Intervistë ekskluzive për ISSDMaqedonia me z. Michael Leigh, bashkëpunëtor i lartë në Fondin GERMAN -MARSHALL –, të Shteteve të Bashkuara (GMF)
Intervistuar nga Selim Ibraimi, Instituti i Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit
Sidoqoftë, potencialisht nuk ka fund për ndryshimet kufitare në Ballkan dhe asnjë rregullim kurrë nuk do të konsiderohet përfundimtar. Jetojmë në shoqëritë multietnike në Europë ku parimet udhëzuese janë pranimi dhe bashkëpunimi i ndërsjelltë. Në anën tjetër, krijimi i njësive gjeografike etnikisht homogjene nuk duket mënyra më e mirë për vendet e Ballkanit për të kapërcyer trashëgiminë e tyre të trazuar. Serbia duhet të pranojë ekzistencën e Kosovës si një shtet i pavarur i njohur nga një shumicë e madhe e anëtarëve të OKB-së dhe të dyja palët duhet të bëjnë më shumë për të krijuar administrata efikase, për të luftuar korrupsionin dhe për të promovuar pranimin dhe mirëkuptimin reciprok midis segmenteve të ndryshme të shoqërive të tyre.
ISSD: Z. Leigh, si e vlerësoni debatin mbi korrigjimin e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë?
Michael Leigh: Është inkurajuese që të dyja palët po kërkojnë një zgjidhje, megjithatë kemi parë se ende ka hapësirë të konsiderueshme për mosbesim të ndërsjelltë. Nëse të dy palët arrijnë një zgjidhje të qëndrueshme, të mbështetur nga një konsensus i përfaqësuesve të tyre politikë dhe popujve, do të ishte e vështirë për kundërshtarët të kundërshtonin. Sidoqoftë, potencialisht nuk ka fund për ndryshimet kufitare në Ballkan dhe asnjë rregullim kurrë nuk do të konsiderohet përfundimtar nga të gjithë. Jetojmë në shoqëritë multietnike në Europë ku parimet udhëzuese janë pranimi dhe bashkëpunimi i ndërsjelltë.Në anën tjetër, krijimi i njësive gjeografike etnikisht homogjene nuk duket mënyra më e mirë për vendet e Ballkanit për të kapërcyer trashëgiminë e tyre të trazuar.
ISSD: Z. Leigh, në mënyrë specifike, për të ecur përpara çfarë duhet të bëjë Kosova dhe Serbia?
Michael Leigh: Është për vetë palët të përcaktojnë rrugën përpara. Me vullnetin më të mirë në botë, të huajt nuk mund të përshkruajnë masat e nevojshme për ta. Serbia duhet të pranojë ekzistencën e Kosovës si një shtet i pavarur i njohur nga një shumicë e madhe e anëtarëve të OKB-së dhe të dyja palët duhet të bëjnë më shumë për të krijuar administrata efikase, për të luftuar korrupsionin dhe për të promovuar pranimin dhe mirëkuptimin reciprok midis segmenteve të ndryshme të shoqërive të tyre.
ISSD: Z. Leigh, çfarë ndikimi gjeopolitik mund të ketë vendosja kufijve të rinj për Maqedoninë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën?
Michael Leigh: Ndryshimi i kufijve kudo në Ballkan ka të ngjarë të ndezë tensionet etnike dhe të krijojë kërkesa të reja. Kjo nuk është mënyra më e mirë për këto vende që të tejkalojnë sfidat e tyre historike dhe të lëvizin drejt lidhjeve më të ngushta me Bashkimin Europian, NATO-n dhe institucionet e tjera perëndimore. Do të ishte për të ardhur keq nëse idetë e tilla zinin rrënjë në kohën kur Maqedonia po lëviz drejt një zgjidhjeje të vështirësive të vjetra me Greqinë.
ISSD: Z. Leigh, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë lëshuar reagime të ndryshme. A ka ndonjë përçarje midis Uashingtonit dhe Brukselit?
