Jusuf Buxhovi: Historia nuk përsëritet, por përsërit ngjarjet

Nga Laura Laçi  21/06/2025 07:45

Fotografi nga arkivi personal i Jusuf Buxhovit. Foto: Jusuf Buxhovi (Facebook)
Fotografi nga arkivi personal i Jusuf Buxhovit. Foto: Jusuf Buxhovi (Facebook)

Historia nuk përsëritet, por përsërit ngjarjet. Kështu u shpreh për Portalb.mk Jusuv Buxhovi, ish gazetar, shkrimtar dhe historian shqiptar. Në bisedën që realizuam, ai theksoi se historiografia shqiptare ka dy arsye që për të ardhur te e vërteta, së pari të lirohet nga diktati ideologjik dhe së dyti, të thyejë mitologjinë serbe.

Portalb.mk: Edhe pse juve jeni autorë i shumë vëllimeve të rëndësishme këtë intervistë e fillojmë me librin tuaj “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”, na tregoni faktet që përcillni nëpërmjet këtij libri?

Jusuf Buxhovi: Vetë emërtimi i librit “Maqedonia nga antika deri te koha jonë” shpjegon konceptin historik, kulturor dhe politik të një mbretërie ndër më të fuqishmet e antikitetit nga ngritja, në shekullin VI para erës sonë dhe rënia e saj, në shekullin II para erës sonë pas disfatës në luftë me romakët. Nga ajo kohë, pra e rënies, e deri te shekulli XIX, njihet vetëm emërtimi gjeografik i Maqedonisë, që politikisht shfaqet nga Kriza Lindore e këndej, fillimisht si çështje e një popullate sllavofone e shpërndarë në tri vilajete të Perandorisë Osmane (Selanikut, Manastirit dhe Kosovës), me pretendimet e trefishta identitare: bullgare, serbe dhe greke.

Kryengritja e Ilindenit e vitit 1902 dhe krijimi i Republikës së Krushevës, ndonëse jetëshkurtër, nxori në pah krizën e Maqedonisë si mollë sherri midis Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë. Aleancat ballkanike nga mesi i vitit 1912 si dhe luftërat ballkanike tetor-dhjetor 1912 midis Perandorisë Osmane dhe Aleancës Ballkanike (Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë) që do të përfundojë me fitoren e shpejtë të vendeve ballkanike, hapësirën gjeografike të asaj që politikisht u emërtua Maqedoni, e ktheu në plaçkë të trefishtë lufte, ku pjesën më të madhe e mori Serbia (Maqedoninë e Vardarit), Bullgaria (Maqedoninë e Pirinit) dhe Greqia (Maqedoninë e Egjeut).

Popullata sllavofone dhe ajo shqiptare dhe vllehe, në pjesën e pushtimeve nga Serbia, me të shpejtë u shpall serbe, në pjesën e pjesën e pushtimeve bullgare u shpall bullgare, ndërsa në pjesën e pushtimeve të Greqisë-greke. Njëjtë ndodhi edhe me aspektin fetar, me ç’rast kisha ortodokse serbe ndaloi liturgjinë në gjuhën bullgare dhe greke, siç do të ndodhë edhe në pjesët e pushtuara bullgare dhe ato greke, kur gjuhë e vetme e liturgjisë kishtare shpallet bullgarishtja, gjegjësisht greqishtja. Shqiptarët e besimit ortodoks në Maqedoni (pjesa e Pollogut) dhe e Manastirit konvertohen dhunshëm në serbë. Ndërsa ortodoksët e Janinës në grekë! Popullata shqiptare e besimit islam, shpallet turke. Si e tillë duhej të shpërngulej për në Turqi ose të pranojë asimilimin e plotë.

