Pançev:”Korrigjimi i kufirit ose shkëmbimi i territoreve nuk do t’i zgjidhte problemet ndërmjet të dyja shteteve…”

Intervistë me politologun Dr. Anton Pançev. Intervistoi Selim Ibraimi nga (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)

z.Anton Pançev është Dr. i Shkencave politike nga Universiteti i Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, filolog dhe profesor i gjuhës shqipe në Departamentin e Ballkanistikës në Universitetin e Sofjes.

 

###

[box type=”info” align=”alignleft” ]Korrigjimi i kufirit ose shkëmbimi i territoreve nuk do t’i zgjidhte problemet ndërmjet të dyja shteteve. Ka shumë pengesa për realizimin e një skenari të tillë dhe përpjekjet për jetësimin e tij do t’u sjellin shumë probleme të gjithë qytetarëve pa dallime etnike. Me një proces të tillë Beogradi synon ta shtyjë në kohë të vetmen zgjidhje – njohja e pavarësisë së Kosovës dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira me fqinjët.Hartuesit e projektit të Maqedonisë së pavarur bënë disa gabime thelbësore (sipas meje me paramendim të plotë) në ndërtimin e kombit dhe të shtetit të ri. Së pari, nuk u shkarkua nga pushteti (politik, ekonomik, kulturor etj.) elita e vjetër komuniste, e cila u përgatit dhe ishte elaborat i projekteve serbe për dominim dhe kontroll mbi hapësirat e ish-Jugosllavisë. Së dyti, kjo elitë vazhdoi me krijimin e “identitetit maqedonas” sipas traditës së ideologjisë komuniste dhe të fabrikimeve “shkencore” për “popullin maqedonas”. Çdo komb i ka mitet e tij, por në rastin e Maqedonisë bëhet fjalë për mite krejt të pabazuara dhe në kundërshtim të plotë me çdo të vërtetë historike. Kjo “mitologji” pseudoshkencore u ngrit plotësisht mbi një bazë antishqiptare dhe antibullgare, që e ktheu Maqedoninë në një vatër të urrejtjes dhe të degradimit intelektual, pra edhe politik, edhe ekonomik. Vetëm me zbërthimin e kësaj ideologjie të rrejshme Maqedonia mund të transformohet në një shtet të mirëfilltë për etnitë e saj të ndryshme. [/box]

 

###

ISSD: z.Pançev, si e vlerësoni debatin për korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë?

Dr. Anton Pançev: Korrigjimi i kufirit ose shkëmbimi i territoreve nuk do t’i zgjidhte problemet ndërmjet të dyja shteteve. Ka shumë pengesa për realizimin e një skenari të tillë dhe përpjekjet për jetësimin e tij do t’u sjellin shumë probleme të gjithë qytetarëve pa dallime etnike. Me një proces të tillë Beogradi synon ta shtyjë në kohë të vetmen zgjidhje – njohja e pavarësisë së Kosovës dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira me fqinjin.Mosndryshimi i kufijve, respektimi i plotë i Kushtetutës së Kosovës dhe të drejtat e njeriut duhet të jenë parimet kryesore, të cilat Prishtina duhet t’i ndjekë pa luhatje dhe hezitime. Në këtë proces Kosova mund të mbështetet mbi ndihmën e aleatëve të saj, por shoqëria kosovare duhet të veprojë në mënyrë aktive që të parandalojë provokime dhe kriza të shtetësisë së Kosovës. Prapëseprapë, idetë për ndryshimin e kufijve në Ballkan në çfarëdo forme mund të perceptohen si pjesë nga strategjia e negociatave dhe jo si një program real për shembjen e rendit rajonal dhe evropian. 

ISSD: z.Pançev, cilat janë rreziqet për shtetësinë e Kosovës?

