Nga Besim CENGU
Jusuf Buxhovi me “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, dëshmon se është origjinal si për nga kapja e temës, ashtu edhe për nga përdorimi i stilit letrar. Me këtë vepër ai përshkruan një fazë të asaj epoke historike kur luftës së pamëshirshme për asimilim nga armiku, i vihet përballë vitaliteti kombëtar, qëndresa e tij e paepur përballë pushtimit.
Autori romanin e ka ndërtuar mbi bazën e rrëfimit e të shënimeve historike të personazhit kryesor, mjet ky që i ka dhënë mundësinë e analizës së hollë të ngjarjeve e meditimit sipas situatave të veprimit. Në këtë mënyrë është paraqitur edhe bota e personazheve më mirë, janë dhënë qartësisht aspiratat dhe idetë e tyre, që në fund të fundit janë ide të vetë autorit.
Që në faqet e para, vendosen përballë dy forca; nga njëra ana një komb i padëgjueshëm, i papërkulur, trim, me shpirt të madh prej poeti dhe këngëtari, luftëtar i pamposhtur ndaj të keqes. Madje për këto tipare që rrallë kombe tjerë i kanë, kanë shkruar edhe historianë e kronikanë që nga lashtësia. Nga ana tjetër qëndron pushtuesi i pamëshirshëm e shumë dinak, që përdor njëmijë e një mënyra për shfarosjen e këtij populli krenar. Pezull përmbi qytetin ku zhvillohen ngjarjet e romanit qëndron hija e rëndë e vdekjes, e persekutimit, e shkatërrimit të strukturës shpirtërore. Mbi të gjithë malësinë e qytetit qëndron një re e trashë mikrobesh që ndjellin në çdo çast vdekjen, një vdekje e qetë dhe e padukshme që vjen si pa kuptuar, por e orientuar dhe llogaritur shumë mirë nga dikush.
Pse pikërisht në këtë situatë paraqitet gjendja? Autori këtë e jep si rrjedhim logjik i përpjekjeve të mëdha e të gjithanshme të pushtuesit për të arritur qëllimin e vet. Historia ka treguar se krahas luftës së dukshme, është përdorur edhe rruga e luftimit të padukshëm, ajo e shfarosjes së popujve në mënyra tjera të sofistikuara, në këtë rast shfarosjes përmes mikrobit dhe asimilimit të kulturës shpirtërore, dmth, përmes shkatërrimit të strukturës shpirtërore të një kombi. Mirëpo këto armë të dyta zakonisht janë përdorur në fund, pikërisht atëherë kur qëllimit nuk i është arritur nëpërmjet luftës së dukshëm. Në “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” koha kur përshkruhen ngjarjet është koha e lodhjes së armikut, e dëmtimit të tij si nga ana fizike, ashtu edhe në aspektin psikologjik të tij. Kjo mundje vjen se për më shumë se tre shekuj me radhë “teoria e shfarosjes” nuk po ecë sipas parashikimeve e përcaktimeve për krijimin e njeriut të modelit osman.
Viti 1747, kur autori vendos ngjarjet, është në vijimësinë e atyre viteve, në të cilat populli shqiptar përjeton vuajtjet më të rënda, por njëkohësisht është edhe periudha kur shumë humanistë shqiptarë të shkolluar përpiqen të përjetësojnë historinë e të zgjojnë vetëdijen e kombit si Barleti, Buzuku, Bogdani, Bardhi, Budi, vetë Gjan Nikollë Kazazi etj, rrugën e të cilëve e kanë si ideal Coli, Selamiu etj në roman. Edhe Gjon Nikollë Kazazi, bota e të cilit jepet e plotë në roman, edhe Coli janë atdhetarë, me synime të mëdha e përparimtare për të tashmen e për të ardhmen e atdheut. Si të tillë ata janë buzëqeshja e Rilindjes tonë kombëtare e cila nuk do të vononte. Për Colin, dituria, mësimi i gjuhës shqipe, shkrimi i vjershave e mbledhja e këngëve të gjata, sjellin vetëdijen e kombit. Ja cili është synimi i tij: “Në dashtë zoti që këtë hata ta kapërcejë me sa më pak humbje, – thotë ai pas shfaqjes së mortajës, – me tërë shpirtin e forcën do tu kushtohem çështjeve tona të mëdha siç është poezia dhe alfabeti”.