Ky kudër i copëtimit të asaj që gjatë krizës lindore, jashtë kritereve historike, por me ato politike, u emërtua Maqedoni, vazhdoi deri nga fundi i luftës së dytë botërore, kur në gusht të vitit 1944, në përputhje me vendimet e AVNOJ-it të vitit 1943, në mbledhjen e ASNOM-it në manastirin Prohor Pçinski, afër Kumanovës, u shpall republika e Maqedonisë, në kuadër të Jugosllavisë së AVNOJ-it. Me këtë rast shpallet edhe populli maqedonas dhe gjuha maqedone me alfabet cirilik.

Shpallja e republikës së Maqedonisë në vitin 1944 si dhe i kombit maqedonas prej nga në vitin 1991 pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Maqedonia shfaqet si shtet i pavarur, kërkonte një determinim shkencor nga ai historik, siç ishte mbretëria e Maqedonisë në antikitet tek Maqedonia politike. Në veprën time, ky determinim, ka dy pamje: atë nga antikiteti, ku mbretëria e Maqedonisë shihet pjesë e botës pellazge-ilire dhe, pamjen politike-si shtet i dalë nga shpërbërja e Jugosllavisë në vitin 1991, ndërkombëtarisht i pranuar po atë vit. Pamja politike e shtetit të tanishëm të Maqedonisë, ka dy pjesë: atë të Maqedonisë antike dhe të Mbretërisë së Dardanisë.

Shtrirja e hapësinore e këtyre mbretërive të antikitetit tërhiqet nga liqeni i Ohrit në vijën që shkon përpjetë Prilepit përfshinë Shkupin dhe Kumanovën, pra gjithë Maqedoninë Perëndimore, kryesisht të banuar me shumicë shqiptare. Gjatë Perandorisë Osmane, jo rastësisht pjesa e madhe e Maqedonisë i ka takuar Vilajetit të Kosovës me Shkupin si kryeqytet, si qendër e shqiptarizmit politik dhe kulturor, ku jo rastësisht, në gusht të vitit 1912 Hasan Prishtina shpalli katërmbëdhjetë pikëshin, që paraqiste në Shqipëri Osmane, e cila, pas tërheqjes së Perandorisë Osmane nga pjesa europiane do të kthehej në Shqipëri Evropiane, gjë që do të ndodhte po mos të ishin luftërat ballkanike dhe pushtimet serbe, bullgare dhe greke që eliminuan këtë projekt historik shqiptar, paçka se nuk qenë në gjendje ta parandalojnë shpalljen e Shqipërisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912.

Pra, libri im, një konstrukti politik, siç ishte Maqedonia e ASNOM-it dhe ajo që u shpall e pavarur në dhjetor të vitin 1991, ia paraqet pamjen historike dhe atë politike, shpërputhëse me njëra-tjetrën, që më së miri do ta tregojnë marrëveshjet e Manastirit midis Greqisë dhe ish Republikës së Federatës Jugosllave të Maqedonisë, kur Shkupi, me emërtimin “Maqedonia e veriut”, hoqi dorë nga trashëgimia antike e përvetësuar nga helenizmi, për t’iu kthyer asaj sllavofone.

Portalb.mk: Na flisni më gjerësisht rreth këtyre fakteve lidhur me pjesën e Maqedonisë së sotme?

Jusuf Buxhovi: Maqedonia e sotme, pra si shtet i dalë nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, ka pretenduar dhe pretendon statusin e shtetit-komb, pra të maqedonasve, ndonëse të kontestuar politikisht dhe kulturalisht në raport me Bullgarinë dhe Serbinë. Ky pretendim bie ndesh edhe me realitetin etnik dhe atë kulturor-historik të faktorit shqiptar, si popullatë autoktone, që historikisht lidhet me dy mbretëritë pellazge-ilire nga antikiteti (Maqedonisë dhe Dardanisë), siç bie ndesh edhe me aspektin politik dhe kulturor, ngaqë pjesa perëndimore e Maqedonisë jo vetëm që ka paraqitur këtë vazhdimësi dardane, por edhe gjatë perandorisë Osmane, shfaqet si vilajet (i Kosovës dhe pjesërisht i Manastirit) me shumicë shqiptare, ku zë fill lëvizja politike shqiptare për autonomi dhe pavarësi (nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878, revolucioni xhonturk i vitit 1908 si dhe kryengritja e vitit 1912, që si epiqendër pati Shkupin si vilajet të Kosovës, ku edhe u arrit marrëveshja e Hasan Prishtinës me Perandorinë Osmane për bashkimin administrativ, kulturor dhe arsimor në një vilajet, që paraqiste Shqipëri osmane.

