Të gjitha preambulat e Maqedonisë: bullgarët në Kushtetutë apo shtet qytetar?

Nga Muhamed Halili- Ka më tepër se tridhjet vite që kemi kokëçarje me preambulat e kushtetutave tona. Në memoaret e tij të titulluara “Maqedonia është e gjithë ajo që e kemi”, kryetari i mëparshëm Kiro Gligorov pranon se disa të drejta të cilat shqiptarët( së paku edhe në letër) i gëzonin gjatë kohës së jetës së përbashkët në RSFJ, me pa të drejtë u kufizuan me Kushtetutën e vitit 1991.

Të njejtën e shkruan edhe Stojan Andov në librin e tij “Në mënyrën time”. Të njejtën e kemi përsëritur edhe ne deputetët e PPD-së në Kuvend të Republikës Socialiste të Maqedonsië dhe në të gjtiha institucionet evropiane dhe ndërkombëtare.

Në Kushtetutën e Republikës Socialiste të Maqedonisë (7 shkurt 1974), jo në Preambulën sepse ajo nuk ekziston, por në pjesën normative të tekstit në nenin 1 të Kushtetutës shkruan: Republika Socialiste e Maqedonisë është shtet kombëtar i popullit maqedonas dhe shtet i kombësisë shqiptare dhe turke që jeton aty, bazuar në sovranitetin e popullit…”

Ky definim u deformua në kuptimin negativ, u modifikua dhe u promovua me Kushtetutën e vitit 1991. Atëherë ne protestuam dhe nuk e pranuam atë definicion dhe e gjithë kjo ishte e papranueshme në pjesën normative të kushtetutës.

Atëherë bashkësia ndërkombëtare inicoi bisedime dhe negociata mes përfaqsuesve të Qeverisë dhe përfaqsuesve të partive politike shqiptare PPD-PDP me ndërmjetsimin e ambasadorit gjerman Geert Ahrens në suazat e konferencës së Hagës për Jugosllavi.

Në librin e tij “Diplomacy on the Edge”, (Diplomacia në tehun e thikës) 2007, në faqen 403 Ahrens shkruan se definimi “…shtet kombëtar i maqedonasve me të drejta minoritare të grupeve tjera etnike ishte një model i zgjedhur me kushtetutën e 17 nëntorit 1991 dhe ishte një definicion që nuk u pranua nga ana e shqiptarëve…”

Ajo që është e shkruar në Preambullën e  ndryshimeve kushtetutare të vitit 2018 për të cilën një parti politike në press konference lëvdohet nuk është asgjë tjetër veçse një variant i modifikuar i Preambullës së Kushtetutës së vitit 1991, të cilën deputetët shqiptarë nuk e votuan dhe asgjë tjetër.

Një nga definicionet e shumta për minoritetet nacionale në dokumentet e Këshillit të Evropës, është edhe definicioni se minoritet është pjesë e të njëjtit popull që jeton në një shtet tjetër. Do të thotë se bëhet fjalë për popujt e ndarë nga e ëma por që jetojnë në një shtet tjetër. Ky është fenomen i vendeve fqinje.

Me ndryshimet  e vitit 2018, në emër të « hyrjes në Evropë” dhe magjisë së Zoran Zaevit deputetët e partive politike shqiptare e forcuan edhe më tej pozitën minoritare shqiptare në Kushtetutë dhe asgjë tjetër dhe këtu nuk ka vend për rrahje gjoksi.

Bisedat  dhe negociata  e vitit 1992-94  mes ambasadorit Ahrens në emër të Konferencës së Hagës dhe partive politike shqiptare nuk patën sukses sepse Qeveria nuk e nënshkroi tekstin e punës për shkak të shtypjes së pandërprerë të opozitës së atëhershme VMRO-DPMNE. Konsideroj se duhet përshëndetur akti i VMRO-së që pas 30 vitesh pajtohet për diçka që është dashur ta pranojë atëherë.

Propozimi i  Mickovskit që vagoni i fjalive në Preambullë si “…pjesë e popullit shqiptar, pjesë e popullit turk,…e tjerë e tjerë ti shtohet edhe pjesë e këtij e atij populli duke mbëri deri te shifra e një populli me 63 veta të fshihet dhe të shkruhet Preambullë qytetare  për here të pare pas 30 viteve pranohet nga një parti politike maqedonase. Dhe kjo duhet përshëndetur.

Kandidati për president Arben Taravari është në të drejtë dhe në vijën  e kërkesave politike shqiptare që nga viti 1990 dhe me Marrëveshtjen e Ohrit 2001.

