Robert Nesimi:”Moment kyç tani është rrethi i dytë dhe nëse do të arrihet cenzusi i nevojshëm 40%”

Intervistë me analistin politik Robert Nesimi. Intervistoi Selim Ibraimi nga Platforma Analitike (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)

 

[box type=”shadow” align=”aligncenter” ]Moment kyç tani është rrethi i dytë dhe nëse do të arrihet cenzusi i nevojshëm 40%. Dalja nga rrethi i parë më bën skeptik, ndërsa më së shumti ja kam frikën mbushjes së kutive që ka ndodhur disa herë në zgjedhjet e përparshme presidenciale kur është rrezikuar cenzusi.[/box]

 

ISSD:z.Nesimi, si i komentoni rezultatet zgjedhore që dolën nga presidencialet në Maqedoninë Veriore?

Robert Nesimi: Sipas meje rezultatet nga zgjedhjet presidenciale nxorrën në pah dy fenomene të reja në skenën politike. Karakteristikë e parë e zgjedhjeve padyshim ishte dalja tejet e ulët, që mezi arriti cenzusin 40% që kërkohet në rrethin e dytë. Duhet cekur se në krahasim me zgjedhjet paraprake dalja ishte e ulët edhe te kampusi maqedonas, por sidomos te ai shqiptar. Një tezë që po hidhet është se kjo është pasojë e zbrazjes së vendit dhe ikjes masive jashtë, por nuk mendoj se ikja këto dy vitet e fundit ka qenë aq masive sa që të spjegojë abstenimin deri në atë masë. Më tepër mendoj se dalja e ulët flet më tepër për apatinë e votuesve pa përjashtim dhe pakënaqësinë nga tempoja e ngadaltë e ndryshimeve nga ajo që pritej pas rrënies së Gruevskit.

Faktor shtesë tek blloku shqiptar ishte mosinteresimi i zakonshëm për zgjedhjet presidenciale. Do të vërejmë se në Dibër ku paralelisht u mbajtën edhe zgjedhje lokale dalja ishte më e lartë se në vendbanimet tjera shqiptare.

Fenomeni i dytë që ndriçuan rezultatet është përmbysja e forcave të partive politike te të dy kampet. Duke analizuar veçmas votën shqiptare dhe atë maqedonase del se opozita shqiptare e përbërë nga Aleanca dhe Besa tani kanë epërsi para partive në pushtet BDI-PDSH-Alternativa. E njëjta gjë vërehet te blloku maqedonas; atje VMRO ka përparësi të dukshme para SDSM. Mbetet të shihet si do të zhvillohen këto raporte në të ardhmen, por padyshim fryma politike hë për hë anon nga opozita.

 

ISSD:z.Nesimi, kandidatët maqedonas Pendarovski dhe Silajnovska janë në garë të ngushtë, cili do të jetë sipas jush roli i partive shqiptare dhe a mund të përmbyset ky raport në favor të shqiptarëve që presidenti të zgjidhet në Parlament?

Robert Nesimi: Me këto rezultate edhe një herë vërtetohet se shqiptarët janë faktor kyç në të gjithë proceset politike në Maqedoni, duke përfshirë edhe zgjedhjen e Presidentit. Për fat të keq shqiptarët nuk janë të njëzëshëm për mënyrën se si mund të kapitalizohet kjo peshë politike.

Koncepti që u mundua të shtyjë BDI në këto zgjedhje ishte ai i kandidatit konsenzual, të zgjedhur nga dy bashkësitë më të mëdha etnike. Por ky koncept nuk mund të shtyhet në zgjedhje të drejtëpërdrejta kur fjalën e fundit e ka populli. Në fakt tek kandidatura e Pendarovskit bëhej fjalë për një marrëveshje të partive në pushtet, ashtu siç pranoi edhe vetë Pendarovski. Pra pretendimet e BDI për konsenzualitet ishin vetëm sa për sy e faqe. Këtë e nuhati edhe elektorati shqiptar i cili votoi në raport 2:1 për Blerim Rekën dhe përfundimisht hodhi poshtë pretendimet për president konsenzual.