Realiteti etnik shqiptar, u mor parasysh edhe me rastin e Konferencës së ASNOM-it në gusht 1944, kur shqiptarëve u njihet statusi i pakicës kombëtare me të drejta të barabarta gjuhësore dhe arsimore. Në republikën e Maqedonisë shqiptarët, ndonëse ekonomikisht dhe kulturalisht të diskriminuar, megjithatë, në kuadër të konceptit të barazisë klasore, ruanin identitetin e tyre etnik, kulturor dhe gjuhësor me statusin e pakicës kombëtare, që në kushtetutën e Jugosllavisë të vitit 1974 u definuar si kombësi e barasvlershme me atë të kombit. Në pjesën e dytë të librit, në atë të Maqedonisë së shtet, i shpallur në vitin 1991 e deri te Marrëveshja e Ohrit e gushtit 2001, kapërthehen gjithë ato zhvillime politike të para nga dioptria e kundërthënieve ndëretnike, të cilat, në vitin 2001 do të çojnë edhe të konflikti i armatosur midis Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe shtetit maqedonas, që do të përmbyllet me marrëveshjen e Ohrit, si një kompromis midis konceptit shtet-komb i shpallur në vitin 1992 dhe atij të shtetit qytetar, ku Maqedonia ri definohet shtet i popullit maqedonas dhe i etnisë së shkëputur shqiptare dhe etnive të tjera.

Ky formulim ndonëse solli ndryshime në skenën politike dhe atë të administratës së shtetit në të mirë të përfaqësimit të shqiptarëve, megjithatë, nuk ndryshoi formulën që kishte shkaktuar krizën që solli të shpërthimi i konfliktit të armatosur ndëretnik për arsye se kërkesat fillestare të UÇK-së për bashkim kombëtar që ishin iluzore, tek ato për Maqedoninë federatë apo konfederatë të dy popujve (maqedonasve dhe shqiptarëve), së fundit u rrudhen te “barazia qytetare”, ku pranohej sovraniteti shtetëror i Maqedonisë i dalë nga Kuvendi i ASNOM-it i vitit 1944.

Formulimi i barazisë qytetare nga Marrëveshja e Ohrit, ndonëse prekte edhe çështjen e barazisë së gjuhës shqipe në të gjitha nivelet, megjithatë, ajo u kodifikua si barazi ligjore dhe jo barazi kushtetuese, në preambulën e saj. Si e tillë, barazia ligjore, është koninkturale, meqë i nënshtrohet raporteve politike, siç janë ato që lidhen me numrat, pra gjuha shqipe ka tretman të barabartë vetëm në bashkësitë kur kalojnë 20%! Kjo është tepër diskriminuese dhe në kundërshtim edhe me të drejtat elementare njerëzore sipas kartës së OKB-së.

Në librin tim kam tërhequr vërejtjen për mashtrimet politike nga Marrëveshjet e Ohrit, ngaqë Maqedonia, përkundër formulimeve dykuptimshme, vazhdon të mbetet me statusin e kombit shtet, ndërsa shqiptarët me statusin e “etnisë së shkëputur” që do të thotë më i ultë se ai që kishin gjatë kohës së ish Jugosllavisë, si kombësi politikisht dhe kulturalisht e barabartë me atë të kombit!

