NGA IRREDENTIZMI NË PARTNERITET STRATEGJIK

SELIM IBRAIMI-INSTITUTI I STUDIMEVE TË SIGURISË DHE ZHVILLIMIT

Disa qindra qytetarë të përkatësisë maqedonase po protestojnë kundër marrëveshjes së arritur në mes Maqedonisë dhe Greqisë. Fyerje dhe sharrje mbi baza etnike kundër shqiptarëve vazhduan ta plotësojnë mozaikun etnik dhe urretjen e protestuesëve në qendër të Shkupit.

Kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras janë dakorduar rreth një dokumenti i cili do të shpie drejt një marrëveshje paqësore dhe të mirëkuptimit në mes dy vendeve. Marrëveshja nuk ka për qëllim vetëm mbylljen e dalllimeve rreth emrit por edhe të zhvillimit të një partneriteti në shumë fusha të rëndësisë strategjike për të dyja vendet.

Të mërkurën, zyrtarë të lartë të Shkupit dhe Athinës deklaruan se kanë arritur progres të jashtëzakonshëm për sa i përket zgjidhjes së kontestit dy dekadësh në mes Shkupit dhe Athinës.

Kryeministri Zoran Zaev i cili erdhi në pushtet me ndihmën e SHBA, gjatë paraqitjes para opinionit kombëtar, tha se gjatë negociatave me palën greke është ruajtur gjuha dhe identiteti maqedonas, duke vazhduar më tej rradhitjen e figurave kombëtare maqedonase dhe njëkohësisht duke sqaruar marrëveshjen se pse duhet mbështetur nga të gjithë.

Nga ana tjetër, homologu i tij grek marrëveshjen e cilësoi si të mirë dhe që duhet përkrahur nga forcat politike greke në qeverinë e tij dhe nga opozita.

Opozita maqedonase VMRO-DPMNE dhe kryetari i shtetit Georgi Ivanov e kanë vlerësuar marrëveshjen si pazar privat të kryeministrit Zoran Zaev dhe ministrit të jashtëm Nikolla Dimitrov, duke shtuar se kjo është tradhëti kombëtare dhe humbje e identitetit maqedonas. Ndërsa opozita greke nuk pajtohet me qëndrimin e qeverisë së Athinës dhe ka bërë thirrje për protesta në Prespë ku pritet të takohen të dy kryeministrat.

Partitë politike të shqiptarëve të Maqedonisë e kanë përshëndetur marrëveshjen e arritur. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), parti e koalicionit me LSDM i dha mbështetje dokumentit dhe marrëveshjes. Tani kjo parti ishte më e matur për sa i përket njoftimit të arritjes së marrëveshjes, krahasuar me opsionin e parë të dështuar e të lidhur me emrin ”Republika Ilindenase e Maqedonisë”.

Republika e Maqedonisë Veriore, ishte e pranueshme edhe për Aleancën e Shqiptarëve (ASH) e cila nëpërmes një komunikate e mbështeti këtë marrëveshje por duke lënë hapësirë për rishikim të plotë të përmbatjes së saj.

Megjithatë, Maqedonia që nga pavarësia ngadalë po heq dorë nga politikat irredentiste dhe nacionaliste të kërkimit të territoreve jashtë kufijve aktualë të njohur ndërkombëtarisht.

Me marrëveshjen e re, qeveria dhe grupet punuese duhet t’i largojnë të gjitha përshkrimet ligjore dhe nenet ku flitet për irredentizëm maqedonas në Kushtetutë dhe në institucionet shtetërore e publike.

Me të vërtetë, kjo marrëveshje në fakt është një stimul për palën maqedonase që të dalë nga ethet dhe ëndërrat mitologjike të nacionalizmit të egër institucional e që e arriti kulminacionin me ndërtimin e përmendorëve antike në qendër të Shkupit gjatë qeverisjes së ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Për më shumë politikat etnocentike kanë filluar qysh në vitin 1944 e deri më sot kur pritet të ndryshojë Maqedonia.

Departamenti i Shtetit, NATO dhe zyrtarë të lartë të BE-së, kanë përshëndetur marrëveshjen e arritur në mes dy vendeve. Pasi garantues i jashtëm ishte SHBA –ja e kjo u bë e dukshme sidomos pas dështimit teatror të opsionit “Republika Ilindenase e Maqedonisë”, në këtë dokument të deklasifikuar sot nga qeveria dhe e bërë publike dje nga Greqia, ka dominuar aspekti gjeopolitik i proceseve në Ballkan.

