SELIM IBRAIMI –INSTITUTI I STUDIMEVE TË SIGURISË DHE ZHVILLIMIT-
Diplomati i Departamentit Amerikan të Shtetit Matthew Palmer gjatë takimeve me zyrtarë të lartë të Maqedonisë tha se SHBA dëshiron një referendum të suksesshëm për të gjithë qytetarët e vendit dhe mbështet Marrrëveshjen e Presepës (MP).
“Maqedonia tashmë ka marrë ftesë historike prej NATO-s, ndërsa ka marrë edhe drejtim të qartë për negociatat inkuadruese me BE-në. Shpresojmë se qytetarët e Maqedonisë do ta shfrytëzojnë rastin më 30 shtator ta japin votën e tyre në referendum i cili është me rëndësi historike për vendin”, tha ushtruesi i detyrës zëvendësndihmës i sekretarit të Departamentit të Shtetit për Europë dhe Euroazi, Metthew Palmer.
“Në bisedimet të cilat i kisha e theksova mbështetjen e SHBA-së për marrëveshjen e Prespës dhe të ardhmen e Maqedonisë si anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Europian. Maqedonia mori ftesë në NATO, që është arritje historike dhe ka rrugë të qartë për hapjen e negociatave inkuadruese me BE-në”, tha Palmer.
Sipa tij referendumi do t’i japë mundësi opinionit të Maqedonisë ta shpreh qëndrimin e tij për marrëveshjen.
“Shpresojmë se njerëzit do të dalin dhe do të votojnë, do ta shprehin qëndrimin e tyre dhe do ta bëjnë atë në atmosferë të lirë pa dezinformata dhe dekurajim. Ky është moment historik për Maqedoninë. Marrëveshja e Prespës, pasi të ratifikohet dhe zbatohet, i hap dyert drejt së ardhmes europiane për Maqedoninë dhe qytetarët e Maqedonisë”, shtoi Palmer.
Korrigjimi i kufijve?
SHBA ka shprehur shqetësime për politikën e disa shteteve të rajonit. Administrata e presidentit Trump po lëviz shpejt dhe vëmendshëm në Maqedoni, dhe kjo lidhet me ngjarjet në Bosnjë dhe Kosovë.
Bosnja sipas të gjitha gjasave nuk do arrijë të jetë shtet funksional përshkak të dallimeve të mëdha në mes serbëve dhe boshnjakëve për të qeverisur bashkë me Federatën.
Serbët e Bosnjës dëshirojnë të jetojnë nën administratën e Beogradit dhe viteve të fundit vazhdojnë të jenë të influencuar nga politika e Kremlinit e cila ka favorizuar linjat ndarëse të serbëve në Bosnjë.
Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më në fund deklaroi se është i mundshëm, korrigjimi i kufirit me Serbinë, gjatë procesit të dialogut Prishtinë-Beograd.
Sipas radios “Evropa e Lirë”,Thaçi pas vizitës në Odën Ekonomike të Kosovës tha se përfaqësuesit e komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë e kanë shprehur vullnetin e tyre që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, andaj, sipas Thaçit, nëse ka pajtueshmëri në dialog, kjo pjesë do të mund t’i bashkohej Kosovës.
“Kemi rreth 400 kilometra të kufirit me Serbinë që duhet të shënjohen dhe pa demarkacionin me Serbinë nuk mund të përmbyllet procesi i shtetformimit dhe konsolidimit”, sqaroi Thaçi.
“Për këtë arsye do të diskutohet për demarkacionin, për korrigjimin e kufijve dhe në kuadër të korrigjimit të kufijve, në asnjë rrethanë, për asnjë çmim nuk do të mund të imponohet realizimi i aspiratës serbe për ndarje të Kosovës. Ndërkaq, mendoj se është shumë e realizueshme, e pranueshme nga ana jonë, kërkesa e institucionalizuar e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës për t’u bashkuar me Kosovën”, theksoi presidenti Thaçi.
“Nëse ka marrëveshje apo pajtueshmëri të dyanshme askush nuk do të dilte kundër një marrëveshjeje të dyanshme, pra as nga Bashkimi Evropian, as SHBA apo NATO”, shtoi Thaçi.
Admirali amerikan, James Foggo, Komandant i Komandës së Forcave të Bashkuara Aleate në Napoli për sa i përket zërave për shkëmbim të territoreve në mes Serbisë dhe Beogradit tha se “këto janë pyetje politike që duhet të zgjidhen përmes dialogut Prishtinë-Beograd”.
Sipas “REL” admirali Foggo tha se bisedimet me Beogradin mund të sjellin edhe protesta.
“Çdo herë që ka diskutime për zgjidhje kontraverse politike për problemet në Ballkan, ka potencial për trazira. Dhe rrjedhimisht jemi të vetëdijshëm se kjo është një kohë e rëndësishme, se ka shumë diskutime përtej kufijve të Kosovës, siç thashë në mes të Prishtinës dhe Beogradit, udhëheqësit politikë që përpiqen t’i zgjidhin disa çështje të vështira”, sqaroi admirali Foggo.
Referendumi dhe çështja e Maqedonisë
Si rrjedhojë e proceseve që priten të zhvillohen në Kosovë dhe në Bosnjë, në Maqedoni forcat politike janë ndarë rreth referendumit për marrëveshjen në mes Shkupit dhe Athinës.
