Nga prof. Etem Aziri– Tani më një muaj e më shumë ,,u lodha,, duke biseduar me individë e grupe dashamirësh të cilët duan të marin edhe mendimin tim modest rreth ndodhive politike në RMV. Nuk e di nga t’ia filloj, sepse në politikë është shumë vështirë të prononcohet një intelektual i përgjegjshëm në lidhje me shkaqet dhe pasojat e ndodhive të caktuara. Do të filloj me atë që ndodh me ASH-në. Opinioni është i ndarë, disa e fajsojnë Selën e disa të tjerë Taravarin. Por edhe këta dy njëri tjetrin. Normalisht se neve na plasohen dy të vërteta: e vërteta e Selës dhe e vërteta e Taravarit. Megjithate shqiptari i rëndomtë dhe anëtarësia e ASH-së është e interesuar ta mëson të ,,vërtetën e vërtetë,,. E vërteta e vërtetë padyshim qëndron në mes së vërtetës së Selës dhe të vërtetës së Taravarit. Nga ana tjetër, është naivitet politik të mendohet se kjo që ndodh me organizimin politik të shqiptarëve në RMV, në rastin konkret me ASH-në është rastësi. Dikur moti kur Partia për Prosperitet Demokratik i pengonte dikujt ndodhi përçarja. E njëjta gjë ndodhi me lëvizjen BESA e tani me Aleancën për Shqiptarët. Kujt i pengon një organizim i mirëfilltë politik i shqiptarëve në RMV? Shqiptarëve me siguri jo, ndoshta fort pak elitave të partive të caktuara politike meqë shpresojnë se nga përçarjet te partitë simotra (në kuptimin etnik) do të përfitojnë diçka. Andaj, me përgjegjësinë më të madhe si ligjërues i lëndës ,,Partitë politike dhe modelet zgjedhore,, them se shkaqet e përçarjeve në ASH nuk duhet kërkuar te Sela ose Taravari, por diku tjetër. Kjo assesi nuk do të thotë se personat në fjalë janë plotësishtë të pafajshëm. Që të dy kanë përgjegjësi të madhe ndaj antarësisë së ASH dhe votuesve, me vetë faktin se në momentet vendimtare për perspektivat e këtij subjekti që u zotua ta jetësonte konceptin politiko-filozofik të Arbër Xhaferit në proceset e shtetëndërtimit, zbatonin politikat e tyre etnocentrike duke i anashkaluar interesat e antarësisë së gjërë dhe duke e dhunuar në skajshmëri statutin e partisë. Çështja tjetër që vlen të përmendet janë koalicionimet parazgjedhore, në veçanti si erdhi deri te formimi i blokut opozitar shqiptar, sa ka sinqeritet brenda për brenda bllokut, cilat janë qëllimet e vërteta të bllokut opozitar etj,etj. Secila pyetje e parashtruar që të zbërthehet kërkon analiza shumë të thella. Kësaj rradhe do të ndalem sipërfaqësisht vetëm te një segment që aq shumë eksploatohet vite me rradhë: nevoja për ndryshime. Termi ndryshim ka kuptim shumë dimensional. Nga ajo që kuptojmë nga deklaratat e shumta të përfaqësuesve të bllokut opozitar ,,ndryshimet,, redukohen në ndrimin e pozitave në pushtetin ekzekutiv, në ç’rast opozita do ta zëvendësonte pozitën aktuale shqiptare. Kjo as që duhet të thuhet sepse garat partiake e nënkuptojnë një gjë të tillë. Megjithatë nuk duhet haruar se kur ndërrimi i pozitave në qeverisje shndërohet në qëllim në vete dhe për vete vjen në shprehje makevializmi ekstrem, shpesh herë shumë i dëmshëm për shoqërinë dhe elektoratin që e përfaqësojnë partitë politike. Partitë me orientim të qartë demokratik ndryshimet i kuptojnë në një kontekst shumë më të gjërë, si p.sh. demokratizimi i politikës, jetë më të begatshme për qytetarin e rëndomtë, prosperitet ekonomik, prosperitet kulturorë etj. Kjo nuk mjafton të përmendet (sepse formalisht këtë do ta bëjnë partitë politike), por të thuhet qartë dhe në mënyrë të argumentuar si do të bëhet. Të jemi të sigurtë se ndryshimet cilësore nuk bëhen me ,,lutje Zotit,, por me angazhim të ekspertëve dhe njerëzve të shkencës. Ndryshimet edhe në kuptimin formal vështirë do të ndodhin në qoftë se në krye të listave