Një hap drejt BE-së, por shumë punë i mbetet qeverisë në Shkup

SELIM IBRAIMI

Parlament i Maqedonisë së Veriut aprovoi propozimin francez të shtunën duke shënuar fundin e një debati të ashpër në mes pushtetit dhe opozitës maqedonase. Të dyja shtetet e Ballkanit, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mund t’i nisin bisedimet me BE-në, këtë muaj duke bërë një hap mjaft të rëndësishëm në rrugën  europiane. Nga ana tjetër diplomacia gjermane vazhdon të punojë për një Ballkan të ri. Pas një takimi me kryeministrin slloven Robert Golob, kancelari I Gjermanisë Olaf Scholz njoftoi për organizimin e Samitit të Ballkanit Perëndimor në Berlin në nëntor të këtij viti për t’i dhënë një shtysë të re Procesit të Berlinit. Ngjarja duket në rregull për Ballkanin Perëndimor, poqese gjërat nuk do të shkojnë mirë në Shkup dhe ndryshimet kushtetuese nga parlamenti do të kalojnë me vështirësi. Pavarësisht ngjarjeve në vijim, në përgjithësi duhet menduar se BE-ja është i vetmi opsion tani për tani për shtetet e Ballkanit dhe zgjidhjet tjera janë jo të mira. Megjithëse shumë zhvillime janë të paqarta në Shkup, përsëri mbizotëron mendimi se Shkupi duhet të jetë pjesë e BE-së dhe nismave europiane. Politika gjermane Ballkanin e sheh si pjesë të BE-së dhe për këtë është Procesi i Berlinit i cili muajve të fundit u sfidua për së koti nga “Open Balkans”.

Samiti i këtij nëntori do të jetë i rëndësishëm, pasi vjen në kohën e hamendjes ballkanike, rritjes përsëri të ndikimi rus, pavarësimit të BE-së nga gazi rus dhe luftës së papërfunduar në Ukrainë nga Moska. Në këtë drejtim nismat rajonale janë të mirëseardhura nëse shkojnë paralel me të tjerat ato europiane e jo të dalin si pakënaqësi nga politikat zgjeruese të BE-së ndaj rajonit. Këtu duhet thënë se nuk është herët që qeveritë të mendojnë se çka më tej rreth hapjes së kapitujve të BE-së, sepse një ditë do të vijë koha kur të gjitha premtimet e vendeve kandidate të bëra me vite të testohen nga makina skenuese e BE-së. Në qoftë se duam të dukemi si shtet normal europian me të drejta sociale dhe shumë përfitime ekonomike, atëherë vendet kandidate duhet të nisin të punojnë seriozisht që që tani. Harmonizimi i ligjeve të vendeve ballkanike me ligjin e BE-së duhet të mbetet një ndër përparësitë e Shkupit dhe Tiranës. Nuk është vonë të punohet me ligjet sociale të sistemit pensional ku Maqedonia e V. po bën shkelje të të drejtave të punëtorëve. P.sh. një individ i pensionuar nga Zvicra dhe Gjermania nuk është në gjendje të marrë dy pensione të plota, një prej shtetit maqedonas- poqese i njëjti para se të emigronte në vendet e BE-së ka paguar kontribute shëndetësore dhe sociale në sistemin maqedonas. Dhe tjetra është pensioni nga shtetet e BE-së ose shteti përkatës ku i njëjti ka paguar kontribute. Tregimet e individëve të prekura nga ky diskriminim, tregojnë se organet maqedonase në këtë rast ua përgjysmojnë pensionin vendor me arsyetimin se po të njëjtit gëzojnë një pension nga vendet e BE-së. Këtë lloj diskriminimi që e bëjnë  organet maqedonase apo edhe në shtetet tjera ku kemi raste drastike të shkeljeve të të drejtave të njeriut, është e pa tolerueshme. Rreth padrejtësive të tilla tash për tash nuk ka reaguar askush, pasi paraqiten si raste të izoluara, por në të vërtetë të gjitha veprimet e organeve maqedonase janë në kundërshtim me ligjet e BE-së. Pas fillimit të hapjes së bisedimeve me BE-në, koha është që të bëhen reforma të vërteta dhe jo formalisht, sepse nëse nuk do të veprohet dhe mendohet si në BE, është e kotë të thuhet se “Europa na pret”.

Kur jemi tek veprimet konkrete europiane, BE-ja i ka kryer detyrat me propozimin francez. Mbetet të shihet se si do të reagojë popullata maqedonase dhe politika opozitare nëse do të jenë në gjendje të pranojnë apo jo këtë situatë të re e cila mund të sjellë ndryshime në Maqedoninë e V. Duhet thënë se maqedonasit me propozimin francez nuk humbasin asgjë, përkundrazi e forcojnë edhe më shumë identitetin e tyre, pasi paraqiten si komb i vetëm që jeton dhe është bartës i sovranitetit në Maqedoninë e V. Nga ana tjetër, është për tu habitur se në çfarë gjendje të mjerueshme është politika shqiptare në Maqedoninë e V. e cila nuk po arrin të largojë përqindjen kufizuese nga kushtetuta. Të mos flasim për popull shtet-formues. Dhe kështu mbeten vetëm me lavdërimet për luftën e pakuptimtë dhe të madhe që bëjnë për identitetin e pa rrezikuar maqedonas dhe zotërimet që shkojnë në favor të maqedonasve. Sidoqoftë, pranimi i propozimit do të qartësojë rrugën drejt BE-së e cila nuk do të jetë e lehtë, pasi kërkon ndryshime të ligjeve dhe përshtatje po të njëjtave. Zakonisht në Ballkan dhe në Maqedoninë e V. sundon mendësia e vjetër komuniste dhe urrejtja etnike e cila procesin integrues do ta bëjë më të vështirë. Fundja partnerët europianë dhe amerikanë na kanë zgjatur dorën, por mbetet të shihet se çfarë dore do të zgjasin maqedonasit ndaj BE-në, fqinjëve dhe më e rëndësishmja ndaj grupeve etnike dhe këtu ndaj shqiptarëve. Ngjarjet e fundit në Shkup, tregojnë për fytyrën e vërtetë europiane që Maqedonia e V. mund të tregojë dhe bartë në BE në të ardhmen. Samiti në nëntor është një rast i mirë për tu përmirësuar dhe kërkuar falje para të gjithëve si shtet dhe vend që duhet të hapë dhe mbyllë kapitujt e BE-së.Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.