Michael Leigh: Si Bashkimi Europian ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur vazhdimisht stabilizimin dhe forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtave të minoriteteve, në Ballkan. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sot, sepse nëse mund të ketë përfshirje në rritje të aktorëve të tjerë me agjenda të tjera. Thuhet se administrata aktuale në Uashington ka marrë pozicione të ndryshueshme dhe të paqëndrueshme për shumë çështje gjeopolitike. Kjo nuk duhet të na shpërqendrojë nga interesat tona të përbashkëta themelore në zhvillimin paqësor dhe autonom të rajonit.
ISSD: Z. Leigh, si e shihni të ardhmen e Ballkanit?
Michael Leigh: Rajoni i Ballkanit në tërësi mund të ketë një të ardhme brenda institucioneve shumëpalëshe perëndimore si BE dhe NATO ose ajo, mund të mbetet një lloj kufiri i papërcaktuar, ku presionet e jashtme janë më të forta në një moment të caktuar. Zgjedhja varet kryesisht nga veprimet konkrete të kryera nga udhëheqësit dhe popujt në rajon. Nëse ka progres të qëndrueshëm drejt qeverisjes së mirë dhe pajtimit, unë jam i bindur se do të ketë një përgjigje pozitive nga Bashkimi Europian, i cili ka hedhur themelet, nëpërmjet procesit të stabilizimit dhe shoqërimit dhe Shteteve të Bashkuara.
Biografia e ekspertit:
Z. Michael Leigh është një anëtar i lartë i cili është fokusuar në Politikën Europiane të Fqinjësisë, Europën Lindore, Mesdheun, Lindjen e Mesme, dhe të ardhmen e BE-së. Ai drejton një program në GMF-së për implikimet e zbulimeve të gazit në Mesdheun Lindor. Në vitin 2006, z. Leigh u bë Drejtor i Përgjithshëm për zgjerimin në Komisionin Europian pasi ai shërbeu për tre vjet për marrëdhëniet me jashtë, zëvendësdrejtori i përgjithshëm për Politikat Europiane të Fqinjësisë, marrëdhëniet me Europën Lindore, Kaukazin Jugor, Azinë Qendrore, Lindjen e Mesme dhe, vendet e Mesdheut. Ai filloi rolin e tij të tanishëm pas më shumë se 30 vjetësh në institucionet e BE, duke u përfshirë si anëtar i kabinetit për komisionerë të ndryshëm dhe si drejtor në Task Forcën për negociatat e pranimit në BE. Ai filloi karrierën e tij si asistent profesor në marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins dhe ligjërues në marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Sussex. Ai ka një diplomë bachelor në filozofi, politikë dhe ekonomi nga Universiteti i Oksfordit dhe një doktoraturë në shkencat politike nga MIT. (Biografia është marrë nga GMF).
Shënim :
Ndalohet përdorimi i gjuhës së urrejtjes së çfarëdo natyre.
Bordi redaksional rezervon të drejtën të redaktojë dhe të mos publikojë materiale që shkelin të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, shtypin e lirë, integritetin individual, etnik, gjinor dhe social.
Publikimi i intervistave dhe i analizave ka për qëllim përpunimin e çështjeve me karakter social, ndëretnik, ekonomik, politik dhe të sigurisë në interes të qytetarëve.
Parandalimi i krizave të brendshme dhe të jashtme nëpërmjet platformave dhe mediave neutrale, të balancuara, të ndershme dhe objektive, është një nga prioritetet e programeve tona të Ndërtimit të Paqes, Menaxhimit të Konflikteve, Sundimit të Ligjit dhe programeve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Pikëpamjet e autorëve dhe të ekspertëve të jashtëm jo gjithëherë pasqyrojnë linjën dhe politikën redaksionale të ISSDMaqedonia. Ju lutemi, nëse vendosni të botoni materialet tona të institutit, shkruani burimin dhe autorin e analizës.
Përktheu: Blerim Abedini