Nga Syrja ETEMI- …Madje, historia jonë e ikur po përsërit ofshamën… Faqet e saja pleksen e gërshetohen me heka dhe bëma të njerëzve të kësaj gjeografie, shpesh “të harruar edhe nga Zoti”. Kjo dëshmitare e së kaluarës së ikur në heshtje e zallahi, konsiston të na rrëfejë për copëza historie që përshkojnë periudha të ndryshme kohore të përplasjeve të gjyshërve e stërgjyshërve tanë në këto furtuna me bajlozë që vinin nga malet e detet – betejat me krajla e vojvodë, me harambashë e subashë… Prandaj, Ju Shqiptarë të mi, nëse doni të bëni ndonjë aktivitet të hajrit, mësoni dhe mbani mend këto vite e periudha herë të lavdishme e herë bizantine në të cilat kanë mbijetuar paraardhësit tanë! Së pakut tregonju fëmijëve tuaj, brezave që do të na zëvendësojnë, sepse kush nuk mendon për ardhmërinë, edhe s’mund ta ketë atë. Nuk do të hyjmë më në thellësi historike dhe gjërësi gjeografike të popullatës dhe atdheut. Do të përfshijmë një periudhë historike reduktuar që para 100 vitesh dhe do të nisi hapin nga pragu i derës… Më tërheqjen e Turqisë (1912) nga Rumelia, madje edhe nga Pollogu, siç dihet, këto troje i pushtojnë herë sllavët bullgarë e herë sërbsllavët. Popullata sllave vendase e ndërronte ’’lëkurën apo petkun kombëtar’’, sipas kohës, ndërsa pupullata jo sllave, që ishte shumicë në Pollog e Malësi të Sharrit, i ekspozohej rrezikut të dyfishtë: herë cëninimit të indentitetit kombëtar, e herë atij fetar. Popullata shqiptare nuk ndërronte indentitet (qenien kombëtare apo etninë e vet vullnetarisht), siç e bënin të tjerët, si banorët sllav, sidomos të fshatit fqinj të Sllatinës sime – Leshkës. Këtë më së miri e shohim nga “trazimi” i dokumenteve të kohës që do t’i shtroj para jush: Pas urdhërit të autoriteteve sërbe në vitin 1932, Komuna e Leshkës ngrit përmendore në nder të luftëtarëve të rënë (Ushtarëve të vrarë në betejën e Sllatinës ne tetor të vitit 1915, në mes të ushtrisë sërbe-bullgare, (e,këta të fundit të ndihmuar edhe nga ana e shqiptarëve sllatinas, dobroshtas, nerashtas, etj (S.E.). Me rastin e zbulimit të kësaj përmendoreje (28 gusht 1932) mbahet edhe një tubim i madh ku, ndër të tjerë, fjalën e merr edhe kryetari i komunës (nga Leshka), Gligorie Jovanoviq (Gjiko Jovanovski), i cili potencon: ’’Historia e luftëtarëve tanë të rënë është shumë e bujshme, si edhe historia e lavdishme e atyre qindra e mijëra heronjëve sërb të rënë, të cilët me trimërinë e tyre e mahnitën botën mbarë. Të mbledhur këtu nën flamurin e atdheut, sipas detyrës së tyre të shenjtë, ata më 1915, në mbrojtje të çdo pëllëmbe të atdheut, arritën deri te ky vend, ku gjetën vdekjen e tyre të hershme, ku i madh është edhe numri i trimave tjerë të zhdukur. Ata vdiqën bashkë me komandantin e tyre Nikolla Ristiq”. Kështu, në gazetën serbe: “Politika”, 29 gusht, 1932, në këtë kontekst, duke cituar folësin në fjalë, do të vazhdojë të shkruajë: “Ne sërbët e jugut, të cilët e dijmë dhe ndjejmë atë të cilën ata e shpaguan edhe me jetën e tyre, e që kontribuan për ne,i përkujtojmë me ngritjen e kësaj pushimoreje të amshueshme”. (Në këtë rast është e nevojshme të shtojmë se ky memorial gjendet akoma në fshatin fqinj-Leshkë dhe, është me këto përmasa dhe dedikimin vijues: Përmendorja është e lartë 4m. Me shqiponjë në majë. Rreth varrezave është i ngritur një murrë i vogël dhe në të piketohet një pllakë mermeri, në të cilën shkruan: “Për Nikolla Ristiqin – kapiten i klasit të parë, komandant i regjimentit XIII të këmbësorisë dhe 14 shokëve të rënë… Qytetarët e respektuar të komunës Leshkë e ngrisin këtë përmendore). E, ne në vazhdën e këtij shkrimi, do të fokusohem gjithnjë e më tepër në manovrimet e këtij manifestimi me protagonistë që promovonin një diskurs prej triumfalisti megaloman, duke goditur çdo gjë që ka qenë joserbe. E, kjo shifet edhe nga sublimimi i fjalimit famoz të autoriteteve serbe në tokat e pushtuara. Me një krekosje bajate, Jovanov/iq(ski) vazhdon “bekimin”: ’’Pushoni trima në atdheun tuaj të madh, jo larg nga Prizreni mbretëror dhe Shkupi Juaj, në rrëzën e Sharrit. Pushoni kockat në tokën për të cilën flijuat jetën; preheni në tokën e cila për ju do të jetë gjithnjë e ngrohtë. Le t’ju qoftë i lehtë trolli i dashur jugo-sërb!”