Dr. Anton Pançev: Për fat të keq, rreziqet janë të shumta dhe kanë karakter të ndryshëm – edhe të brendshëm, por edhe më shumë të jashtëm. Mossukseset e Kosovës në politikën e jashtme gjatë këtij viti jo vetëm se e rrezikojnë pozitën ndërkombëtare të shtetit, por edhe krijojnë pakënaqësi te qytetatrët e Kosovës. Në këto rrethana të pafavorshme lehtë mund të fitojnë hapësirë ide të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës si shtet.Rreziku më i madh i brendshëm, i cili mirëpo është rezultat nga politika e Serbisë, është keqpërdorimi me të drejtat kushtetuese nga ana e përfaqësuesve politikë të komunitetit serb. Për shkak të rrethanave historike dhe gjeopolitike pakica serbe, siç dhe komunitetet e tjera joshumicë në Kosovë, fituan të drejta të gjera dhe të mëdha në shtetin e ri. Derisa komunitetet e tjera nuk e rrezikojnë shtetin e Kosovës, organizatat politike serbe, pothuajse gjithmonë në koordinim me Beogradin, bëjnë përpjekje të vazhdueshme për bllokimin e shtetit të Kosovës dhe për pengimin e procesit të shtetndërtimit. Kjo situatë është tepër e rrezikshme dhe nëse liderët serbë vazhdojnë me bllokimin e shtetit duhet të mendohet për ndryshime të mundshme të Kushtetutës, të cilat ta parandalojnë rreziqe të tilla.

ISSD:z.Pançev, në mënyrë të veçantë, për të ecur përpara çfarë duhet të bëjnë Kosova dhe Serbia?

Dr. Anton Pançev: Problemet ndërmjet shteteve mund të zgjidhen vetëm me negociata. Negociatat midis Kosovës dhe Serbisë janë shumë të rëndësishme jo vetëm për këto dy shtete dhe për rajonin, por edhe për Bashkimin Evropian, sepse me to janë të lidhura shumë nga shpresat për stabilizimin përfundimtar të Ballkanit dhe sigurimin e përparimit drejt BE-së të të gjitha vendeve të rajonit.

Nuk dihet kur do të rifillojë dialogu ndërmjet këtyre shteteve, por është e domosdoshme negociatat të vazhdojnë. Mirëpo, më duket se formati i deritanishëm nuk ka qenë shumë i suksesshëm, sepse marrëveshjet, qoftë nga dialogu teknik, qoftë nga ai politik, nuk zbatohen siç duhet, madje edhe disa prej tyre nuk zbatohen fare. Këtu fajin e ka edhe ndërmjetësuesi – BE-ja, dhe çdo fazë e re e dialogut nuk do të ketë prapë sukses në këto rrethana. Pra, është e nevojshme të aprovohet ndonjë formulë e re, në të cilën BE-ja të jetë më aktive dhe të veprojë energjikisht kundër çdo pale, e cila i shkel marrëveshjet e arritura.

Në këto negociata me Serbinë, Kosova duhet t’i mbroj pavarësinë, sovranitetin, tërësinë e saj territoriale dhe rendin kushtetues dhe të mos bëhen lëshime në lidhje me këto parime kushtetuese. Kjo është sjellja më e natyrshme dhe strategjia më e mirë për mbrojtjen e interesave të shtetit dhe të gjitha komuniteteve. Përveç kësaj, pala kosovare duhet të angazhohet në mënyrë të fuqishme në këto bisedime për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Politika e Serbisë për presion të vazhdueshëm politik, ekonomik, kulturor karshi komunitetit shqiptar në këtë vend (gjithashtu edhe kundrejt komunitetit bullgarë në zonën e Serbisë Juglindore) ka për qëllim këto treva shqiptare të zbrazen nga popullata shqiptare.

ISSD:z.Pançev, çfarë ndikimi gjeopolitik mund të ketë rivendosja e kufijve të rinj për Maqedoninë dhe Bosnjën?

Dr. Anton Pançev: Bosnja dhe Hercegovina do të ishte në rrezik të madh nëse do të realizohej ndonjë variant për ndryshimin e kufijve në Ballkan. Republika Srpska me liderin e saj nacionalist do të ndërmerrte hapa për bashkimin me Serbinë. Për Republikën e Maqedonisë nuk mund të ketë ndonjë ndikim të tillë tani për tani. Rreziqet për Maqedoninë janë të lidhura me dështimin eventual të rrugës evropiane dhe evroatlanitke të shtetit gjatë periudhës së rëndë, në të cilën kalon ky shtet.