Edhe pse referendumi është konsultativ, zërat për bojkot dhe pakënaqësi të qytetarëve maqedonas po shtohen. Opozita maqedone e ka cilësuar marrëveshjen tradhti kombëtare, por ende nuk ka bërë thirrje publike për bojkot të referendumit.
Opozita shqiptare e drejtuar nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka bërë disa kërkesa bazike për ndryshime kushtetuese, ndërsa partia tjetër shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e Ali Ahmetit dikur ish drejtues i guerilës (UÇK), thotë se çështjet e shqiptarëve të Maqedonisë janë rrumbullaksuar me Marrëveshjen e Ohrit (MO) dhe ligjin e gjuhëve dhe se jemi afër realizmit të synimeve shekullore për liri e brazi.
Kritikët e politikave të Ahmetit i kanë cilësuar veprimet e BDI-së dikur në qeverisje me Nikolla Gruevskin (VMRO-DPMNE) dhe tani me kryeministrin Zoran Zaev (LSDM), si tregti politike të interesave dhe statusit juridk të shqiptarëve të Maqedonisë.
Duke qenë lojtarë me ndërkombëtarët, Ahmeti arriti të gëzojë simpati tek amerikanët dhe europianët për rolin e tij në zgjidhjen e krizës së fundit dhe partneritetin që tregoi gjatë viteve 2001- 2002.
Në një intervistë për agjencinë AFP në vitin 2001, ai tha se ne nuk jemi kundër popullit maqedonas, por e gjithë kjo revoltë ka të bëjë me politikat e qeverisë.
Mirëpo, që nga viti 2001 shumë rrethana kanë ndryshuar dhe janë paraqitur aktorë të rinjë që dëshrojnë ta ndërrojnë gjendjen në Maqedoni.
Tek pala maqedonase ishte ish kryetari i Komunës së Strumicës, kryeministri aktual Zoran Zaev, ndërsa tek shqiptarët ndryshime nuk pësoi skena politike për sa i përket raportit të forcave.
BDI vazhdoi të jetë konsultuese e faktorit ndërkombëtar dhe lojtare kyçe e kryeministrit Zoran Zaev, ndërsa Aleanca për Shqiptarët, sipas anketimeve të fundit një parti në ngritje, paraqet rrezik të tërthortë për BDI.
Kryeministri Zaev arriti të largojë ASH-në nga qeveria dhe të përçajë partitë tjera opozitare. ASH mbeti parti në opozitë e cila u largua për së dyti herë nga kryeministri në tryezën e bisedimeve të ftuara rreth referendumit.
Kryeministri Zaev me taktikat e tij përveç se nuk është i sigurtë se si do të votojë baza elektorale e VMRO-së, paralelisht po nxit një bazë të konsiderueshme të anëtarësisë së ASH-së të mosvotojë në referendum ose vetë udhëheqja e ASH-së, në prag të ndyshimeve kushtetuese ose pas të bëhet më agresive rreth statusit juridik të shqiptarëve. Këtë dekurajim e theksoi edhe diplomati Palmer gjatë një konference për shtyp para qeverisë.
Në këtë kuadër, në Krivollak, forcat amerikane së bashku me ato të Maqedonisë, kanë zhvilluar këto ditë stërvitje ushtarake të intervenimeve të shpejta. SHBA dhe qeveria e Maqedonisë kanë nënshkruar një marrëveshje të Partneritetit Strategjik.
Vlimet në Ballkan për sa i përket caktimt të vijave të reja kufitare, ndikimi rus në rajon dhe pakënaqësitë e mundshme të shqiptarëve të Maqedonisë përshkak të diskriminimit ekonomik dhe pozitës juridike kushtetuese, kanë alarmuar amerikanët që të qëndrojë të vendosur rreth marrëveshjes dhe të ardhmes europiane të vendit.
Kritikë shqiptarë të (MP)-së kanë deklaruar se me marrëveshjen për emrin është prekur identiteti etnik shqiptar, pasi sipas tyre nuk ekziston marrëveshje që përfshinë dhe rregullon identitetin e vetëm të një grupi etnik. Aktualisht shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë parashtuar kërkesa radikale dhe separatiste.
Në janar të vitit 1992 u zhvillua referendumi për autonomi politike dhe territoriale, projekt i cili sipas burimeve lokale u komprementua nga vetë drejtuesit politikë të asaj kohe, kreu shtetëror dhe shërbimi inteligjent.
Përderisa nuk ka kërkesa shtesë për status shtetformues nga partitë dhe lidershipi shqiptar, amerikanët nuk do t’ju kushtojnë vëmendje platformave politike ditore.
Partitë politike shqiptare në pushtet nuk kanë strategji tjetër të brendshme, janë të lidhura me Marrëveshjen e Ohrit dhe të Prespës.
Në fund, ky është rasti më i freskët që amerikanët po tregojnë se dëshirojnë që Maqedonia të jetë një tregim i suksesshëm, ndërsa çështjet ndëretnike do të mbetën edhe më tej probleme të ngrira që do të vazhdojnë t’i shqetësojnë në të ardhmen amerikanët dhe europianët dhe e gjithë kjo do të kuptohet, në rast se ky nuk do të jetë rikthimi i tyre i fundit për një Ballkan të ri.
Për më shumë, në kremtimin e 2 gushtit, përsëri në Krushevë u dëgjuan thirrje anti shqiptare dhe gjuhë e urretjes. Sipas njoftimeve në festën e 2 gushtit duhej të merrte pjesë edhe zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit Matthew Palmer.
Follow Selim Ibraimi on Twitter @selimibraimi