zgjedhore siç është praktikë në veçanti te partitë shqiptare qëndrojnë liderët e partive të koalicionit dhe të dëgjueshmit e tyre. Pra, vështirë do të ndodhin pa figura të reja, të afta dhe të pa njëllosura. Nuk mundet të ndodhin ndryshime në plan më të gjërë pa mos ndodhur ndryshime në mentalitetin e vetë liderëve të bllokut opozitar. Një profesor i Universitetit të Zagrebit kur RSFJ gjendej përpara shkatrrimit thoshte: “Na ngushëllojnë se humbja e betejës nuk do të thotë edhe humbje e luftës, por kurrë nuk deklarohen si do të fitohet lufta në qoftë se në betejat e reja na udhëheqin gjeneralët e vjetër”. Mendoj se në këtë drejtim blloku opozitar si sfidues në zgjedhje duhet të mendon gjerë e gjatë. Ndryshe qëndrojnë punët me BDI-në. Ajo është parti që tanimë dy decenie e më shumë e fiton besimin e elektoratit shqiptar këtu. Ndryshimi i filozofisë të të menduarit te kjo parti do të ndodh me siguri kur do të ndjejnë një krizë më serioze në rradhët e veta. Përndryshe ekipi që fiton nuk ka nevojë të përjetojë ndryshime radikale por vetëm rifreskime të kohë pas kohëshme. E dyta, parashtrohet pyetja se blloku opozitar u formua për ndryshime më të thella në shtet dhe në shoqërinë shqiptare këtu, apo disa persona t’i ruajn kolltuqet e veta?! Këtë pyetje nuk e komentoj edhe pse përgjigjen e kam në xhep të xhaketës. Sidoqoftë, blloku opozitar shqiptar ia plotësoi dëshirën e kamotshme liderit të BDI-së. Ai tanimë një kohë të gjatë këmbëngulte të bashkohet opozita shqiptare dhe ta sfidojë BDI-në. Ja edhe kjo më në fund ndodhi. Për jetëgjatësinë e këtij blloku opozitar nuk do të them asgjë. Zoti e bëftë ymër gjatë. Në këtë rast me rëndësi është të thuhet kush çfarë fiton dhe kush çfarë humb me pozicionimet e kësaj natyre të partive shqiptare në RMV. Të nisemi me BDI-në. Kjo parti pa marë parasysh se çfarë do të ndodh në zgjedhje do të përfitojë më shumë se blloku opozitar. Nëqoftëse i humb garat, fitorja e BDI-së do të manifestohet përmes reformave brendapartiake që partinë do ta bëjnë shumë më të fuqishme dhe shumë më të qëndrueshme për zgjedhjet e rradhës. Në qoftë se i fitojnë zgjedhjet nuk do të kenë asnjë pengesë që të qeverisin me këtë pjesë të kombit së paku edhe një decenie, nënkuptohet me kusht partinë ta udhëheq Ali Ahmeti. Në qoftë se blloku opozitar i humb zgjedhjet, partitë që e bëjnë këtë bllok nuk do të mund ta marrin veten një kohë të gjatë. Megjithate, jo të gjitha partitë që e formojnë bllokun opozitar do të humbin njëlloj. Më e lënduar do të jetë ASH, krahu i Taravarit ndërsa më pak do të humb Izet Mexhiti sepse partia e tij edhe ashtu është në formim e sipër. Varianti më i keq do të ishte blloku opozitar t’i humb zgjedhjet dhe të participon në qeveri. Nuk duhet haruar, në rrethanat tona të drejtë participimi në qeveri duhet të gëzojë partia ose partitë që kanë legjitimitetin, pra që kanë bekimin e elektoratit shqiptar. Gabim shumë i thellë politik do të ishte participimi në qeveri pa një legjitimitet solid. Një participim i atillë do të ishte devalvues për këtë pjesë të kombit dhe nga ai participim do të kishin përfituar individ dhe grupe të caktuara interesi brenda bllokut opozitar, por jo edhe anëtarësia e gjërë e të mos flasim për këtë pjesë të kombit. Është koha të harohet principi ,,fituesi me fituesin,, ngaqë është në kundërshtim me shkencën dhe teorinë e partive politike, sepse në sistemet shumë partiake qeverinë nuk e formon partia (koalicioni) që ka siguruar më shumë ulëse në parlament, por partia gjegjësisht koalicioni që siguron shumicën e nevojshme parlamentare. Përjashtim janë rastet kur një parti (koalicion) në zgjedhje fiton numër të mjaftueshëm për