Kritikat absurde të ish-pushtetarëve

Nga Besa Kadriu- Reflektim mbi diskursin politik aktual!

Në dritën e deklaratave të fundit të disa zyrtarëve të qeverisë lidhur me dallimet mes qytetarëve rezidentë dhe jo-rezidentë, ndjej nevojën të theksoj absurditetin e këtij diskursi politik, veçanërisht kur ai buron nga figura që kanë qenë më parë pjesë e të njëjtave struktura pushteti të cilat sot i kritikojnë.

Kjo qasje jo vetëm që shpërfaq mungesë koherence politike, por edhe një lloj amnezie institucionale, ku ish-pushtetarët rikthehen në skenë për të hedhur akuza ndaj “të kaluarës” nga e cila ata vetë nuk janë ndarë kurrë realisht.

Kjo situatë më rikujton një realitet të hidhur: individë të lidhur me strukturat e dikurshme të BDI-së, (njëlloj edhe tek blloku politik maqedonas) që dikur mbetën të paplotësuar në ambiciet dhe apetitet e tyre personale, sot gjejnë hapësirë për të kërkuar dominim politik nën petkun e reformës apo ndarjes nga e kaluara.

Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një reciklim elitash, ku retorika e autokritikës përdoret më shumë si strategji për legjitimim të ri politik, sesa si mjet reflektimi të sinqertë institucional.

A nuk është kjo një absurditet i vazhdueshëm për shqiptarët në këtë vend?

Kur do të vijë koha që hapësira publike dhe institucionale të çlirohet nga individë me ambicie të pangopura për pushtet, të cilët vazhdojnë të shpërfillin çështjet jetike për shqiptarët – si barazia, zhvillimi ekonomik, përfaqësimi dinjitoz dhe sundimi i ligjit?

Në vend të një politike që rotullohet rreth emrave, apetiteve personale dhe riciklimit të pafund, kemi nevojë për një gjeneratë të re vizionesh që e vendosin qytetarin, dinjitetin dhe progresin përpara interesave të ngushta të grupeve të privilegjuara.

https://www.facebook.com/profile.php?id=100082211714025