Prandej me argumente jam kundër që për hir të “integrimeve evropiane” shqiptarët si popull evropian ta degradojnë edhe më tepër pozitën e tyre kushtetuese dhe gjuhësore të minoritetit. Sepse në atë rast, pa ngritjen e gjuhës shqipe (e jo gjuhës arithmetike) në nivel kushtetues si gjuhë zyrtare atëherë definitivisht më të përbuzur nuk ka ku shkojmë. Pa marrur para syshë ambicjet e liderëve që brenda natës formojnë lloj lloj partish politike në emër të Evropës vetëm me një qëllim të bëhen deputetë. Por, kjo është e drejtë e tyre.

Propozim teksti i një preambule të mundëshmee në ndryshimet dhe plotësimet e Kushtetutës në kolumnën e Branko Gerovskit “Qytetarë dhe jo bullgarë plotësuar vetëm me sintagmën”…edhe Marrëveshtja e Ohrit” është në tekstin origjinal të Marrëveshtjes kornizë të Ohrit, por për fat të keq nuk arriti të bëhet amandament i Kushtetutës për këto shkaqe:

Spikeri i atëhershëm i Kuvendit të Maqedonisë kundërshtonte që Kuvendi në formë të Amandamentit IV (Preambula) ta adoptojë tekstin e pranuar nga liderët nënshkrues të Marrëveshtjes së Ohrit, i cili tekst ishte kryekëput qytetar.

Në librin e tij “Në mënyrën time” në faqen 595 Andov shkruan:”…bëra përpjekje që  presidentin e shtetit Boris Trajkovski ta bind në argumentet e mia dhe, bashkë me te, si propozues i ndryshimeve kushtetuese, të gjejmë zgjidhje të mundëshme të kapshme për të gjithë… Atij i thashë se teksti i cili propozohet për Preambulën e kushtetutës, si Amandament 4, nuk duhet ta pranojmë. Ajo Preambulë me të vërtetë ka një “formë krejt qytetare” dhe sot sovraniteti i Republikës së Maqedonisë vërtet mbështetet të qytetarët…Për këtë, në Preambulë si fuqi normative në mënyrë deklarative përmendet populli maqedonas dhe lufta e tij shekullore për shtetësi. Poqese në tekstin e ri të Preambulës fshihen fjalët “populli maqedonas” atëherë hapen shumë probleme të thella politike para të cilave ne thjeshtë nuk kemi të drejtë të heshtim”, përfundon ai.

Këndvështrime të njejta mban edhe ish presienti Gligorov në librin e tij “Maqedonia është e gjitha ajo që kemi”. Në vështrimin e tij të posaçëm titulluar “Marrëveshtja kornizë e Ohrit dhe ndryshimet kushtetutare (fq 603) Gligorov shkruan;”…e para, reagimet më të mëdha, me të drejtë, ishin në lidhje me propozimin për ndryshimin e Preambulës. Tentimi për fshirjen e sintagmës “populli maqedonas” do të thoshte një goditje e rëndë për xhveshjen e karakterit të shtetit. Do ti pyetja qytetarët tanë të përkatësisë etnike shqiptare se çka do të fitonin ata nga humbja plotësisht me pa të drejtë e identitetit maqedonas? Sërish shqiptarët fajtorë për të gjithë atë që ka ndodhur dhe nuk ka ndodhur në vend!

Nisur nga fakti se Gligorov tashmë një kohë të gjatë nuk kishte qenë drejtëpërsëdrejti i involvuar në zhvillimet politike, me pa të drejtë i akuzon qytetarët shqiptarë për xhveshjen e karakterit nacional të shtetit dhe përmbysjen e “identitett maqedonas”.

Konstatimet e përfolura të Gligorov për shqiptarët, Stojan Andov i demanton në librin “Në mënyrën time”, në faqen 596:”…Trajkovski (shkruan ai) e kuptoi ku është problemi por përmendi edhe një barë specifike. Në të vërtet ai tha se tekstet në Amandamentin 4, që ka të bëjë me Preambulën dhe tekstin e Amandamentit 7, që ka të bëjë me Kishën orthodokse maqedonase, nuk i kanë propozuar as partitë tona shqiptare dhe as përfaqsuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Ato propozime kanë ardhur nga pala maqedonase si tekste të dakorduara midis ekspertëve të VMRO-DPMNE dhe LSDM, dhe ashtu të përgatitura ia kanë dhënë Trajkovskit dhe ai i ka paraqitur në takimin zyrtarë. Do të thotë se ato tekste janë pranuar ashtu siç kanë qenë të propozuara nga ana maqedonase. Dhe, ku është këtu fajësia e shqiptarëve?