formimin e qeverisë dhe për shkaqe politike në përbërjen qeveritare si ,,stolisje,, mer edhe një parti tjetër. Pra,është koha që te partitë e shqiptarëve principi ,,fituesi me fituesin,, të zëvendësohet me principin ,,besa besë,, që nënkupton participim në qeverinë e RMV-së të partisë ose koalicionit të partive shqiptare të cilat në zgjedhje kanë siguruar së paku një ulëse më shumë në “Sobranien” e RMV-së. Definitivisht, për shqiptarët këtu, me rëndësi është në qeveri të participojnë partitë që kanë legjitimitet andaj në asnjë mënyrë partitë shqiptare nuk duhet të futen në grackat e partive maqedonase që nga elektorati i tyre kërkojnë mobilizim për të fituar 61 ulëse në parlament e pastaj të koalicionojnë me ndonjë parti shqiptare sa për sy e faqe. Në asnjë mënyrë nuk duhet haruar se në politikë sikurse në sport shumë vështirë është të mbrohen rezulltatet e aritura e të mos bisedojmë për shënim të rezulltateve më të avansuara, që në rastin konkret do të dukej kësisoj: Nëqoftëse BDI ia doli ta siguron postin e ,,spikerit,, ministrit të jashtëm, ministrit të mbrojtjes, kryeministrit etj; bllokut opozitar (nënkuptohet në qoftëse i fiton zgjedhjet) i mbetet t’i mbrojë këta të aritura dhe ta avansojë statusin e shqiptarëve duke e siguruar p.sh. postin e ministrit të brendshëm, zëvendësimin e 20% me gjuhën shqipe, ndërtimin e politikave qeveritare për ndërprerjen e pa kusht të largimit të rinisë shqiptare drejt shteteve perëndimore etj. Sidoqoftë, zgjedhjet parlamentare 2024, paraqesin një udhëkryq me plot të panjohura për organizimin politik të shqiptarëve në RMV. Në variantin më pozitiv këta zgjedhje do të jenë një nismë e mirë e dypartizmit brenda shqiptarë që si ide është promovuar te partitë shqiptare të mileniumit të shkuar, e që “popullorçe” tingëllon kësisoj: Për shqiptarët në RMV një parti është pak ndërsa tri parti janë shumë. Në variantin më negativ, zgjedhjet parlamentare 2024 do të paraqesin vazhdimin e ,,polisizimit,, të organizimit politik të shqiptarëve në RMV që nënkupton shumëzimin e mëtutjeshëm të partive shqiptare në ç’rast çdo qytet ose vendbanim më i madh do të kishte një parti të veten. Dhe për fund, dy tre fjalë për zgjedhjet presidenciale. Këta zgjedhje për partitë shqiptare paraqesin një plebishit. Kandidati që do të fitojë në taborin shqiptarë do të kontribuojë dukshëm në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, sepse për votuesit e pa përcaktuar rezulltatet e zgjedhjeve presidenciale do të jenë një sinjal i mirë për orientimin e tyre për zgjedhjet parlamentare 2024. Çka të themi më shumë? Urime të dy kandidatëve shqiptarë që kanë treguar guxim dhe trimëri të marin një përgjegjësi kaq të madhe mbi supet e veta. Shikuar nga prizmi moral, edhe pse politika dhe morali nuk bashkudhëtojnë, njëri nga to pas zgjedhjeve do të duhet t’i kthehet mantilit të bardhë. Në instancë të fundit edhe kjo nuk nënkupton fundin e botës. Edhe ashtu në politikë kemi më shumë mjek sesa të gjithë intelektualët tjerë së bashku. Një njeri i urtë një ditë më tha: “Për këtë pjesë të kombit shumë më të dobishëm janë mjekët cilësorë nëpër institucionet shëndetësore se sa politikanët e dobët”. Në instancë të fundit, si për shtetin ashtu dhe për ne shqiptarët, me rëndësi të veçantë është zgjedhjet të jenë korrekte, fer dhe demokratike. Kjo nuk do të thotë të jenë ideale sepse diçka të tillë nuk e lejon vetë natyra e partive politike. Krejt për fund, urime të gjithë garuesve në zgjedhjet 2024 me një lutje shumë të sinqertë: Ata që do të fitojnë poste të mos ankohen për rrogat e ulta, sepse 90% e popullatës mezi siguron bukë e krypë për familjet e tyre. (@CSSDMacedonia)
2024-03-03