare në ish- qeveritë maqedonase nuk ka forcë të vendimmarrjes politike dhe ekonomike. Është bërë rutinë për VLEN-in dhe BDI-në që të merren me akuza të njëjta. VLEN-i si duket po qëndron jashtë realitetit të qeverisjes, sikurse partitë tjera shqiptare dikur, përfshirë BDI-në. Në fund, largimi i BDI-së dhe zëvendësimi i vakumit me VLEN-in, ishte proces i domosdoshëm, por në shikim afatgjatë skena politike shqiptare duhet të riformatohet, përarsye të kapaciteteve të dobëta të VLEN-it në qeverinë e Mickoskit. Si zakonisht liderët e VLEN -it dhe të Frontit Evropian japin premtime për vitin e ardhshëm, por vështirë se do të mund të bëjnë më shumë.

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.