ISSD:z.Pançev, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dhënë reagime të ndryshme. A ka ndonjë përçarje midis Uashingtonit dhe Brukselit?

Dr. Anton Pançev: Është e vërtet se SHBA-të dhe BE-ja kanë hyrë në një rivalitet ekonomik dhe kanë mosmarrëveshje sa i përket sistemit të përbashkët të mbrojtjes dhe të sigurisë, por këto zhvillime nuk e kanë ndryshuar politikën e tyre ndaj Ballkanit. Natyrisht, gjithmonë ka pasur nuanca, debate, madje edhe mosmarrëveshje në elementet e politikës së tyre, por në përgjithësi ato kanë vlera dhe interesa të përbashkëta dhe do të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të koordinuar sa u përket krizave politike dhe të sigurisë në shumë rajone të botës, pra edhe në Ballkan.

ISSD:z.Pançev, për nga pikëpamja historike kur u aktualizua çështja e Maqedonisë?

Dr. Anton Pançev: Çështja e Maqedonisë ekziston që nga viti 1878 dhe në këto 140 vite gjithmonë ka qenë “molle sherri” ndërmjet shteteve ballkanike. Pas shpërbërjes së Federatës Jugosllave dhe shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë në vitin 1991, “Çështja maqedonase” mori dimensione të reja. Hartuesit e projektit të Maqedonisë së pavarur bënë disa gabime thelbësore (sipas meje me paramendim të plotë) në ndërtimin e kombit dhe të shtetit të ri. Së pari, nuk u shkarkua nga pushteti (politik, ekonomik, kulturor etj.) elita e vjetër komuniste, e cila u përgatit dhe ishte elaborat i projekteve serbe për dominim dhe kontroll mbi hapësirat e ish-Jugosllavisë. Së dyti, kjo elitë vazhdoi me krijimin e “identitetit maqedonas” sipas traditës së ideologjisë komuniste dhe të fabrikimeve “shkencore” për “popullin maqedonas”. Çdo komb i ka mitet e tij, por në rastin e Maqedonisë bëhet fjalë për mite krejt të pabazuara dhe në kundërshtim të plotë me çdo të vërtetë historike. Kjo “mitologji” pseudoshkencore u ngrit plotësisht mbi një bazë antishqiptare dhe antibullgare, që e ktheu Maqedoninë në një vatër të urrejtjes dhe të degradimit intelektual, pra edhe politik, edhe ekonomik. Vetëm me zbërthimin e kësaj ideologjie të rrejshme Maqedonia mund të transformohet në një shtet të mirëfilltë për etnitë e saj të ndryshme.

Duhet të theksohet qe “Çështja maqedonase” ka qenë, është dhe do të jetë e pandashme nga “Çështja shqiptare”. Nga pikëpamja historike këto dy çështje mund të zgjidhen vetëm së bashku. Shpresoj se në vitet në vijim do të arrihet zgjidhja më e mirë – Republika e Maqedonisë të kthehet në vend ku të gjitha komunitetet etnike do të posedojnë të drejta plotësisht të barabarta.

ISSD:z.Pançev, si e vlerësoni pozicionin e shqiptarëve të Maqedonisë pas Marrëveshjes së Prespës?

Dr. Anton Pançev: Nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor në pozicionin e përgjithshëm të shqiptarëve pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje sa u përket ndryshimeve të Kushtetutës, të cilat burojnë nga dispozitat e Traktatit me Greqinë. Mirëpo, jam i bindur se shqiptarët do të fitojnë shumë nga integrimi evroatlantik i vendit dhe pikërisht ata kanë merita të jashtëzakonshme që Maqedonia të shkojë përpara pavarësisht vështirësive të mëdha në këtë rrugëtim. Partitë dhe organizatat e ndryshme shqiptare në Republikën e Maqedonisë do të kenë më shumë mundësi t’i avancojnë të drejtat e tyre kushtetuese përmes plotësimit të standardeve të larta evropiane nga institucionet e Maqedonisë.

ISSD:z.Pançev, si komentoni ndikim e Rusisë në Ballkan?

