Alsat: Ministrat me lojë historike marrin kritika “histerike”

Nga Fatlume Dervishi– Ditë historike quhet çdo ditë me arritje, për ekipin qeveritar të BDI-së, por kur media kritikon, kritikat janë histerike. Finalizimi i kontratës për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D, që u promovua sërish si arritje e ekipit të BDI-së, pavarësisht se kryeministri e shpalosi atë një ditë më vonë, sërish u quajt historike, e madje u shënua me një simulim ndeshjeje ku lojtarë ishin ministrat e BDI-së, përfshirë edhe të shkarkuarin Naser Nuredini.

Me këpucë formale e këmisha, ministrat luajtën me lojërat kreative të instaluara në hapësirat e Ministrisë së Sistemit Politik. Grubi refuzonte të përgjigjej për vendimin e firmosur nga vetë ai për dëmshpërblimin e ish branitellave për pjesëmarrjen e tyre në konfliktin e vitit 2001. Po ashtu, ai refuzoi të komentonte edhe dyshimet e parave ruse që kishte ngritur Alsat, në biznese të promovuara nga partia e tij. Zv/kryeministri kishte premtuar ligj për veting të bartësve të funksioneve, gjykatësve dhe prokurorëve i cili nuk duket askund. Të njëjtin fat, edhe premtimi për Gjykatën e lartë për barazi, shpërdorimet e balancuesit etj. Së bashku me kolegun e tij, Osmani, që kishin rrahur gjoksin për ligjin për shqipen, pavarësisht përmirësimeve të ngadalshme, shqipja mbetet larg përdorimit zyrtar të saj. Pavarësisht se Grubi ka të drejtë të kryesojë mbledhje të qeverisë, ai dhe kolegët e tij s’mund të flasin dot në shqip, ndërkohë që ngecjet e mëdha të shqipes janë konfirmuar nga vetë Agjencia, Inspektorati dhe raportimet e Alsat në terren.

Osmani që mban tre detyra, që kryesues i OSBE-së, ai i ministrit të Jashtë, dhe së fundi i koordinatorit për çështjet e degës së Çairit, e deri edhe zëdhënës i partisë, pati premtuar fillimin e një analize për diplomatët e punësuar në Ministrinë e Jashtme pas skandalit me diplomatin e vendit në OSBE i cili u arrestua në Serbi. Diplomatë të tjerë janë përfshirë në skandale të tjera të dhënies së shtetësive për të shpëtuar kriminelë të kërkuar nga vende të treta nëpër botë. Osmani kishte përgjigje vetëm për skandalin e vetë, atë të përdorimit të makinave zyrtare, nga i cili sërish përfundoi me një vërejtje etike.

Në lojën e ministrave të BDI-së Jeton Shaqiri që jepte asiste, mund të krenohet për librat në shkolla, me të cilët nxënësit po pajisen në mes të vitit shkollor, por edhe me arritjet e ministrisë së tij për koordinimin e mësimit pas fenomenit të alarmeve të rreme për bomba.

Kur Alsat tregonte bukën dhe çmimin e saj në konferenca për shtyp, Bekteshi jepte ligjërata për median, dhe golat e tij që mbahen mend janë vetëm rritjet e pakontrollueshme të çmimeve. Për shkak të lojës së fundit, Bekteshi nuk arriti të asistonte në masën e re, të uljes ose ngrirjes së çmimit të qumështit.

Fatmir Besimi prej ditësh nuk kthen përgjigje për vendimin e padrejtë të shpalljes jo ligjore të një kompanie që aktualisht angazhohet si kompani mbikëqyrëse në punimet e Korridorit 8 dhe 10D.  Për gol është edhe arritja që vendi e filloi vitin 2023 me 4.6% deficit buxhetor. Inflacioni këtë vit, sipas analistëve ekonomikë, do të jetë 7,8%. Ish ministri i Ekologjisë Naser Nuredini, pavarësisht se është në stolin rezervë, në këtë lojë iu gëzua mosndërtimit të stacionit për pastrimin e ujërave të zeza dhe deponive rajonale që mendohej të reduktonin problemin me deponitë e egra.

https://fb.watch/j8OFZdRg80/