Gjon Nikollë Kazazi është figura historike që i takon të parit edhe merita për zbulimin e “Masharit” të Buzukut në vitin 1740 gjatë një vizite të tij në Romë. Gjithashtu ai hartoi edhe një libër me alfabet të vetin të cilin e kishte përdorë më parë Bogdani.
Romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” artistikisht dhe strukturalisht është e ndërtuar mjaft mirë. Trillimi artistik me të vërtetat historike i japin jetë kësaj vepre artistike, gjë që ndihmon dukshëm në interpretimin drejt të problemeve, por edhe në zbërthimin e plotë të ideve që shtrohen. Për shëmbëlle në roman shtrohet ideja se në vendin tonë feja nuk ka patur ndonjë ndikim të veçantë, nuk ka qenë ideal e botëkuptim në qenësinë shqiptare. Edhe përçarja fetare nuk ka gjetur vend asnjëherë, ndaj mirëkuptimi e bashkimi gjen vend logjikë mes gjithë shqiptarëve, pa dallim feje e krahine.
Dihet se shekujt 15-të, 16-të, 17-të, përveç ndërmarrjeve të tjera, janë edhe shekujt e një fushate myslimanizmi intensiv, por në të njëjtën kohë kjo fe nuk është e ngulitur thellë në botëkuptimin kolektiv, pasi politika e fesë ishte më pak ndikuese se sa ndjenja e mos ndarjes dhe e mos prishjes së gjakut. Për një gjë të tillë flet qartë edhe lidhja mes familjes së Kazazëve e të Mulajve, të cilët jo vetëm se kishin pirë gjak, por ishin edhe kushërinj. Vetëdija kolektive kombëtare, asnjëherë nuk është shuar në mesin e shqiptarëve. Gjon Nikollë Kazazi si figurë reale historike, paderë Coli, Lam Mula, Selami Taraku, Shpend Vokshi e Shaqë Hima, si përfaqësues të denjë kundër së keqes, në vepër ngrihen për çështjen kombëtare deri në përmasat e heronjve. Lam Mula ndërmori misionin e grithje në të gjitha krahinat duke mos përfillur as rrezikimin e jetës. Ai vdes me idenë: unë po vdes, por fituam ndaj së keqes.
Armiku ka përpiluar programin afatgjatë të zhdukjes masive me rrugë të përcaktuara nga shkencëtari Osman Inxh Karaogllu i cili synon për “krijimin e kombit osman si produkt të marrëdhënieve të reja shoqërore”. Sipas tij i kishte ardhur koha e shfarosjes me mikrobe dhe e shkatërrimit të strukturës shpirtërore të kombit të panënshtruar e krenar, pasi siç vëren Karaoglluja në një raport “ata (shqiptarët) janë të çuditshëm, luftën e kanë profesion jetësor. Ajo i forcon dhe i përtërin. Për asimilimin e tyre duhen gjetur rrugë të veçanta, pasi vetëdija e tyre kombëtare është aq e madhe, sa që atë nuk e ka trazuar as ndasia fetare (kanë tri fe thotë ai). Sipas tij “sëmundjet janë rrugë e veçantë” kundër shqiptarëve.