Ndryshe do bëhej fjalë për konsenzualitet sikur Presidenti të zgjidhej në Parlament. Zatën kjo është mundësia që përfolet në rast dështimi të rrethit të dytë. Dhe patjetër se këtu fjalën kryesore do t’a kenë partitë shqiptare, sepse me bojkot të rundit të dytë ata lehtë mund t’a arrijnë këtë qëllim.

Tjetër çështje është nëse zgjedhja në Parlament është e dëshirueshme. Për mendimin tim kjo mund të jetë në favor në partive politike, por jo të qytetarëve, sepse ato në këtë mënyrë përjashtohen nga procesi. Jam i sigurtë se zgjedhje në Parlament do të marrë formën e pazareve politike të përditshme me çka do t’i bie roli edhe vetë figurës së Presidentit. As nuk besoj se shqiptarët do të kishin mundësi të zgjedhin kandidatin e tyre; të zënë ngushtë SDSM dhe VMRO padyshim do të gjenin mënyrë të merren vesh, njëlloj siç bënë vjet me zgjedhjen e Guvernatorit të Bankës Popullore.

 

ISSD:z.Nesimi, kandidadti shqiptar. z Blerim Reka morri një numër të konsiderueshmë votash me çka z. Reka, ky numër e ka vendosur në një potez të favorshëm përballë qeverisë dhe partisë shqiptare në pushtet BDI. A do të mund ta kapitalizojnë shqiptarët dhe partitë opozitare këtë situatë të re?

Robert Nesimi:Siç thashë dhe më lartë vota e shqiptarëve padyshim ishte në favor të opozitës. Në shumicën e vendbanimeve të pastra shqiptare raporti ishte 3:1 apo 4:1, por kjo deri diku u amortizua në disa vend si Saraji apo Zajazi ku Pendarovski fitoi karshi Rekës. Sipas një analize të rezultateve Reka i ka 80.000 vota, ndërsa Pendarovski vetëm 40.000 vota shqiptare.

Duke marrur parasysh se Pendarovskin e mbështetën 4 parti shqiptare dhe se edhe vetë SDSM ka votues shqiptarë, rezultati i tij tek shqiptarët ishte një debakël i vërtetë. Megjithëse votat e zgjedhjeve presidenciale nuk mund të përkthehen 1:1 në vota për parti, është e qartë se opozita shqiptare tanimë ka përkrahje më të madhe se pushteti. Kemi rrënie të ndjeshme të BDI dhe SDSM tek shqiptarët, ndërsa PDSH, Alternativa dhe RDK thuajse nuk ekzistojnë më në skenën politike.

Tjetër gjë është nëse partitë opozitare do të dijnë të kapitalizojnë dhe ruajnë këtë rezultat. Një fakt që shkon në favor të tyre është se edhe duke qenë në opozitë ato kanë qenë tejet konstruktive në faza të rëndësishme për kursin e vendit, siç ishin referendumi për emrin apo ndryshimet kushtetuese. Nëse vazhdojnë të tregojnë këtë nivel pjekurie të sulmit dhe kritikës së pushtetit kur ai gabon dhe mbështetjes kur bëhet fjalë për procese të rëndësishme, nuk kam dyshim se do të korrin sukses në zgjedhjet e rradhës. Një freskim i tillë i përfaqësimit politik padyshim se do të jetë i mirëseardhur për vetë shqiptarët.

ISSD: z Nesimi, jehona e votuesëve ishte e ultë në të gjithë MV, por pa përjashtime edhe tek popullata shqiptare, por megjithatë në njësitë zgjedhore ku shumica është e banuar me shqiptarë etnikë, kandidati Reka ishte në epërsi të thellë në krahasim me kandidatin qeveritar Pendarovski. Cilët faktorë sipas jush ndikuan në dinamkën zgjedhore?

Robert Nesimi: Kur jemi te dalja e ultë mendoj se kjo nuk përbën ndonjë risi pasi shqiptarët zakonisht nuk kanë interes për zgjedhjet presidenciale. Edhe në të kaluarën ata kanë votuar vetëm kur zgjedhjet presidenciale janë shoqëruar me ndonjë proces tjetër, si zgjedhje lokale apo parlamentare. Zatën dalja më e madhe në Dibër ku kishte edhe zgjedhje lokale e dëshmon edhe njëherë këtë tezë.

