BE dhe SHBA po i lënë shqiptarët në baltë

Rendi i deritanishëm global u krijua pas vitit 1944-45 në Breten Uoods, SHBA. Por, siç shihet, nuk do të jetë në gjendje të qëndrojë deri në fund të shekullit, për shkak të dobësimit të rolit amerikan, çështjeve urgjente brenda SHBA-së dhe, natyrisht, BE-së së ndarë, e cila vështirë se do të mund të qëndrojë e bashkuar deri në vitin 2100. SHBA-ja dhe BE-ja i kanë interesat e tyre politike, ekonomike dhe fetare, ndërsa shqiptarët në Ballkan duhet të përgatiten për një botë të ftohtë pas 2030-tës. Të gjendur mes Perëndimit dhe Lindjes, shqiptarët duhet të rimendohen nëse anëtarësimi në një bllok gjeopolitik shkon në dobi të ruajtjes së tërësisë shqiptare në Ballkan. Pasi Uashingtoni është lidhur fort me Serbinë, duke e ledhatuar si “garantuese të stabilitetit”, atëherë përkufizimi i marrëdhënieve duhet bërë në pajtim me çrregullimin global dhe rajonal.

Selim IBRAIMI, Uashington

Në fund të dekadës së tretë, paqartësitë në BE, në Ballkanin Perëndimor dhe në Europën Lindore janë shkaktuar nga kaosi global i çrregullimit të raporteve të Fuqive të Mëdha, nga mospajtimet ndërmjet shteteve që dolën nga rënia e ish bllokut komunist dhe nga çrregullimi që po ndodh mes vetë aleatëve të dikurshëm gjatë LDB-së. Një rishikim panoramik i tetë dekadave të fundi, tregon se koha e një çrregullimi të ri në politikën ndërkombëtare është i paevitueshëm për europianët, amerikanët, rusët e në veçanti për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor. Veprimet që kanë çuar në këtë çrregullim mund të jenë disa, por ndër më kryesoret janë këto: paqëndrueshmëria e Perëndimit në garën me shtetet e botës aziatike, forcimi i BRICS-it bashkë me shtetet që e kanë statusin e vëzhguesit, si Serbia, dhe, më e rëndësishmja, rënia ekonomike në disa shtete të botës perëndimore. Analistë të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se çrregullimi gjeopolitik ndërmjet të mëdhenjve dhe të vegjëlve është një gjendje normale në politikën ndërkombëtare, pasi ky çrregullim ka qenë i pranishëm edhe më parë, që nga antikiteti, dhe do të vazhdojë derisa njeriu dhe shteti të jenë pjesë qendrore e politikës dhe rendit socio-ekonomik. Ku çrregullim, siç shihet tashmë, ka disa efekte në Ballkanin Perëndimor, duke dhënë shenja të ndryshme jo vetëm për serbët dhe shqiptarët. Ndërrimet globale gjithashtu kanë provokuar ndërhyrje të jashtme nga SHBA-ja, BE-ja, Rusia dhe Kina në politikat e brendshme të shteteve dhe në tregjet rajonale ekonomike. Këtu një ndikim e kanë pasur edhe ndërhyrjet e BE-së, Rusisë dhe SHBA-së në politikat e shteteve të Ballkanit, me qëllim të krijimit të favoreve ndaj mbështetësve të tyre. Përderisa ndërhyrja euro-amerikane dhe ruse ka ndikuar në forcimin e rolit serb në Ballkan, shqiptarët janë paraqitur me një politikë rajonale të shpërndarë në disa nivele, duke filluar nga politika e jashtme, e deri në përçarjet ideologjike.