. Këta shembulj tregojnë qartë se ata (sllavët e inkurajuar që bashkëjetonin me shqiptarët), e quanin veten dhe tokën, herë sërb (kurse Maqedoninë si Sërbi Jugore), e herë bullgarë e Bullgari. Kur të tjerët e ”kthenin gëzofin ka frynte era’’, shqiptarët nuk e njihnin këtë logjikë veprimi. Por, pushtetet që vinin e shkonin, ndaj shqiptarëve kishin të njëjtin trajtim. Ata i privonin nga e drejta për vetdeklarim të identitetit kombëtar e fetar në dokumentat e tyre. Kështu, shqipëtarëve në përgjithësi (duke përfshi edhe ata të sllatinës) ua ndërronin mbiemrat, përkatësisht ua shtonin sufiksat ’’VIQ’’ nga ana e sërbëve, dhe, ’’OV’’ nga ana e bullgarëve, si Abdulloviq, Zendeloviq, ndërsa për nga përkatësia fetare, i evidentonin si ortodoks. (Shih dokumentet e paraqitura) Përveç cenimit të identitetit komëtar e fetar të shqiptarëve në Pollog e gjetkë,ndaj kësaj etnie ushtrohej edhe një eksplatim i egër ekonomik, diskriminim i skajshëm i gjuhës shqipe, duke mos u mundësuar shqipëtarëve mësimin në gjuhën e tyre amtare. (Kështu sllatinasët mësonin në gjuhën sërbe, edhe atë në Leshkë). Një ndikim mjaft negativ për arsimin shqip kanë luajtur edhe disa klerikë myslimanë. Kështu, në vitet 30, në kohën e zgjedhjeve për parlamentin e Serbisë, për të kërkuar votën, në Sllatinë vjen një delegacion sërb. Me këtë rast marrin pjesë edhe disa hoxhallarë të shitur, e të cilët manipulonin me popullatën e pa arsimuar. Para se të vijnë në miting – në Sllatinë (bashkë me Leshkën), në vendin e quajtur N’Kallugjerit (ku do të mbahej ceremonia), disa hoxhallarë Injorantë të dresuar që më parë, agjitonin në mesin e popullatës se: ’’Ne për t’ia dhënë “kokën” kandidatit për posllanik, Krali do t’na jep “Mektep” në Sllatinë. Dhe, kështu u bë. Kur erdhën “mysafirët”, kandidati për deputet, Stojadin Dimitrijeviq (kandidati për deputet i Partisë në pushtet, në qeverinë e N.Stojadinoviq (profashist) i drejtohet turmës: ”Unë do të jem “posllaniki” i juaj i ardhshëm…, Ju po të më votoni mua, unë do t’iu ndërtoj’’ mektep…” Ju për çka jeni: a për “mektep” a për shkollë?”. Masa e dehur dhe euforike, me aklamacion unison përgjigjet: Mektep, Mektep, duuum… Nuk na duhet shkolla! Me këtë rast, ’’posllaniku’’ ua kthen: ”Atëherë, mirë – në Leshkë do të ndërtojmë shkollën, kurse te Ju – në Sllatinë do të ndërtojmë “Mektep”. Si përfundim të këtij publikimi, patjetër të tregohem më i drejpërdrejtë e të mos duken këto copëza historie si “plaçka” province. Jo, une i marr këto dëshmi si premisa induktive për të arritur deri në përfundime të padiskutueshme e që konsistojnë në një deduksion faktik, sepse kësi lloj argumentesh të pleksura me “mësuesen e jetës” ekzistojnë si “argumentum in silencio” (argumente të heshtura) që mund të gjenden në çdo vendbanim dhe zonë shqiptare të Maqedonisë së Veriut, por kërkohet dora natare dhe e zellshme e studiuesve shqiptarë që t’i trazojnë e shpalojnë këto fakte e dokumente, në mënyrë që gjeneratat e ardhshme të njihen me to nga dora e vyer e paraardhësve të tyre e, jo nga dora mëngjërashe e fallsifikuese e historianëve sllavë (pushtuesve të trojeve të të parëve tanë), sepse, siç kanë thënë grekët e lashtë: “dhurata që të jep armiku është ose thikë, ose helm”. (S.E. Facebook)
55You, Nijazi Muhamedi, Nazif Zejnullahu and 52 others5 Comments1 ShareLikeCommentShare