Për t’i rrëzuar poshtë qëndrimet e Perëndimit kundër Kremlinit,Rusia ka shprehur qëndrime pozitive rreth marrëveshjes. Mirëpo ashtu si më parë, Rusia nuk ka qenë kundër hyrjes së shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, por vetëm ka kundërshtuar anëtarësimin e tyre në NATO.

Kohët e fundit, Shkupi ju përkushtua marrëveshjeve dhe shkatërrimit të përmendoreve antike. “Aleksandri i Madh” në qendër të Shkupit do të riemërtohet “Luftëtari i Lirisë”.

Aktualisht, nësë të dyja vendet do t’i përmbahen marrëveshjes, Shkupi ka gjasa të demokratizohet dhe më të vërtetë  të jetë shembull për shtetet tjera. Politikat irredentiste dhe nacionaliste nuk dhanë rezultate për Maqedoninë me shtetet fqinjë dhe në zgjidhjen e problemeve të brendshme.

Koha është që shoqëria të transformohet edhe nga brenda duke synuar ndryshimet kushtetuese. Ashtu siç ishte e vështirë gjetja e zgjidhjes së emrit për më shumë se dy dekada, por kur ka vullnet më në fund u arrit një kompromis dhe i cili duhet të verifikohet në referendum, atëherë për dallimet e brendshme ndëretnike  duhet të punojnë liderë më të hapur të cilët veprojnë jashtë rrethit të tyre etnocentrik e kjo vlen për politikanët maqedonas të cilit tashmë i morrën mësimet e para nga Perëndimi, se ngushtimi i hapësirave etnike dhe keqpërdorimi i buxheteve lë pasoja kombëtare e jo vetëm etnike.

Në fakt, procesi i nisur  do ta ndihmonte NATO-n në kohën e pasigurisë rajonale dhe globale. Në një mënyrë tjetër Ballkani do të përdorej si ‘zonë e sigurtë’ nga vendet anëtare të BE-së dhe nga vetë demokracitë e reja të brishta të Ballkanit, kundër aktorëve tjerë.

Nëse transformimi nuk ndodh, atëherë në dekadën e tretë mund të shohim një pamje të re të shteteve me dy forma të qeverisjes: e para, fuqia politike do të përqëndrohet në dorën e kastave të fuqishme politike dhe e dyta, rajoni do të humbë dinamikën dhe do të kthehet në shtete me epiqendra të ndryshme të pushtetit.

Atëherë cili është roli i botës demokratike ndaj Ballkanit dhe popujve, sidomos të atyre shteteve të reja që për nga pozita gjeografike gjenden afër ngatërresave rajonale dhe përherë janë të prirura për trazira të brendshme? E gjithë kjo është shumë e qartë, se ata popuj-shtete fragjile duhet të heqin dorë nga politikat e shfrytëzimit dhe dominimit të të tjerëve. Ata duhet t’i trajtojnë të gjitha çështjet me drejtësi dhe të jenë shembull pozitiv për shtetet tjera.

Në rast se klasa politike e Maqedonisë nuk do punojë drejt këtyre standarteve të reja politike, atëherë kohezioni i brendshëm nuk do arrihet dhe hendeku ndëretnik, rënia ekonomike, varfëria, korrupsoni, largimi i popullatës vendase drejt Europës Perëndimore do t‘i ulin gjasat që vendi të përparojë dhe të marrë tiparet e shtetit normal brenda dhe në raport me shtetet fqinjë.

 

Shënim:

Ndalohet  përdorimi i gjuhës së urrejtjes së çfarëdo natyre.
Bordi redaksional rezervon të drejtën të redaktojë dhe të mos publikojë materiale që shkelin të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, shtypin e lirë, integritetin individual, etnik dhe social.
Publikimi i intervistave dhe i analizave ka për qëllim përpunimin e çështjeve me karakter social dhe politik në interes të qytetarëve.
Parandalimi i krizave të brendshme dhe të jashtme nëpërmjet platformave dhe mediave neutrale, të balancuara, të ndershme dhe objektive, është një nga prioritetet e programeve tona të Ndërtimit të Paqes, Menaxhimit të Konflikteve, Sundimit të Ligjit dhe programeve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Ju lutemi, gjatë procesit të botimit, shkruani burimin e artikullit.

Instituti për Studime të Sigurisë dhe Zhvillim-Maqedoni (ISSDMacedonia)