Lufta në Ukrainë e shtyn NATO-n të rrisë angazhimin në Ballkan

Selim Ibraimi- Zyrtarët e lartë të NATO-s po i kushtojnë vëmendje rajonit të Ballkanit. Gjithashtu në Moldavi, subversioni rus për të destabilizuar shtetin ka vazhduar.

Në tablonë e madhe pavarësisht luftës në Ukrainë, Rusia ka vazhduar të luajë një rol të rëndësishëm me aksionet e drejtpërdrejta dhe operacionet e fshehta në Evropën Lindore, BE, SHBA dhe natyrisht në Ballkan, pa përmendur rolin e Rusisë në Lindjen e Mesme.

Tani le të ndalemi te lëvizjet e fundit të NATO-s. Ditë më parë në Bruksel, ministrat e mbrojtjes të aleancës së NATO-s u takuan për të diskutuar situatën aktuale në Ukrainë dhe kërcënimet e ardhshme. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte tha se gjendja e sigurisë në rajonin e Ballkanit është e brishtë. “Situata në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësuese me kërcënimet për ndarje në Bosnje e Hercegovinë, situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë dhe përparimin e vogël në dialogun e lehtësuar nga BE mes Beogradit dhe Prishtinës “.

Përveç gjendjes jo të mirë në Ballkan, tashmë të verifikuar edhe nga NATO, siç përmendëm më lartë, Moldavia është shumë afër destabilizimit. Qeveria e Moldavisë njoftoi se “qindra ekstremistë u trajnuan në Serbi, Rusi dhe Bosnjë për të destabilizuar qeverinë në një përpjekje për të përmbysur rendin kushtetues përpara referendumit të saj për t’u bashkuar me BE”.

Në dhjetë vitet e fundit, në momente të rëndësishme historike, për ish- vendet komuniste, Rusia ka vënë në lojë grupe të caktuara dhe njësi të specializuara vendase për të penguar rrugën e shteteve drejt BE-së dhe NATO-s.

Pavarësisht reagimeve të NATO-s dhe shteteve që mbështesin ushtarakisht e financiarisht shtetet aspirante duke përfshirë dhe Ukrainën, Rusia ka vazhduar me aksione speciale dhe propagandë për të prishur qetësinë dhe rendin kushtetues të shteteve të Evropës Lindore, Ballkanit e më gjerë. Këtë siç shihet po e bën edhe tani, kur të gjithë mendojnë se Rusia është dobësuar tejmase. Për të balancuar Rusinë në këtë drejtim, ministrat e mbrojtjes të NATO-s në Bruksel kanë diskutuar për planet e ardhshme të mbrojtjes të aleancës dhe prodhimin e industrisë së mbrojtjes.

Po gjatë këtij takimi, presidenti ukrainas V. Zelenski zbuloi një “plan fitoreje” për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Zelenski kërkoi që Ukraina të pranohet në NATO. Ai përsëriti thirrjen për të hequr kufizimet për armët perëndimore që pengojnë Ukrainën të godasë objektivat ushtarake ruse brenda Rusisë.

Më tej Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Marrk Rutte i dha një përgjigje të kujdesshme kërkesave të Zelenskit, duke theksuar se NATO nuk mund të “mbështesë të gjithë planin e tij”. Anëtarësimi në NATO për Ukrainën ka qenë dhe vazhdon të mbetet e diskutueshme për aleancën nga frika e përshkallëzimit të konfliktit me Rusinë në shtetet fqinje. Për habi Zelenski në Bruksel ishte tepër i qartë si asnjëherë më parë. Ai tha: “Ukraina ose do të anëtarësohet në NATO ose do të bëhet përsëri një shtet bërthamor”. “Koha e premtimeve boshe dhe garancive të rreme të sigurisë ka mbaruar”. “Një Ukrainë bërthamore ndryshon gjithçka”. Nuk do të ketë më pushtim rus. Jo më lutje për ndihmë të huaj, jo më pritje për miratimin e Perëndimit për t’u mbrojtur”. “Energjia bërthamore është pengesa përfundimtare – e vetmja gjuhë që Moska ka frikë”, – tha Zelenski në Bruksel.

Përderisa kërkesat ukrainase për armë dhe mbështetje janë rritur, Pentagoni amerikan njoftoi një paketë tjetër mbi 425 milion dollarë për Ukrainën. Që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022, SHBA kanë dhënë afërsisht 84 miliardë dollarë ndihmë sigurie dhe humanitare për Ukrainën. Shtetet evropiane së bashku kanë arritur shumën 126 miliardë dollarë, me gjasë të risin ndihmat deri në Samitin e ardhshëm të NATO-s. Ndërkohë, shefja e Komisionit Evropian Urlsa von der Leyen do të vizitojë këtë javë shtetet e Ballkanit. Ministrave të mbrojtjes së NATO-s kësaj herë ju bashkuan homologët nga Japonia, Korea e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re.

NATO, që nga rasti i Banjskës në Kosovë në shtator 2023 e ka shtuar praninë e saj në shtetet e Ballkanit për të parandaluar zgjerimin e konflikteve të reja. Ditë më parë qeveria në Kosovë njoftoi për praninë e forcave serbe në kufi të Kosovës. Në këtë kohë, NATO po diskuton plane të reja për Kinën, Korenë e Veriut dhe Rusinë.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe politika e re e administratës amerikane do të ndikojë në rolin e aleancës në të ardhmen, marrëdhëniet me BE-në, Ballkanin dhe fatin e luftës në mes Ukrainës dhe Rusisë. Së fundi në NATO u anëtarësuan Suedia dhe Finlanda, duke e forcuar krahun verior me dy shtete të fuqishme dhe me rëndësi për aleancën.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.