Dr. Anton Pançev: Rusia i ka veglat e saj për ndikim në rajonin tonë dhe dy shtete, Serbia dhe Bullgaria, ndodhen më së shumti nën ndikimin rus për arsye të ndryshme. Në rastin e Bullgarisë ndikimi rus realizohet kryesisht përmes sektorit të energjisë, sepse edha gazi natyror është praktikisht 100% import nga Rusia, edhe rafineria është pronë e një kompanie ruse, edhe centrali bërthamor është ndërtuar nga ish-Bashkimi Sovjetik. Nuk duhet të harrohen edhe turistët rusë, si edhe investimet e shtetasve rusë në ekonominë tonë. Pra, Rusia ka një rol shumë të rëndësishëm për ekonominë bullgare dhe kontrollon ose ndikon në mënyrë të fuqishme në disa fusha të saj strategjike. Ende ekzistojnë edhe prirjet filoruse ndër një pjesë të bullgarëve, të cilat përdoren nga disa parti bullgare.

Në rastin e Serbisë, ndikimi rus vjen sidomos për shkak të Kosovës. Serbia ka nevojë nga mbështetja ruse në skenën ndërkombëtare dhe moszgjidhja e kësaj çështjeje i lë hapësira Rusisë ta ruajë ndikimin e saj mbi pushtetarët në Beograd. Faktikisht, vetëm mbështetja ruse për pozicionin serb sa i përket Kosovës në organizatat ndërkombëtare së bashku me disa ndihmesa nga ana e Moskës në fushën e energjisë dhe të armatimit, e mbajnë Serbinë në “kampin” e Rusisë. Për këtë arsye, arritja e ndonjë marrëveshjeje me Kosovën me ndërmjetësimin e Brukselit dhe/ose të Uashingtonit, mund të pranohet si “tradhëti” nga ana e Moskës. Prandaj, shkëputja e plotë e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe moszgjidhja e problemeve i përforcon pozicionet e Rusisë në Ballkan dhe do të jetë një synim i politikës së Moskës në rajon.

Më duket se në shtetet e tjera të Ballkanit, (me përjashtim të Republikës Srpska në Bosnjë, por ajo është funksion i Serbisë) Rusia nuk ka në dispozicion vegla të forta as në politikë, as në ekonomi dhe mund të kufizohet vetëm në veprime të ndryshme subversive duke i përdorur përçarjet politike ose etnike në vendet përkatëse. Shihet qartë se në vitet e fundit Moska i humb pozitat e saj në Ballkan, sepse pothuajse të gjitha vendet e rajonit e synojnë anëtarësimin në NATO dhe në BE. Numri i aleatëve të Rusisë u zvogëlua shumë, e cila i ngushton mundësitë e saj që të veprojë në këtë rajon të rëndësishëm për projektet e saj energjetike dhe për sigurinë e saj. Në këtë situatë gjeopolitike, Rusia ka vetëm një aleat me peshë në rajon – Serbia.

###

[box type=”info” align=”aligncenter” ]Dr. Anton Pançev:“Prapëseprapë, idetë për ndryshimin e kufijve në Ballkan në çfarëdo forme mund të perceptohen si pjesë nga strategjia e negociatave dhe jo si një program real për shembjen e rendit rajonal dhe evropian”. [/box]

 

[box type=”note” align=”aligncenter” ]Shënim: Ndalohet përdorimi i gjuhës së urrejtjes së çfarëdo natyre. Bordi redaksional i ISSDMaqedonia -@CSSDMacedonia rezervon të drejtën të redaktojë dhe të mos publikojë materiale që shkelin të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, shtypin e lirë, integritetin individual, etnik, gjinor dhe social. Publikimi i intervistave dhe i analizave ka për qëllim përpunimin e çështjeve me karakter social, ndëretnik, ekonomik, politik dhe të sigurisë në interes të qytetarëve. Parandalimi i krizave të brendshme dhe të jashtme nëpërmjet platformave dhe mediave neutrale, të balancuara, të ndershme dhe objektive, është një nga prioritetet e programeve tona të Ndërtimit të Paqes, Menaxhimit të Konflikteve, Sundimit të Ligjit dhe programeve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Pikëpamjet e autorëve dhe të ekspertëve të jashtëm jo gjithherë pasqyrojnë linjën dhe politikën redaksionale të ISSDMaqedonia.[/box]