Në drejtim të kulturës, armiku lufton me të njëjtën forcë duke mos lejuar aspak zhvillimin e saj. Zhdukja e një kënge të gjatë është e njëllojtë si edhe zhdukja e njeriut që e këndon atë, e atij që mbron ose ka dashuri për të. Shumë domethënës është rasti i martirizimit të plakut që nuk tregoi rapsodët që kënduan këngë trimërie në dasmën e djalit të tij. Ai u var, por siç thekson autori “për fshatarin e varur që përbuzi tradhtinë nuk ka vdekje, që sonte (ai) do t’i thuret një këngë e gjatë, e cila do të këndohet në dasma brez pas brezi”. Pra ai nuk është i vdekur, por i përjetësuar. Me këtë akt atij i ngrihet përmendorja e pavdekësisë, siç ndodhi me Lam Mulën që menjëherë pas vdekjes së tij ushtoi kënga: Lam Mula/ ka dekë/ Për të kajti/ Shehër e Rekë. Në vendin tonë në kësi kushtesh lindi kënga, në mes luftës e qëndresës. Autori e di mirë këtë, pasi edhe historinë përgjakshme të popullin e di mirë. Në rast se në disa vende tjera i këndohet dashurisë së pafat, në kombin tonë dy faktorë kanë përcaktuar këngën; betejat shumëshekullore dhe vitaliteti kombëtar. Armiku e di këtë ndaj mundohet ta mbysë këngën. Mirëpo nga ana tjetër nuk di tjetrën, se edhe plakun e varur, edhe ngjarjet tjera të përgjakta për shkak të tij i ka dyzuar përjetësisht, edhe si qenie, edhe si ide, pasi “në çdo këngë, – thekson autori, – koha muroset me idealin e lirisë”. Është më se e vërtetë kjo se kënga asnjëherë nuk lind tek ai që pushton, por tek ata që mbrojnë trojet e veta. Si të tillë ata që pushtojnë e kanë shpirtin e vogël, janë pa ndjenja e kulturë, kurse ata që mbrohen pasurojnë fondin e tyre shpirtëror, historinë, kulturën, e pse jo ripërtërihen e bëhen çdo herë e më trima. Por që kultura e një populli të mbahet gjallë kërkohen njerëz si Kazazi, Coli, Lami e Selamiu. Historia jonë e lashtë por edhe e sotmja ka treguar se njerëz të tillë kurrë nuk kanë munguar. Para tyre në të njëjtën mënyrë e përkushtim kishin punuar edhe Buzuku, i cili në vitit 1555 shkroi “Mesharin”, Budi e para tij Pali prej Hasi, i cili i frymëzoi për të shkruar veprën e vet në vitin 1616, Pjetër Mazreku e Pjetër Bogdani që “Çetën e profetëve” e botoi në vitin 1675 etj. Pas Kazazit më me forcë e vitalitet do të vazhdojnë Nezim Frakulla e Jul Valiboba, Nikollë Keta e Grigori i Durrësit, Hasan Zyko Kamberi e Molla Sali Spata, Theodhor Haxhifilipi e plot të tjerë pararendës të Rilindjes kombëtare, të cilët ndjekin vijimësinë historike.
Gjithashtu duhet thënë me bindje se para librit të parë të Buzukut, me siguri ka patur një traditë të zhvilluar botimesh, por që mjerisht nuk i kemi në dorë. Ato janë zhdukur pos faktorëve të tjerë edhe me orientim edhe nga pushtuesi.
Duke i ditur gjithë këto, planet e armikut janë shumë të zgjuara. Në radhë të parë ai njeh shumë mirë çdo gjë që është për tu njohur, me qëllim që të bëjë të mundur edhe fitoren e tij dhe se ku ta përqendrojë forcën e tij. Ata e dinë mirë se asimilimi i kulturës e “prishja e strukturës shpirtërore” e kombit tonë do të thotë shfarosje, ndaj krahas një veprimi historik të asimilimit me anë të mikrobit, sëmundjes, pra asimilimit fizik, kuptuar figurativisht këtë akt, është i gjithëpranueshëm edhe asimilimi kulturor, rrënimi i vetëdijes kolektive kombëtare, synim që edhe sot e gjithë ditën është i pranishëm dhe kërcënues tek ne. Nisur nga ky kënd vështrimi, romani kthehet në simbol. Përhapja e sëmundjeve me vetëdije e plan të stërholluar e studiuar nga armiku, në radhë të parë është tentativë për të shkatërruar psikologjinë e konstitucionin shpirtëror. Por tek shqiptarët del detyra atdhetare e kundërpërgjigjes së vendosur. Kjo kundërpërgjigje është mospërfillja ndaj të keqes, vetëbesimi i kombit nga shërimi prej saj dhe autori përmes meditimit të heroit kryesor thekson “njerëzit tanë gjithmonë kanë besuar dhe kanë patur vetëbesim të fortë që i kanë ndihmuar t’i kalojnë çuditërisht shumë situata të vështira. Besimi se është i pathyeshëm e kishte bërë të veten”. Ajo ciatja e qerreve që kalonin natën me rënkime, ajo qetësi që kishte mbuluar në dukje qytetin, qetësi e pazakontë e ndjekur hap pas hapi nga ankthi i vdekjes, krijimi i rrethit të pakalueshëm, vihen përballë përpjekjeve anteane për ekzistencë e identitet kombëtar, përfaqësuar nga të gjithë malësorët, nga ato mbi njëqind vjeçarët që lëvizin shumë në roman dhe që në kurrizin e tyre e kishin provuar edhe herë të tjera mortjen. Pra përvoja ata i kishte detyruar që sëmundjen ta luftojnë me mospërfillje krenare (kupto mposhtjen psikologjike të saj “hajt more, grania merren me sëmundje, e jo ne”. Nga ana tjetër, kjo mposhtje psikologjike, shoqërohet gjithherë me bashkimin në ideal për të përballuar tjetrën sëmundje që do të vijë më pas. Lufta me të keqen ka martirë, por në asnjë mënyrë ata nuk bëhen shkas për të sjellë ndër njerëzit pesimizmin, përkundrazi, tek shqiptarët historikisht ata kanë shumëfishuar optimizmin, janë bërë shembuj frymëzimi për fitore. Grithja si veprim, më tepër është akt për të krijuar vetëbesimin tek populli, se sa shërim fizik.