Fotografi nga arkivi personal i Jusuf Buxhovit. Foto: Jusuf Buxhovi (Facebook)
Fotografi nga arkivi personal i Jusuf Buxhovit. Foto: Jusuf Buxhovi (Facebook)

Portalb.mk: A keni pasur vështirësi gjatë hulumtimeve për faktet historike? Si i keni tejkaluar?

Jusuf Buxhovi: Hulumtimet përherë paraqesin sfidë, meqë faktet varen nga përkushtimi ndaj tyre si dhe interpretimi kompleks. Punës sime hulumtuese i ka dhënë shtysë të madhe qëndrimi im shumëvjeçare korrespodent i përhershëm i “Rilindjes” në Gjermani. Aty gjendet thesari i dokumenteve meritore të Krizës Lindore, luftërave ballkanike e deri te ato të luftërave botërore, në të cilat përfshihet edhe etnia shqiptare gjatë mesjetës, Perandorisë Osmane dhe asaj të pushtimeve serbe dhe jugosllave.

Të rëndësishme për atë që shfaqet si krizë e Maqedonisë e këndej, janë dokumentet e Kongresit të Berlinit, ato të ngjarjeve nga Republika e Krushevës, revolucioni xhonturk, kryengritjet e Kosovës 1910-1912, luftërat ballkanike 1912-1913, dokumentet nga lufta e parë botërore, e dyta si dhe rrethanat që çuan të krijimi i republikës së Maqedonisë në vitin 1944 e deri te shpërbërja e Jugosllavisë n vitin 1991 me ç’rast Maqedonia u shpall shtet i pavarur në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes që e kishte në federatën jugosllave.

Krahas dokumenteve, vëmendje të veçantë i kam kushtuar edhe literaturës së shumanshme, nga autorë jugosllavë, serbë, maqedonas, bullgar, grekë e të tjerë, që merren me çështjen Maqedonisë antike dhe asaj politike.

Portalb.mk: Çfarë ju shtyu të hulumtoni thellë historinë e shqiptarëve, përtej asaj që jemi mësuar të mësojmë në shkollë?

Jusuf Buxhovi: Drejtimi im kah historiografia nis pas përfundimit të studimeve në fakultetin filozofi në degën e gjuhës dhe të letërsisë në vitin 1968. Një shtysë e veçantë në këtë drejtim ka paraqitë shkuarja ime si korrespodent i përhershëm i “Rilindjes” në Gjermani, në vitin 1976, me ç’rast, duke punuar në një fejton për shënimin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Arkivin Politik të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, hasa një mal me dokumente origjinale, të panjohura për ne rreth Kongresit të Berlinit, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe zhvillimeve të tjera deri tek përfundimi i luftës së dytë botërore, ku shqiptarët shfaqeshin me intermexo të bashkimeve kombëtare (1941-1945) fillimisht nën kurorën e Shqipërisë së Madhe që e krijoi fashizmi italian (1941-1943) dhe me pastaj në Shtetin shqiptar, të themeluar në nëntor të vitit 1943 nën pushtimin gjerman, por si shtet etnik me një shtrirje prej 74 mijë kilometra katrore (nga Mitrovica e deri në Çamëri), që kishte marrëveshje për neutralitet me Rajhun gjerman.

Meqë asokohe kisha regjistruar shkallën e tretë të studimeve postdiplomike në katedrën e Historisë të Fakultetit Filozofik, ishte e natyrshme që arkivat gjermane t’i shfrytëzoja për temën e magjistraturës “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet gjermane”, që e mbrojtja në vitin 1979. Nga ajo kohë e deri më sot, nuk iu kam ndarë historiografisë. Ajo që më ka bërë më të përkushtueshëm në këtë rrugë ka qenë rënia e diktatit ideologjik që historiografisë në Shqipëri dhe Kosovë i ishte vu nga regjimet komuniste si dhe kundërshtimi i limiteve që historiografisë sonë ia kishte vu historiografia hegjemoniste serbe në përputhje me konceptet e saj që shqiptarët janë të mjegulluar historikisht, pa mesjetë dhe si mbetje fanatike osmane.