Nga miq në armiq

Në anarkinë ndërkombëtare, parimet nuk vlejnë. Aty me rëndësi është forca dhe siguria, si dy tipare të të mëdhenjve. Pikërisht shqiptarët me dekada kanë menduar se në njërin grup kanë aleatë të fortë dhe kur do të kenë nevojë, do të gjejnë mbështetje për ndonjë problem të pazgjidhur, si për shembull rasti Kosovë-Serbi. Realiteti tregon se jo gjithmonë miqtë e dikurshëm mund të jenë mbështetës të nesërmen. Zakonisht, historia e marrëdhënieve mes shteteve ka qenë e tillë që miqtë dhe aleatët një ditë janë kthyer në armiq të përhershëm. Rasti mes SHBA-së dhe Iranit – më 1953-79 ishin miq dhe partnerë strategjikë, ndërsa pas 1979-tës e deri më sot janë armiq. Andaj shqiptarët në këtë kohë të çrregullimeve duhet t’u kushtojnë vëmendje sjelljeve të hershme të aleatëve para se të bëhet vonë. Ata të kërkojnë zgjidhje, qoftë të përkohshme, se cili nga aleatët mund të jetë partner strategjik i vërtetë. Duhet thënë se në themel të të gjitha rigrupimeve gjeopolitike qëndron ende problemi i njohur i rregullimit të marrëdhënieve mes shteteve, duke u zëvendësuar me një rend tjetër të rregullimit të raporteve në mes shteteve. Dhe, ky rregullim nuk është i lehtë, sepse aty kemi shtete që janë të interesuara që ta vënë në pah dominimin e tyre ndaj të tjerëve. Në këtë radhitje jo gjithnjë qeveritë kanë vizion të qartë nëse bëjnë pjesë në grupin gjeopolitik të mirë apo të keq. Në fakt, rendi i deritanishëm global u krijua pas vitit 1944-45 në Breten Uoods, SHBA, por, siç shihet, nuk do të jetë në gjendje të qëndrojë deri në fund të shekullit, për shkak të dobësimit të rolit amerikan, çështjeve urgjente brenda SHBA-së dhe, natyrisht, BE-së së ndarë, e cila vështirë se do të mund të qëndrojë e bashkuar deri në vitin 2100. Ashtu si SHBA-ja dhe BE-ja që i kanë interesat e tyre politike, ekonomike dhe fetare, edhe shqiptarët në Ballkan duhet të përgatiten për një botë të ftohtë pas 2030-tës. Rusia, një kohë të gjatë, nuk do të ketë politika paqësore në Ballkan dhe aq më pak ndaj shqiptarëve. Të gjendur mes Perëndimit dhe Lindjes, shqiptarët duhet të rimendohen nëse anëtarësimi në një bllok gjeopolitik shkon në dobi të ruajtjes së tërësisë shqiptare në Ballkan. Përderisa kemi një BE të ashpër e sidomos një SHBA, që nuk i ka më në fokus (shqiptarët) si dikur. Dhe, pasi Uashingtoni është lidhur fort me Serbinë, duke e ledhatuar si “garantuese të stabilitetit”, atëherë përkufizimi i marrëdhënieve duhet bërë në pajtim me çrregullimin global dhe rajonal. Janë të mëdha mospërputhjet mes dëshirave të shqiptarëve për një SHBA dhe BE plotësisht në anën e tyre. SHBA-ja dhe BE-ja kanë pritje të tjera nga Serbia dhe serbët, ndërsa shqiptarët ende mendojnë se janë në vitin 1999. Në politikën ndërkombëtare është e pamundur që marrëdhëniet mes shteteve të ndërtohen në këtë mënyrë. Po qe se një gjendje jo e favorshme nuk ndryshon për një shtet, atëherë duhet parë nëse tendenca nga jashtë është afatgjate. Po qe se politika shqiptare në Ballkan do të vazhdojë të qëndrojë gjithnjë e mbështetur në formulat që vijnë nga Uashingtoni dhe Brukseli, një ditë mund të ndodhë që po e njëjta politikë miqësore të interpretohet si e keqe po nga faktori politik shqiptar. Për më shumë mund ta shqyrtojmë rastin e Sali Berishës, Albin Kurtit dhe Millorad Dodikut. Krahasimi është i llahtarshëm në dëm të të gjitha nismave euro-amerikane dhe të vetë prestigjit të Uashingtonit dhe Brukselit në Ballkan. Duke e parë këtë çrregullim, shqiptarët ose një politikë realiste e tyre duhet të prodhojë një ndërgjegjësim të ri, se nga po shkojnë shqiptarët në Ballkan në shekullin XXI. Së pari, kur bëhet fjalë për ndërgjegjësimin për format e rendit të ri dhe faktorët që i nxisin ose i pengojnë shqiptarët, duhet parë nëse ata janë vetë shqiptarët, pasi politika aktuale pjesërisht nuk ka qenë në gjendje t’i lexojnë drejt lëvizjet e të mëdhenjve. Shqipëria dhe Kosova kanë lexime të ndryshme të politikave të Fuqive të Mëdha. Tirana zyrtare është larg të qenit partner strategjik i Kosovës, pavarësisht afërsisë gjeografike, kulturore dhe kombëtare. Mirëpo, Tirana zyrtare qëndron mirë me klubet ushtarake e ekonomike ku ajo është anëtare. Kosova gjithashtu e lexon SHBA-në dhe BE-në më ndryshe nga këndi i filozofisë së të drejtës së vetëvendosjes së popujve, por shtetësia e saj, pas shpalljes së pavarësisë, për habi, po diskutohet përsëri nga vetë aleatët e ish miqtë e Kosovës.

