SELIM IBRAIMI- SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë konfirmuar politikën e mbështetjes ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë – Hercegovinës. Ndërkohë, lideri i Bosnjës Serbe, Millorad Dodik u zgjodh kryetar i etnitetit serb duke i minuar të gjitha përpjekjet për ndryshime në pjesën serbe të Bosnjës. Dodiku, dikur nga një lider i moderuar, është kthyer më shumë se një dekadë në një politikan radikal i cili i mbështetur nga qarqet ruse të inteligjencës dhe Serbia ka bërë eleminimin e të gjithë kundërshtarëve politik. Federata e Bosnjë – Hercegovinës afro tre dekada pas “Marrëveshjes së Dejtonit” të vitit 1995, pothujase është para një thyerje të re, duke vazhduar të bëhet një shtet jo funksional dhe pa të ardhme në Ballkanin Perëndimor. Politikanë radikalë lokal dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare po luajnë një lojë e cila do të mund të sjellë në të ardhmen shpërbërjen e federatës.

Kroatët dhe serbët janë nxitësit kryesorë të krizës së re në Bosnjë – Hercegovinë thonë vëzhguesit e pavarur rajonal. Jo zyrtarisht në SHBA gjatë zgjdhjeve të nëntorit për në Kongres dhe nivelet tjera qeveritare, komuniteti boshnjak pritet të votojë kandidatët republikanë si një kundërpërgjigje ndaj politikës së administratës së presidentit Bajden ndaj Bosnjës. Që nga krijimi i federatës e deri në rizgjedhjen e sërishme të Dodikut, Bosnjë-Hercegovina vazhdon të mbetet një shtetet i brishtë dhe i paperspektivë. I gjendur në mes Zagrebit dhe ndikimit të Serbisë, Sarajevës zyrtare nuk i kanë mbetur shumë opsione. SHBA tash e tutje me fitoren e Dodikut, duhet të qartësojë pozicionin ndaj Sarajevës dhe të ardhmes së shtetit boshnjak. BE-ja në një kumtësë pas shpalljes së fitores së Millorad Dodikut, bëri të njohur se Bruskeli qëndron pas sovranitetit të Bosnjës – Hercegovinës. Megjithatë, qëndrimi i BE-së dhe i SHBA-së është i parëndësishëm për serbët dhe kroatët qoftë brenda dhe jashtë federatës, pasi në vazhdimësi kanë dhënë shenja të ndarjes prej federatës dhe bashkimit me Serbinë apo Kroacinë. Sarajeva zyrtare e ballafaquar nga presioni serbo-kroat po ndjehet e pafuqishme dhe e izoluar për të penguar përpjekjet për shkëputje të dy etniteteve tjera federale. Historikisht Sarajeva nuk ka pasur fat, pasi ka qenë pjesë e lojrave të Fuqive të Mëdha të kohës dhe mund të themi edhe tani. Kështu, kriza e vitit 1908 ose ndryshe e quajtur si ”Kriza e Bosnjës”, çoi në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore (LPB). “Kriza e Bosnjës”, filloi pas aneksimit të Bosnjë-Hercegovinës nga Austro-Hungaria. Deri në vitin 1878, Bosnja- Hercegovina ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Austro-Hungaria e pushtoi territorin me marrëveshjen që doli nga “Kongresi i Berlinit”, i vitit 1878. Më tej aneksimi austro-hungarez shkaktoi pakënaqësi në qarqet diplomatike evropiane dhe ballkanike, e veçanërisht në Serbi dhe në Rusinë carsite. Serbia nuk u pajtua më këtë aneksim të Bosnjë – Hercegovinës. Serbia kishte shpresuar të bënte bashkimin e sërbëve në një shtet duke përfshirë Bosnjë -Hercegovinën. Nga ana tjetër, Rusia në krye me diplomatin  Aleksandër Petroviç Izvolski (1856-1919) mbështeti pretendimet serbe ndaj Bosnjë-Hervegovinës. Në këtë raporti të ri të fuqive, Viena zyrtare reagoi duke kërcënuar se do të pushtonte Serbinë. Duke e pasur Gjermaninë si një aleat të fuqishëm, Rusia nuk mund të rrezikonte të hynte në një luftë të re me Berlinin dhe Vienën dhe vendosi të pajtohet me gjendjen e re në  Ballkan. Siç dihet “Kriza e Bosnjës”, i acaroi marrëdhëniet midis Serbisë dhe Austro-Hungarisë, gjendje e cila më vonë ndezi Luftën e Parë Botërore. Duke e vështruar situatën aktuale në Ballkan, sidomos faktori i jashtëm SHBA dhe BE duhet të marrin mësime nga historia e Bosnjë-Hercegovinës dhe rëndësisë strategjike që paraqet ky shtet për ruatjen e paqës në Ballkanin Perëndimor. Në qoftë se nuk do të mundet të ruhet tërësia territoriale e federatës, të paktën që mund të bëjnë në të ardhmen Fuqitë e Mëdha e në veçanti Uashingtoni, është garancia e mbijetesës së pjesës boshnjake e cila po rrezikohet nga dominimi serbo-kroat. Gjetja e një zgjidhje të përhershme për Sarajevën është po aq e rëndësishme sa përfundimi i luftës në Ukrainë, ku Rusia bashkë me Serbinë janë faktor destabilizues dhe kontribues të mosmarrëveshjeve të reja në Evropën Lindore dhe në Ballkanin Perëndimor.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.