Ajo që më ka shtyrë të jem edhe më i vendosur në këtë drejtim kanë qenë gënjeshtrat e historiografisë serbe rreth të ashtuquajtur shtet mesjetar serb në Kosovë, i ndërlidhur me dinastinë Nemanjane të Rashës dhe autoqefalia e kishës ortodokse serbe nga mesjeta, që nuk ka ekzistuar, pos një autonomie të kufizuar nga peshkopata e Ohrit midis viteve 1204-1265, autoqefali kjo që arrihet vetëm në vitin 1923 pas themelimit të mbretërisë SKS.

Portalb.mk: Cili është roli i historiografisë shqiptare sot: zbulimi i të vërtetave, apo ruajtja e miteve?

Jusuf Buxhovi: Historiografia në përgjithësi si shkencë e veçantë u nënshtrohet ndryshimeve, meqë ato ndikohen nga faktet dhe raporteve shoqërore dhe politike. Historiografia jonë ka dy arsye që për të ardhur tek e vërteta, së pari të lirohet nga diktati ideologjik, që për mbi gjysmë shekulli ka përcaktuar binarët e shtrembërimeve ndër më të rëndat, dhe së dyti, që të thyejë mitologjinë serbe rreth shtetit mesjetar serb dhe autoqefalisë së kishës ortodokse serbe gjoja nga shekulli XIII.

Diktati ideologjik dhe gënjeshtrat e historiografisë serbe vazhdojnë të bëjnë jetë, ngaqë një pjesë e mirë e historianëve shqiptarë të përfshirë në akademitë, institutet si dhe universitete, vinë nga mendësia ideologjike, gjë që e kanë të vështirë të ripozicionohen shkencërisht në përputhje me nevojën e ndryshimeve dhe të vërtetën historike. Kështu që, historiografia institucionale në Tiranë dhe Prishtinë, te këto çështje, vazhdon të ruajë e njëherësh të transmetojë diktatin e historiografisë serbe (me refrenin për Perandorinë Serbe në mesjetë dhe Kishën autoqefale ortodokse serbe nga shekulli XIII e të ngjashme), paçka se kështu “legjitimohen” të ashtuquajturat tapi historike dhe kulturore serbe ndaj Kosovës dhe hapësirës tjetër shqiptare.

Kjo qasje antihistorike, prodhoi edhe platformën e Palos së Ahtisarit, me të cilën kishës ortodokse serbe në Kosovë iu dha pronësia e krishterimit ortodoks dhe objekteve të kultit, me çka u hoq dorë nga njëra ndër shtyllat më të rëndësishme të identitetit historik dhe kulturor shqiptar nga mesjeta, kur dihet se krishterimi u zyrtarizua në shekullin IV nga perandori dardan Kosntandini i Madh, kur sllavët ishin në Karpate! Mund të thuhet lirisht se me shfaqjen e krishterimit në Dardani dhe Ilirik dhe zyrtarizimin, lidhet identiteti ynë perëndimor dhe qytetërimin europian, i kontestuar nga qarqe të ndryshme antishkencore për qëllime politike.

Ndërkohë që sllavët që depërtuan në Ilirik, nga shekulli IX e këndej, krishterimin e pranuan në fillim të shekullit X. Janë “meritat” e mbretërisë bullgare të Borisit dhe Samueilit nga shekulli X-XI që me reformën e nisur nga vëllezërit Qiril dhe Metod, themeluan kishën bullgare me liturgjinë sllave (starocrkveni jezik), të cilën serbët, po ashtu e përvetësuan, si liturgji serbe, ndonëse gjuha serbe u themelua nga Vuk Karagjiqi në fillimet e shekullit XIX! Këto fakte janë të mjaftueshme për t’u mbrojtur krishterimi i përbashkët nga përvetësimi nga kisha ortodokse serbe, e cila, mbi të, nga mesi i shekullit XIX e ndërtoi platformën hegjemoniste nga e cila dolën elaboratet për etnocidet, gjenocidet dhe kulturocidet ndaj shqiptarëve dhe hapësirës së tyre etnike, siç ishin ato të viteve 1878, 1912,1918, 1944 dhe i vitit 1999, që u parandalua nga ndërhyrja ushtarake e NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor.