Idenë dhe insistimin e Andov-it për ndryshimin e tekstit të Preambulës të dakorduar mes liderëve politikë gjatë negociatave të Ohrit nuk e pranuan deputetët e PPD-së në Parlament. Ata e kundërshtuan këtë me argumente të qarta se kushtetuta duhej të reflektojë karakterin qytetar të shtetit e jo ate etnik sepse me pa të drejtë favorizohet kombi maqedonas si komb konstituent në shtet. Si kompromis i gjithë kësaj në Preambulë si Amandament 4 përmenden edhe “pjesët e popullit shqiptar që jeton në Maqedoni, pjesë e popullit turk…. e kështu me rradhë.,.

Kur ngeci puna me ndryshimin e propozim Preambulës nëpërmjet Amandamentit 4 (Preambula) dhe  Amandamenti 7 (Kisha orthodokse maqedonase) ato ditë unë dhe deputeti Azis Pollozhani me kërkesën e Alen le ROI, u takuam në zyrën e BE-së në qendër të Shkupit, disa metra larg parlamentit. Le Roi kërkoi nga unë si sekretar i përgjithshëm i PPD-së të ndikojë që deputetët e PPD-së ta votojnë ndryshimin e Preambulës qytetare të tekstit të dakorduar të MO-së. Përgjigja ime ka qenë se unë nuk jam deputet dhe nuk kam votë të ndikojë, por mund të ju ndihmojë si ta zgjidhni këtë punë. Le Roi me kërshërinë më të madhe më pyeti si t’ia bëjmë?

Kryetari Imeri, i thashë unë, këtë punë nuk e bënë pa mbështjetjen e liderëve shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria. Propozoj kryearit Imer Imeri t’i telefonojnë nga Shqipëria Pandeli Majko, Ilir Meta e të tjerë kurse nga Kosova Ibrahim Rugova, Thaçi, Haradinaj e të tjerë dhe, pasi Shtabi i UÇK-së është dakorduar me komunikatë për këtë, atëherë puna soset me siguri.

Pasi deputetët ta kenë votuar ndryshimin e Preambulës duhet liderët shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova zyrtarisht në emër të qeverive të tyre ta përshëndesin si akt i cili sjell paqën dhe stabilitetin në regjion dhe i zgjidh të drejta e shqiptarëve në Maqedoni. Dhe kështu ndodhi.

Të nesërmen në Kuvend në Shkup, me fillim në ora 10 në Grupin parlamentar të PPD-së hynë Alain le Roi dhe kryetari Imer Imeri. Sa u hap çështja deputetët Naser Zyberi dhe Abduladi Vejseli e kundërshtuan Alain le Roi. Ai, i zemëruar iu drejtua Naser Zyberit, e rëndoi me fjalë të rënda dhe Naseri e lëshoi mbledhjen.

U krijua atmosferë e zymtë pas kësaj dhe Imer Imeri e mori fjalën: “…dëgjoni, o burra, unë mbrëmë deri në mëngjes nuk kam mundur të flejë. Cingër nga Shqipëria, cingër nga Kosova. Krejt më janë paraqitur Majko, Meta, Rugova, Thaçi, Haradinaj e kush jo. Unë e marr përgjegjësinë kombëtare për këtë.

Mua le të më thonë çka duan të më thonë tjerët por PPD-ja do ta votojë ndryshimin e Preambulës prej qytetare në minoritare (..pjesë e këtij e atij populli). Dhe kështu u bë. Kjo është e vërteta!

Kjo le të shërbejë si dijeni në vigjilje të ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve, kroatëve e të tjerëve në Kushtetutë. Ajo për të cilën angazhohen Mickovski dhe Taravari është e drejta. Shqiptarët prej minoriteti bëhen qytetarë të barabartë.

Definicionin e Preambullës mund ta gjejmë në Tekstin punues në bisedimet midis  partive shqiptare PPD-PDP mbajtur në Ohër më 17 qershor 1992, ku shkruhet: “ Nën Grupi ( I Konferencës së Hagës-vërejtje ime)  u pajtua që Neni 1, alinea 1 të amendohet siç vijon: Republika e Maqedonisë është shtet sovran,  pavarur , demokratik e social PËR TË GJITHË QYTETARËT E SAJ”. Në fund mbetet të krahasojmë propozimin e vitit 1992 për statusin e gjuhës shqipe, ku shkruan: “Gjuha maqedonase e shkruar me alphabet cirilik është gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë” “Në njësitë e vetëadministrimit lokal ku shqiptarët përbëjnë më tepër se 10% të popullsisë, gjuha shqipe shkruar me alfabetin e saj (jo me alphabet anglez të 2002-vërejtja ime)  është poashtu gjuhë zyrtare”( Geert Hinrich Ahrens, Diplomacy on the Edge, fq 4009).

Gjuha shqipe në vitin 1992 zyrtare (përafërsisht si tash në njësitë e vetadministrimit lokal) me Marrëveshtjen e Ohrit u bë shifër arithmetike 20%. Duhet ta bëjmë sërish gjuhë shqipe. Koha është.