Megjithatë rezultati i shkëlqyeshëm i Rekës karshi Pendarovskit që përkrahet nga katër parti shqiptare flet për një ndryshim në disponimin politik të shqiptarëve. Pikë së pari ndjehet braktisja thuajse e plotë e SDSM-së, të cilën shqiptarët e sollën në pushtet duke i dhënë rreth 40.000 vota në zgjedhjet parlamentare. Kjo ka të bëjë kryesisht me dështimin e saj për të sjellur drejtësi dhe sundim të ligjit, posaçërisht kur ka të bëjë me krimin e organizuar brenda shoqërisë shqiptare. S’ka dyshim se SDSM bëri disa lëvizje të rëndësishme në politikën e jashtme me ndryshimin e emrit dhe përcaktimin e kursit euroatlantik të vendit. Por kur bëhet fjalë për jetën e përditshme, për hallet e qytetarit të thjeshtë, kryesisht me sundimin e ligjit, nuk vërehet ndonjë ndryshim nga qeveria e kaluar. Thuajse askush nuk u përgjigj për keqpërdorimet e mëparshme, u amnestuan terroristë, Gruevski iku në Hungari, vazhdojnë të gjykojnë gjykatësit e njëjtë.

Tjetër faktor ishte mllefi ndaj partive politike shqiptare në pushtet. SDSM morri vota nga shqiptarët pikërisht sajë dëshpërimit të shqiptarëve nga këta politikanë, ndërsa ajo më pas ju ndihmoi të qëndrojnë në pushtet lokal dhe u mundua t’i shesë si politikanë europianë. Tek shqiptarët Pendarovski ra viktimë e këtyre kalkulimeve të partisë së tij dhe mbështetja nga partitë shqiptare jo vetëm që nuk e ndihmoi, por madje e dëmtoi. Sipas disa llogarive ai morri më shumë vota nga shqiptarët kur u kandidua në 2014 pa përkrahje të ndonjë partie politike shqiptare.

ISSD: z Nesimi, çka më tej dhe a keni ndonjë parashikim se nga do të shkojnë proceset në Maqedonië Veriore pas rrethit të parë?

Robert Nesimi: Moment kyç tani është rrethi i dytë dhe nëse do të arrihet cenzusi i nevojshëm 40%. Dalja nga rrethi i parë më bën skeptik, ndërsa më së shumti ja kam frikën mbushjes së kutive që ka ndodhur disa herë në zgjedhjet e përparshme presidenciale kur është rrezikuar cenzusi.

Nëse zgjedhjet dështojnë vendi padyshim futet në krizë të re politike. Atëherë zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të bëhen të pashmangshme dhe nuk përjashtohet mundësia që ato të mbahen në të njëjtën ditë si rrethi i dytë i zgjedhjeve të përsëritura presidenciale (që duhet të mbahen brenda 6 muajsh nëse dështon tani rrethi i dytë).

Por ndryshe nga shumë politikanë dhe analistë tjerë, kjo nuk më bën pesimist, përkundrazi më bën optimist. Mendoj se rruga e Maqedonisë së Veriut drejt NATO dhe BE tanimë është trasuar dhe kthim prapa nuk mund të ketë. Prandaj nuk është keq që partitë të maten përsëri në zgjedhje dhe të kemi një pasqyrë më reale të vullnetit të popullit, sepse duket qartë që përbërja e tanishme e parlamentit nuk shpreh më atë vullnet.

 

[box type=”note” align=”aligncenter” ]Robert Nesimi:“Për fat të keq shqiptarët nuk janë të njëzëshëm për mënyrën se si mund të kapitalizohet kjo peshë politike. Koncepti që u mundua të shtyjë BDI në këto zgjedhje ishte ai i kandidatit konsenzual, të zgjedhur nga dy bashkësitë më të mëdha etnike. Por ky koncept nuk mund të shtyhet në zgjedhje të drejtëpërdrejta kur fjalën e fundit e ka populli. Në fakt tek kandidatura e Pendarovskit bëhej fjalë për një marrëveshje të partive në pushtet, ashtu siç pranoi edhe vetë Pendarovski. Pra pretendimet e BDI për konsenzualitet ishin vetëm sa për sy e faqe. Këtë e nuhati edhe elektorati shqiptar i cili votoi në raport 2:1 për Blerim Rekën dhe përfundimisht hodhi poshtë pretendimet për president konsenzual”[/box]