Portalb.mk: Çfarë ju shtyri të shkruani serinë “Kosova”? Si lindi kjo ide?

Jusuf Buxhovi: Kanë qenë dy faktorë që i dhanë shtysë këtij projekti historiografik: tranzicioni i fund viteve të tetëdhjeta që filloi me rënien e Murit të Berlinit në nëntor 1989, me çka bashkimi i Gjermanisë i hapi rrugën rënies së bipolaritetit blokist, luftës së ftohtë e mbi të gjitha shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, si dhe procesi i shpërbërjes së ish Jugosllavisë, me ç’rast Kosova, nga ripushtimin e Serbisë pas rrënimit të autonomisë më 23 mars 1989, e shfrytëzoi që t’i kthehet opsionit të shtetndërtimit, fillimisht me shkëputjen nga Serbia me Deklaratën kushtetuese të 2 korrikut 1990, mandej me shpalljen e saj Republikë në kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator 1990, referendumit për pavarësi në shtator 1991 dhe përfundimisht zgjedhjeve të para presidenciale dhe parlamentare në prill 1992, prej nga u themelua qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera mbi konceptin e rezistencës institucionale aktive paqësore deri tek rezistenca e armatosur e viteve 1998-1999, që solli tek ndërhyrja e NATO-s, protektorati ndërkombëtar dhe përfundimisht te shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Këto kthesa historike, që sollën shtetin e Kosovës, krahas rishikimeve historike, jashtë kornizave ideologjike dhe atyre te diktatit nga historiografia serbe, që kisha filluar me studimin “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878”, e kthyen vëmendjen time kah shkrimi i historisë së shtetit të Kosovës, ngaqë shteti pa histori i ngjanë shtëpisë pa themele.

Por, meqë shtëpia jonë, me mbretërinë e “Dardanisë”, si njërën ndër mbretëritë e trinomit ilir në antikitet (Maqedonisë dhe Epirit), kishte themele nga antikiteti dhe në vazhdimësi, ishte e domosdoshme që emërtimi politik “Kosovë” , i shfaqur në vitin 1867 me rastin e krijimit të Vilajetit të Kosovës, ku me themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në qershor 1878 zë fill lëvizja për autonomi shqiptare përbrenda Perandorisë Osmane që më kryengritjet e viteve 1908-1912 quan edhe tek pavarësia e Shqipërisë më 28 nëntor 1912, të ishte në përputhje me shtetin e shpallur, por njëherësh ky emërtim të përfshinte historinë e Shqipërisë së natyrshme nga mbretëria e Dardanisë, ajo e Maqedonisë dhe mbretëritë tjera ilire deri tek pavarësia. Tri pjesët e para të “Kosovës”, të botuara në vitin 2012, kapnin kohën nga antika, mesjeta e deri te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1912.

Dy pjesët tjera të “Kosovës”, vëllimi katër dhe pesë, përfshinin kohën nga pavarësia e Shqipërisë më 1912 e deri te viti 1944, kur Kosova, përkundër Konferencës së Bujanit e 31 dhjetori 1943 dhe 1 e 2 janari 1944 dhe rezolutës për vetëvendose që parashihte bashkimin me Shqipërinë, në saje të marrëveshjes së E. Hoxhës me Titon, aneksua nga Serbia me statusin e krahinës (rajonit). Projekti u përmbyll në vitin 2017 me vëllimin VI, VII dhe VIII, ku paraqitet koha nga viti 1944 e deri te pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008.