Rikthimi i dilemës historike

Që këtu, shqiptarët në Ballkan e në veçanti pas përfundimit të mandatit të presidentit aktual të SHBA-së, Joe Biden, në janar të 2025-tës, do të ndeshen me forma tjera të presionit për të bërë lëshime ndaj fqinjëve. Me ardhjen e administratës së Biden-it në 2021, shqiptarët e Kosovës prisnin shumë nga Uashingtoni, por ndodhi e kundërta. Me diplomatë që s’e bëjnë llogari interesin e Kosovës dhe të lidhur ngushtë sipas disa shkrimeve me qarqet serbe të lobit në SHBA dhe Serbi, diplomatët amerikanë nuk janë treguar neutralë. Megjithatë, duhet pranuar se problemi qëndron te vetë shqiptarët ose përgjegjësia bie mbi politikën shqiptare. Duhet njohur se cilat çështje mund të arrihen me aleatët dhe cilat jo. Disa kanë kosto të lartë. Si shembull mund të merret veriu i Kosovës, ku SHBA-ja dhe BE-ja, sipas kritikëve, po përdorin standarde të dyfishta për Kosovën me model territorial të zgjidhjes së pakënaqësive serbe. Ndërkaq në shtetet tjera të ish-hapësirës jugosllave preferohet modeli i shkrirjes së etnive në shtetet kombëtare që dominohen nga një shumicë tjetër. Pasi pas sulmit rus ndaj Ukrainës dhe luftës në Lindjen e Mesme kemi hyrë në një anarki tjetër ndërkombëtare, çdo injorim i rrethanave që kërkon ndryshim të pozicionit mund të sjellë bllokada të përgjithshme ndaj një shteti dhe, normalisht, izolim nga komuniteti ndërkombëtar. Edhe pse argumentet mund të jenë në anën e një qeverie, përsëri politika ndërkombëtare nuk ka parime dhe moral. Sa më shumë gënjeshtra, aq më mirë për një shtet të mbijetojë. Veprimet e deritanishme të politikës shqiptare, që si duket kanë për qëllim ruajtjen e status-quo-së deri në zgjedhjet e nëntorit në SHBA, nuk duken politikë aq e mençur. Sjelljet e tilla ka shumë gjasa t’i rrisin mosmarrëveshjet me aktorët globalë. Kjo njëherazi mund të flasë për mungesën e të kuptuarit të dinamikës dhe intrigave në politikën ndërkombëtare nga perspektiva e një shteti të dobët. Në këtë anarki dhe çrregullim të ri ekziston një frikë e përhershme se a do të mund të gjenden partnerë strategjikë për të bashkëpunuar. Kjo do të jetë pak e vështirë për qeveritë që përgjatë çrregullimit të këtij shekulli do të detyrohen të bëjnë lëshime territoriale ose ta vënë në lojë identitetin kombëtar. Për më shumë, mund të vazhdohet me debatin rreth ndryshimeve territoriale mes Kosovës dhe Serbisë, me tendencat për shkapërderdhjen e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës dhe marrëveshjet e Shkupit me Sofjen dhe Athinën. Për fat të keq, pozita aktuale e shqiptarëve në Ballkan nuk është aq premtuese. Në planin rajonal, shqiptarët kanë politika të jashtme sipas interesave ku jetojnë. Se a do të jenë me Perëndimin deri në fund, kjo mbetet të shihet. Disa shenja të refuzimit të SHBA-së dhe BE-së kanë të bëjnë pikërisht me natyrën komplekse të shqiptarëve në Ballkan. Andaj, nuk është e rastit që SHBA-ja, Franca dhe disa shtete të tjera europiane e kanë filluar biznesin e shitjes së armëve me Serbinë. Por, kjo është politika ndërkombëtare – një anarki ku nuk dihet se si do të jetë e nesërmja. Shqiptarët në Ballkan, natyrisht nëse sillen si deri më tani, do të dobësohen edhe më shumë, duke u bërë të parëndësishëm. Dilema vazhdon të mbetet se si do të veprojë Bajdeni ose Trampi pas janarit të 2025-ës. Por, një gjë shihet – se shqiptarët do të kenë probleme më shumë se kombet e tjera në rajon përafërsisht deri më 2050.