Asimilimi kulturor është njëlloj si asimilimi fizik për një popull, ndaj dhe planet e pushtuesit janë të zgjuara, sidomos për një popull siç është ky yni. Karaoglluja kishte menduar për shfarosjen në masë me mikrobin e mortjes, me luftë të padukshme, por kishte menduar edhe për rrugë të tjera asimilimi në rast mossuksesi. “Përçarja thoshte ai, bën punë të madhe, pasi populli shqiptar është krenar, e si ti tillë këtu kjo rrugë, i bën ata pikë e pesë”. Mirëpo grithjes nuk kishte ç’ti bënte as Ibrahim Pasha, as Shefki Aga. Vija e rrethimit që kishin shpallur ata ishte thyer me kohë e procesi i grithjes për shërimin e sëmundjes psikologjikisht e fizikisht po kryhej në të gjithë malësinë shumë e organizuar, duke prishur kështu gjithë planet e përpiluara nga Karaoglluja. Po në të njëjtën kohë Coli, që i ishin ngarkuar disa krahina për të ndjekur aksionin e gërrithjes për eliminimin e sëmundjes, nuk kishte lënë aspak pas dore idealin e tij për të shkruar vjersha e për të punuar për alfabetin. Ai në roman paraqitet si figurë mjaft simpatike e me kolorit artistik. Kjo figurë, është mjaft e arritur e përfaqësuesi tipik i pararendësve të Rilindjes Kombëtare. Vdekja e tij në fund është madhështore e shumë domethënëse që e ngre atë në monument të idealit për liri.
Figurë tepër interesante në roman është edhe Lam Mula, i cili është përfaqësuesi i luftës kundër armikut. Tek ai është e pafuqishme përçarja fetare. Ky akt është shumë meskin kundrejt idealit të madh për liri e vetëdije kombëtare. Ndërsa Selamiu është përfaqësues tipik i bartësit të poezisë popullore që të kujton bejtexhinjtë e asaj periudhe të mugët. Ai armiqësinë me të keqen, e tregoi edhe kur grisi flamujt e fesë.
Në romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazi”, ardhmëria personifikohet me figurën e Drenit, i biri i Lamit që rrugën e nisur nga i ati e vazhdon suksesshëm. Bashkë me malësorët arrin deri sa shembë kullën e kajmekamit.
Artistikisht romani është i arritur. Autori atë e ka ndërtuar shkurt, me fjalë të zgjedhura e të qarta dhe si i tillë merr frymëmarrje të gjerë si për nga tematika që ka rrokur, ashtu edhe për nga ngarkesa emocionale e figurative. Është i ngjeshur me mendim e përshkohet i gjithi nga vërtetësia historike.
Jusuf Buxhovi është treguar mjeshtër i ndërthurjes të së vërtetës historike me trillimin artistik. Kjo ka bërë që romani të marrë jetë, të ketë shtrirje më të gjerë pa rënë në historizëm. Nisur nga krejt këto, romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, është nga krijimet artistike në prozë më me vlerë të autorëve shqiptarë.
2025-09-20