Vëllimi VI kap kohën e protektoratit 2000-2004, e ku përfshihet edhe çështja e Maqedonisë së shtet nga shpallja në vitin 1991 e deri te lufta e UÇK-së në fillim të vitit 2001, që shpërtheu në pjesët veriore dhe mori fund me Marrëveshjen e Ohrit, në gusht 2001. Në këtë vëllim paraqitet edhe roli i faktorit shqiptar në të gjitha zhvillimet, nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë e deri te konflikti i armatosur, ku faktori ushtarak shqiptar si UÇK ishte shumë i suksesshëm, por politikisht i pasuksesshëm, meqë hoqi dorë nga opsionet fillestare (shtet i barabartë i shqiptarëve dhe maqedonaseve) për ta pranuar konceptin e barazisë qytetare, të imponuar nga ndërkombëtarët, që megjithatë, Maqedonisë ia ruajti statusin e shtetit të maqedonase, ndërsa pozitën e shqiptarëve, përkundër disa përmirësimeve në planin administrativ dhe kadrovik, e barti tek ajo e pakicës, barazia kombëtare e së cilës, përcaktohet nga numrat (20 përqindëshi)! Vëllimi VII merret me ngjarjet nga Konferenca e Vjenës e deri te pavarësia.

Ndërsa vëllimi i VIII përfshinë të gjitha dokumentet nga ato të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, katërmbëdhjetë pikëshin e Shkupit të Hasan Prishtinë të gushtit 1912, te akteve të Pavarësisë së Shqipërisë, ato që kanë të bëjnë me kohën e Princ Vidit, me Komitetin e Kosovës nga 1918, programet e partive politike gjatë luftës së dytë botërore, rezolutën e Bujanit, atë të Kuvendit të Prizrenit nga 10 korriku 1945 kur Kosova u aneksua nga Serbia, programin e NDSH-së si dhe programet e lëvizjeve ilegale në Kosovë nga viti 1958 e deri te programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga 23 12 1989. Aty paraqiten edhe dokumentet e Qeverisë së Kosovës nga 1992-1999 si dhe dokumentet e UÇK-së.

“Kosova” në tetë vëllime, përcillet edhe me sintezën “Kosova-histori e shkurtër” botuar në vitin 2020, dedikuar gjithë studentëve, arsimtarëve dhe të tjerëve, që për arsye të ndryshme, nuk mund ta kenë botimin në tetë vëllime. Si separatë mund të merren edhe veprat “Dardania-antika, mesjeta” dhe “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”.

Portalb.mk: Në veprën tuaj “Kosova”, cilën periudhë historike e konsideroni më të rëndësishme për të kuptuar identitetin shqiptar?

Jusuf Buxhovi: Të gjitha periudhat janë të rëndësishme për ta nxjerrë në pah lashtësinë tonë historike nga lidhja me pellazgët, ilirët, mesjeta e deri te koha jonë. Secila pjesë edhe veç e veç siç shfaqet në vëllime të veçanta, i nënshtrohet këtij koncepti. Megjithatë, me rëndësi kulturore po edhe politike shfaqet vëllimi V dhe VI, ku kapërthehet periudha e Rilindjes Kombëtare, ajo e pavarësisë së Shqipërisë dhe zhvillimet që çuan te pavarësia e Kosovës, që me të drejtë mund të merret arritura më e madhe e shqiptarizmit në këtë shekull.

Portalb.mk: Cila është vepra juaj më e afërt me shpirtin tuaj dhe pse?

Jusuf Buxhovi: Veprat për autorin janë si fëmijët për prindin. I dallon mosha, por assesi dashuria atërore.

Portalb.mk: Çfarë mesazhi do të dërgonit për ata që janë të pasionuar pas studimit të historisë dhe letërsisë shqiptare, duke pasur parasysh edhe përvojën tuaj të gjatë si shkrimtar dhe historian?

Jusuf Buxhovi: Historia është mësuesja e jetës. Ajo nuk përsëritet, por përsërit ngjarjet… Ndërsa letërsia është çlirim, është liri… (www.portalb.mk)