Nga Selim Ibraimi- Një muaj më parë kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski tha se asgjë nuk mund të bëhet me diktat. Tashmë numri prej 80 deputetësh për të miratuar ndryshimet kushtetuese nuk është në diskutim. Mickoski ka plane të tjera. Ai shpreson në një fitore të mundshme të Donald Trampit, dhe lobimin në Kongres, Departament të Shtetit, dhe jashtë D.C., p.sh. me Richard Grenellin (në dy takimet e fundit), që duke i bërë presion Sofjes zyrtare nga administrata e mundshme e Tramp-it, Bullgaria të pranojë një kornizë të re. Shihet se gjasat janë të vogla që këtë vit të ketë ndryshime kushtetuese. Në heshtje Mickoski beson se viti 2025 është koha kur Bullgaria duhet të mposhtet. VLEN, i cili përbëhet nga disa parti shqiptare që tani janë pjesë e qeverisë së Mickoskit, kishte sugjeruar një linjë tjetër që Sofja zyrtare e ka refuzuar aktualisht. VLEN-i së fundi është pajtuar edhe me politikën e Mickoskit në lidhje me ndryshimet kushtetuese. Kohë më parë, kryeministri Hristijan Mickoski u takua me përfaqësues financiarë nga SHBA-ja. Të gjitha korporatat amerikane bashkë me zyrtarët janë aktorë globalë të digjitalizimit dhe mbështetës të Trampit. Mickoski, pavarësisht nga grindjet e brendshme politike dhe fërkimet me Sofjen dhe Athinën, do të ketë mbështetje të madhe në Uashington nga grupet e interesit të krahut të djathtë dhe administrata aktuale dhe e ardhshme. Në një pozitë të pafavorshme aktualisht paraqitet VLEN-i, ndërsa opozita shqiptare në krye me Ali Ahmetin (Fronti Evropian) nuk ka një rrugë të qartë përpara. Sidomos BDI e cila duhet të pësojnë ndryshime të brendshme për t’u bërë përshtypje votuesve.
2024-08-16