Serbia po përpiqet të bëjë në Ballkan të njëjtën gjë që po bën Rusia në rajonin e saj, tha presidenti malazez Milo Gjukanoviç i cili ishte mysafir i Institutit të Paqes së Shteteve të Bashkuara. Agresioni rus kundër Ukrainës ndikon fuqishëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa ndikimi më drastik i Rusisë në Ballkan ishte në vitin 2016, gjatë zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, tha Gjukanoviq, transmeton portali CDM. Presidenti malazez tha se, në atë kohë, Rusia u përpoq të rrëzonte qeverinë malazeze me një grusht shteti dhe ta ndalonte Malin e Zi të anëtarësohej në NATO, por Mali i Zi arriti t’i rezistojë. Gjukanoviç tha se Ballkani është dëshmitar i një përpjekjeje për të krijuar një “botë serbe” të modeluar sipas “botës ruse”. Rusia po përpiqet të rishikojë historinë e vendeve në rajonin e saj për të siguruar dominimin dhe ndikimin që ka pasur dikur Bashkimi Sovjetik, dhe Serbia po përpiqet të bëjë të njëjtën gjë në rajonin e saj, tha Gjukanoviç. Ai theksoi se këto janë politika retrograde që nuk kërkojnë të drejtojnë vendet e tyre, por kombet e tyre. Serbia po përpiqet të sundojë dhe të ketë fjalën në Mal të Zi, në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, por ende nuk ka një reagim adekuat të partnerëve në Perëndim për një politikë të tillë. Duke komentuar zgjedhjet presidenciale dhe ndikimin e mundshëm të Rusisë në të, Gjukanoviç tha se do të donte të ishte në gjendje të thoshte se Rusia nuk po ndërhyn, por shtoi se kjo do të ishte “vetëm një iluzion”. “Bota ruse” është e njëjtë me atë serbe. Politika ruse në rajonin e tyre është e njëjtë me atë të Serbisë në rajonin tonë dhe instrumenti më i rëndësishëm i tyre janë kishat ortodokse. Sot, edhe kisha serbe edhe ajo ruse janë organizata politike, tha Gjukanoviq. Ai shtoi se i vjen keq që të gjitha “paralajmërimet e tij në kohë që nga viti 2016 nuk u plotësuan nga një reagim më adekuat i disa adresave perëndimore”.
2023-03-29