Kërcënime të reja në të ardhmen e afërt

Selim Ibraimi- Nga viti 1961 deri në vitin 1989, Muri i Berlinit ishte një nga pengesat jo vetëm fizike në mes Perëndimit dhe botës komuniste. Mirëpo tre dekada pas, kufiri i dikurshëm që kalonte përgjatë Berlinit si duket u zhvendos më tej në Evropën Lindore, në mënyrë spektakolare në një formë tjetër të përsosur me dronë për të parandaluar aktivitetet ruse në atë pjesë të Evropës. Politika e re sugjeron se një pjesë e “strategjisë së madhe” të shteteve të botës perëndimore ka filluar të vihet në lëvizje, kurse në Ballkan në përjashtim të Serbisë mbetet e njëjta.

Konkurrenca e shteteve në garën e sigurisë ushtarake, pavarësisht epërsisë së një grupi të shteteve, nuk përfundon vetëm me vendosjen e një “muri” të ri me dronë për të parandaluar sulmet ruse. Kjo nënkupton një ndarje të re në mes koalicionit të shteteve të quajtura demokratike dhe atyre autoritare. Pavarësisht linjave ndarëse, për t’i arritur objektivat e këtij shekulli, qeveritë duhet të ndërmarin disa veprime që kërkojnë një mobilizim të madh ekonomik, ushtarak, social, medial dhe politik. Këtu bëhet fjalë për përpilimin e një koncepti strategjik të një shteti në kohë të turbullta. Meqë asnjë qeveri në çështjet globale nuk e di të ardhmen, kombet qoftë me dhe pa ndikim duhet të zhvillojnë një koncept strategjik për t’i përballuar më lehtë kërcënimet.

Ndryshe, strategjia në kohët e lashta ndërtohej në kushte tjera, por në thelb mbetet e njëjta pasi lidhet me mobilizimin e përgjithshëm kombëtar. Koncepti strategjik gjithashtu varet nga marrëdhëniet në mes shteteve në rrethana të mira apo jo ndërkombëtare. Kjo nënkupton që ndërtimi i një strategjie duhet të shkoj përtej kufizimeve aktuale, duhet të shtrihet përtej konflikteve. Strategjia në përmbajtje duhet të tregojë disa veprime të qeverive në kohë paqeje për të parandaluar luftërat e reja në me shteteve se sa përgatitje për luftë të përgjithshme. Por sot në kohën e një konkurrence të madhe, ekzekutimi i strategjisë kërkon përdorimin e burimeve materiale, mobilizimin social, ekonomik, diplomatik etj etj.

Termi “strategji e madhe” u përdor për herë të parë nga ushtaraku dhe autori britanik Liddell Hart në vitin 1967 me botimin e tij të vitit 1929 “Strategjia”: Qasja e tërthortë. Nëse zbresim në terrenin evropian dhe atë ballkanik, ku gjërat po ndryshojnë shumë shpejt, adresimi i kërcënimeve që vijnë nga njësitë paraushtarake dhe ato ndryshimit të kufijve, do të bëhen më të domosdoshme se kurrë. Pasi në Evropën Lindore aktualisht kemi kufj të përcaktuar fizik, përjashtuar Ukrainën, në Ballkan çështjet janë ende të hapura. Muajve të fundit kemi parë lëvizje të forta separatiste të serbëve të Bosnjës, duke përfshirë dhe Kosovën ku po bëhen përpjekje nga jashtë për shkëputje të veriut. Për të bllokuar veprimet në shkallë të gjerë nga jashtë dhe brenda territoreve të ndjeshme, Kosova dhe Bosnja, me forcat e tyre apo edhe nga jashtë, duhet të investojnë në konceptin strategjik për të zmbrapsur të gjitha format e agresionit në çdo kohë.

Pasi jemi duke analizuar nevojat strategjike të shteteve, për të qenë në hap me kërcënimet bashkëkohore, qeveritë e rajonit kryesisht ato që janë në sulme të përhershme të Serbisë, duhet t’i integrojnë burimet ekonomike, ushtarake, politike dhe njerëzore në një koncept të përbashkët strategjik. Edhe pse nuk është e lehtë të bashkohen të gjitha forcat për një qëllim, koha e vështirë do t’i detyrojë shtetet të hynë në projekte të tilla. Këtu gjithashtu si shembull mund ta marrim Turqinë, ku nga një shtet me zhvillim të ultë gjatë shekullit të XX-të, sot ka arritur të bëhet fuqi rajonale ekonomike dhe ushtarake. Gjithashtu si shembull mund të marim Shqipërinë ose Serbinë të cilat kanë zhvilluar një strategji afatgjate të një koncepti strategjik për shekullin e XXI.

Koncepti i Shqipërisë nuk i rrezikon shtetet fqinjë, ndërsa ai serb ka përbërje fetare dhe nacionaliste kundër kombeve fqinjë. Andaj si koncepte dallojnë, pasi njëri është për paqe dhe mbrojtje, ndërsa ai serb për luftë të përhershme me të tjerët. Përderisa lufta në Ukrainë vazhdon, me një Bosnjë buzë kolapsit, pasiguri të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, shtetet e kësaj kategorie detyrimisht do të kenë nevojë të ndërtojnë një koncept të qartë strategjik. Ngjarjet e fundit në shtetet e mësipërme, tregojnë për një mungesë të konceptit strategjik. Zhvillimet e fundit në Ballkan, sugjerojnë që vendet së shpejti do të jenë nën një ndikimin të lartë të aktorëve të jashtëm e të brendshëm.

Në të njëjtën kohë, mund të shfaqen trazira në zonat multietnike të shteteve të Ballkanit. Përshkak të përbërjes etnike, fetare dhe kulturore të rajonit, jo gjithherë ekzistojnë opsione të duhura për të parandaluar plotësisht çdo sulm qoftë nga brenda apo nga jashtë. Por, këtu shtetet mund të bëjnë diçka për t’i bashkuar forcat në një “strategji të madhe” si mekanizm për t’i arritur objektivat kombëtare. Në këtë rast, është e domosdoshme të punohet shumë për të qenë më specifik në fushën e strategjisë, ku një vend duhet të vendosë plane dhe burime për t’iu kundërvënë kërcënimeve aktuale dhe atyre në të ardhmen e afërt nga Balltiku e deri në Ballkan.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.