TEARCA E DIKURSHME QË GËZONTE STATUSIN E PAZARIT

Syrja Etemi -Këtu, me këtë rast, nuk do të kridhem në historinë e trazuar, të vagëlluar e të bujshme të Tearcës, sepse druaj se nuk do të mund ta sfidoj atë, prandaj vendosa që më së pari të përshkruaj në disa akcente vetëm Tearcën në fund të shek. XIX e këtej. Duke shfletuar dokumente të sh. XIX dhe shënime nga udhëpërshkrues të ndryshëm të kohës, kuptojmë se Tearca që herët ka qenë një qendër mjaft e rëndësishme e Pollogut verilindor. Andreja Stojanov (mësues bullgar: 1866-1894 në Tetovë), për këtë vendbanim shënon se ka 3-4 dyqane mallrash dhe manufakturash, 2 kovaçhanë dhe një samarxhi. Gj. Petrovi më 1896 shkruan se Tearca në atë kohë ka pasur 40 dyqane, 20 dërstila (valavejca) dhe 10 mullinj, kurse Cvijiqi më 1911, duke e konsideruar Tearcën si qytezë dhe qendër të Anasharrit, shkruan se, në të ka 50-60 dyqane. Që në këtë kohë, në rrugën kryesore ka ekzistuar dhe funksionuar Çarshia, zhvillim ky që vazhdoi edhe pas tërheqjes së Turqisë nga Ballkani (1912). Kështu, është me rëndësi të ceket se, për një kohë të shkurtër (1929-1930), Tearca ka gëzuar statusin e qytezës, të fituar me vendim të Administratës shtetërore në Beograd, në Banovinën e atëhershme të Vardarit. Ka qenë e përcaktuar edhe dita e pazarit (që ka qenë dita e enjte) për krejt vendbanimet e Anasharrit, nga Xhepçishti e deri në Odër e Vratnicë. Gjithçka ka patur në këtë Pazar të Tearcës: bojaxhi, kazanxhi, biçkixhi (sharrë), abaxhi, kovaçhanë, kollarë, berberë, kundraxhi, qymyrxhi, nallbanë, terzi (rrobaqepës), teneqexhi, zdrukthtari, kasapnicë, bukëpjekës (furraxhi), ëmbëltore, bozaxhi etj… Edhe pse më vonë ky status shfuqizohet, ky vendbanim nuk e humbi rëndësinë dhe “namin” që kishte, që para luftës së dytë botërore. Ai, ka qenë dhe mbetet akoma qendër administrative, prandaj, vazhdon gjallërinë dhe ritmin e duhur të zhvillimit, si në aspektin infrastrukturor, po ashtu edhe në atë bujqësor, ekonomik e tregtar, (sidomos, vlen të përmendet këtu Ndërmarrja Tregtare: “Bistrica”-1954). Këtu janë edhe dy objekte shkollore, (ku i pari është ndërtuar që në vitin 1933). Këtu formohet klubi futbollistik: “Bistrica”, madje, klubi i mundjes: “Bistrica” – v. 1960 , me anëtarë nga vendbanimi homonim (Sali Hazari, Zuljo Abduli, Zuljo Memeti – Kuka), Sllatina (Zemri Neimi, Sali Neimi), Nerashti (Taip Taipi) e k.m.r). Kështu e kujon Tearcën në vitet 70-ta edhe profesori nga f. Dobrosht, z. Hasan Jashari – në një publikim në profilin e tij të fejzbukut: “Takimi im i parë me Tearcën ka qenë – kur si i vogël, me shokët e brezit tim, me të cilët, një ditë të veçantë për ne, vendosëm të blejmë një top për lojën tonë shumë të dashur të futbollit. Udhëtuam në këmbë nëpërmjet Gllogjës dhe Përshevcës. Atëherë kufijtë ndërmjet katundeve ishin shumë të dallueshëm. Kur mbërrijtëm në Tearcë, pamë një “qytet”. Kishte dyqan ku shitej gazeta. Blemë të gjithë nga një gazetë “Flaka e Vëllazërimit” . Hyrëm në ëmbëltore . Kishte një vetëshërbim të madh. I pamë reklamat e filmit, (në mbrëmje luante “Winetou”) prej ku, kureshtje të veçantë na zgjuan edhe dyqanet dhe kafet ku pihehj çaji, e që ishin plotë e përplotë. Për ne që kishim në katund vetëm një dyqan, ishte një takim mbresëlënës. Pra, një “qytet” i vërtetë – me të gjitha bizneset e vogla: berber, furaxhij, kasapë, terzi , kallajxhi, bojaxhi, mullixhi, teneqexhi, sheqeraxhi, farkëtar, maqinë leshi, zdrukthtarë, këpucar etj. …..Në kujtim e kam përherë atë pamje , atë gjallëri të Tearcës të viteve shtatëdhjeta. Ai motiv ende tek unë është i ngrohtë e shumë miqësor…” Që të mos stërzgjatem tepër, do ta përfundoj këtë prezentim për Tearcën e dikurshme, me dëshirën dhe premtimin që, më gjërësisht do të shkruaj në ndonjë “shkas” të radhës, sepse, gjithmonë, ka ç’të shkruash për këtë vendbanim mbresëlënës dhe qendër komunale e zonës së Tearcës. https://www.facebook.com/profile.php?id=100087227911046