SELIM IBRAIMI-Ballkani zë një vend të veçantë në politikën e jashtme të Rusisë. Përveç afinitetit të saj kulturor dhe historik, udhëheqja ruse ende është e përndjekur nga bombardimet e NATO-s në Serbi.

Nga një përzierje e interesave strategjike dhe lidhjeve etno-kulturore, Rusia e sheh veten dhe përceptohet si mbrojtëse e natyrshme e shteteve në Ballkan që u formuan pas rënies së Perandorisë Osmane, shkatërrimit të komunizmit e sidomos pas ardhjes në pushtet të presidentit rus Vlladimir Putin.

Zyrtarë të lartë të SHBA-së kanë paralajmëruar për atë që e quajnë “rolin gjithnjë e më shkatërrues” të Moskës në Ballkan, duke thënë se Rusia po minon demokracinë në rajon.

Komandanti i lartë i forcave amerikane në Europë Curtis Scaparrotti  në fillim të këtij viti paralajmëroi se Ballkani po përballet me një presion të fshehtë dhe të hapur nga Rusia dhe se Uashingtoni dhe NATO duhet të bëjnë më shumë për ta mbajtur rajonin larg nga Rusia.

 “Bashkimi Europian po bën një gabim duke ndjekur strategjinë e NATO-s për zgjerim në drejtim të lindjes dhe duke u dhënë vendeve postkomuniste që të bëjnë një zgjedhje midis “Perëndimit apo Rusisë”, tha shefi i diplomacisë ruse Sergei Lavrov në shkurt të këtij viti.

Zyrtarët europianë dhe amerikanë të ndarë në lidhje me politikën e jashtme të presidentit amerikan Donald Trump, ende nuk kanë ndonjë plan afatgjatë për të parandaluar fushatën e fshehtë të Rusisë në Ballkan dhe në BE e cila po minon demokracitë perëndimore dhe ato fragjile. 

Humbja e Krimesë nga Rusia gjatë viteve 1855-56 detyroi Perandorinë ruse të vërshojë drejt Ballkanit.

Përballja historike

Gjatë gjithë shekullit të 19-të, Fuqitë e Mëdha kishin qëllime të ndryshme gjeopolitike mbi “Çështjen Lindore” dhe Perandorinë Osmane.

Rusia në atë kohë dëshironte të hynte në “ujërat e ngrohta” të Mesdheut dhe këtë synonte ta bënte duke shfrytëzuar daljen e saj të natyrshme në Detin e Zi.

Rusët ndoqën një politikë të jashtme pan-sllave dhe për këtë arsye mbështetën fuqishëm Bullgarinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Greqinë.

Britania e Madhe dëshironte t’ia mohonte hyrjen e Rusisë në “ujërat e ngrohta” të Detit Mesdhe dhe Londra mbështeti integritetin e Perandorisë Osmane. Franca dëshironte ti forconte pozitat në Ballkan, veçanërisht në Levant. Austro-Hungaria dëshironte që Perandoria Osmane të mos shuhet, pasi që të dyja perandoritë ishin të trazuara nga kompozimi etnik shumëkombësh.

Austro-Hungaria gjithashtu konsideronte se një prani e fortë osmane në Ballkan do të ishte një kundërpeshë ndaj thirrjeve nacionaliste serbe ndaj subjekteve serbe në Bosnjë, Vojvodinë dhe në pjesët tjera të perandorisë.

Rusia këtë balancë të re të forcave e shfrytëzote shumë mirë duke përkrahur serbët dhe bullgarët në luftën e tyre kundër osmanëve. Këta të fundit, këtë mbështetje ruse e shfrytëzuan kundër etnive tjera në Ballkan.

Gjermania me politikën e “Drang nach Osten”, synonte ta kthente Perandorinë Osmane në koloninë e saj dhe kështu përkrahte integritetin e saj.

Në fakt kjo politikë e re e Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë nuk shkonte në favor të Rusisë dhe Moska më pas u bë një ndër faktorët kryesorë të krijimit të “Lidhjes Ballkanike”.

Këtë aleancë të re, Rusia e shihte si mjet thelbësor në rast të një lufte të ardhshme kundër rivalit të saj, Perandorisë Austro-Hungareze dhe botës perëndimore.

Sot një shekull nga përfundimi i LPB, Rusia po merr rol qendror në politikën e shteteve të Ballkanit duke i aktivizuar partitë nacionaliste në rajon kundër Perëndimit.

Spiunazhi dhe propaganda si pjesë e strategjisë ruse të intervenimeve hibride, jo vetëm në BE por edhe në Ballkan e kanë pasur efektin afatgjatë në masat e gjëra popullore.

Duke filluar nga Beogradi, Banja Luka e deri në Shkup, metodat hibride të qeverisë ruse kanë ngjallur emocionet e vjetra të popullatës lokale.

Protestat e popullatës me prirje nacionaliste kundër Marrëveshjes së Prespës, dhe thirrjet tjera me baza etnike në disa qytete të Maqedonisë, janë pasojë e ndikimit të politikës së jashtme ruse në Ballkan.

Bosnja, sidomos sektori serb vazhdon të mbetet fushë e nxehtë e testimit të qendrueshmërisë së Marrëveshjes së Dejtonit.

Në fakt, në Banja Lukë po vendoset e ardhmja e Ballkanit dhe paqes europiane. Departamenti Amerikan i Shtetit dërgoi disa zyrtarë në Ballkan.

Ky ishte një inkurajim amerikan për Ballkanin në fushatën aktuale dhe të fshehtë ruse për t’i zbrapsur këto qeveri nga agjendat perëndimore. E gjithë kjo politikë amerikane po bëhet nën presionin e mjegullës së dendur ruse që ka përfshirë rajonin. Në fund SHBA duhet të dalë me një strategji të re dhe afatgjate për Ballkanin.Pa këtë plan të ri, rajoni vështirë se do të shkojë drejt reformave dhe largimit nga ndikimi i aktorëve malinj. (ISSDMaqedonia)

 

Shënim:

Ndalohet  përdorimi i gjuhës së urrejtjes së çfarëdo natyre. Bordi redaksional rezervon të drejtën të redaktojë dhe të mos publikojë materiale që shkelin të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, shtypin e lirë, integritetin individual, etnik, gjinor dhe social.
Publikimi i intervistave dhe i analizave ka për qëllim përpunimin e çështjeve me karakter social, ndëretnik, ekonomik, politik dhe të sigurisë në interes të qytetarëve.
Parandalimi i krizave të brendshme dhe të jashtme nëpërmjet platformave dhe mediave neutrale, të balancuara, të ndershme dhe objektive, është një nga prioritetet e programeve tona të Ndërtimit të Paqes, Menaxhimit të Konflikteve, Sundimit të Ligjit dhe programeve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Pikëpamjet e autorëve dhe të ekspertëve të jashtëm jo gjithëherë pasqyrojnë linjën dhe politikën redaksionale të ISSDMaqedonia.