ZGJERIMI I KUFIZUAR

SELIM IBRAIMI– INSTITUTI I STUDIMEVE TË SIGURISË DHE ZHVILLIMIT

Shtetet më të fuqishme dhe më me ndikim të Unionit Evropian, Gjermania, Franca, Holanda, Austria dhe Danimarka, në fund të javës ndërmorrën një varg masash për sa i përket rregullave të azilit dhe refugjatëve të zhvendosur nga Levanti dhe Magrebi.

Mospajtimet evropiane rreth migrimit u transferuan në Ballkanin Perëndimor me shtyerjen e datës për fillimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë deri në vitin 2019.

Këshilli i Evropës dhe zyrtarë të lartë të Unionit, njoftuan se përshkak të mosplotësimit të kritereve të BE-së, Këshilli ka vendosur për mosfillimin e bisedimeve për këtë vit me Shkupin dhe Tiranën, por shoshitja evropiane do të fillojë në muajin korrik të këtij viti.

Në fakt, Gjermania, Franca, Holanda dhe Austria, po kthehen në rivalitetin e viteve 1990-95, kur po këto shtete i forcuan rregullat e azilit për refugjatët e konfliktit jugosllav dhe njëkohësisht morrën anë në kërkesat e republikave ish jugosllave për pavarësi.

Betjea moderne e fuqive evropiane për ripozicionime më të forta në skenën ndërkombëtare, ka reflektuar në vendimin e Brukselit për të riformatuar së pari unionin dhe paralelisht për të skenuar mirë shtetet aspirante të Ballkanit Perëndimor.

Kundërshtimi i hapur i kryetarit amerikan Donald Trump ndaj Gjermanisë dhe Kancelares Angela Merkel, e ka shtuar dozën e pasigurisë së evropianëve sidomos me takimin e caktuar të nivelit të lartë në mes Trumpit dhe Putinit në Helsinki.

Tashmë është krejt e qartë, se kryetari Donald Trump po godet Gjermaninë dhe tregun gjerman si një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë evropiane dhe botërore. Gjithashtu shtypi amerikan njoftoi se Trump ka në plan të tërheqë ushtrinë amerikane nga Gjermania.

Evropianët dëshirojnë ti marrin çështjet e sigurisë në duart e tyre duke nisur nga ushtria e deri tek çështjet e tregëtisë ndërkombëtare.

Franca dhe Gjermania janë dakorduar rreth krijimit të një “Force të Intervenimit të Shpejtë” e cila do të ishte një ushtri paralele franko-gjermane si kundërpërgjigje ndaj politikave të ashpra të Trumpit për sa i përket kontributit financiar të shteteve anëtare të NATO-s pra të dy përqindëshit nga buxheti kombëtar nga çdo anëtar i Aleancës.

Çarja evro-amerikane ka lënë një hapësirë të konsiderushme për luftën hibride të Rusisë në Evropë dhe Ballkan, ky fryma populliste dhe nacionaliste shihet si alternativë e partive politike.

Edhe ndihmës sekretari amerikan për Evro-Azi Wess A. Mitcheel në një seancë dëgjimore të Senatit Amerikan, deklaroi se ShBA është për një ndarje të drejtë të buxhetit të NATO-s por duke mos lënë anësh edhe çështjen e migrimit që po ndeshen vendet anëtare të BE-së.

Maqedonia në këtë situatë të ndërlikuar ndërkombëtare duhet ti përshpejtojë reformat në ushtri dhe në sferat tjera të sigurisë dhe të bëhet anëtare e 30-të e Aleancës. I gjithë procesi siç dihet do të varret nga rezultati i referendumit i së vjeshtës i njoftuar nga qeveria.

Forcat politike dhe radikale maqedone kundërshtojnë marrëveshjen rreth emrit dhe hapur po protestojnë kundër qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev. Kryeministri i cili po mbështetet edhe nga partia më e madhe e shqiptarëve të Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka filluar një fushatë të rangut të lehtë për ti tejkaluar pengesat që vinë jo vetëm nga opozita.

Për të patur sukses referendumi, disponimi kombëtar duhet kanalizuar nga partitë politike dhe kjo duhet bërë para se ndërhyrjet hibride ruse të marrin formën e vet.

Fillimin e bisedimeve me KE-në e deri në anëtarësimin e  plotë në BE-, qeveria e Maqedonisë duhet ta shoh si proces afatgjatë, pasi asgjë nuk është e sigurtë se forma dhe struktura aktuale e BE-së nuk do të pësojë ndryshime. Përparësi strategjike për Maqedoninë është ftesa formale nga NATO.

Maqedonia një shtet fragjil me probleme serioze të sigurisë dhe çështje të pazgjidhura ndëretnike, një thirrje për t’i filluar bisedimet me NATO-n do të shkonte në favor të demokratizimit të strukturave ushtarke.

Pasi vendi do të kalojë në radarët e NATO-s dhe jo të mentalitetit të trashiguar jugosllav, Shkupit zyrtar i jepet një shansë tjetër të hyjë e reformuar në Aleancë dhe ndoshta një ditë në BE.

Sëkëndejmi një forcim i krahut të Adriatikut me anëtarë të rinj do të ishte e mirëseardhur për Aleancën dhe për Maqedoninë. Mgjithatë është tepër herët të deklarohet se Shkupi zyrtar me reformat e paralajmëruara dhe shoshitjen e re nga KE, do të fillojë të duket evropiane dhe e barabartë për të gjithë.

Me paralajmërimet se Uashingtoni mund ta njohë Krimenë si pjesë të Rusisë, atëherë e kemi të  pamundur të parashikojmë se çfarë lëshimesh tjera mund t’i bëjë ShBA Rusisë në Evropë dhe as më pak për pasojat e politikave të këtilla për Ballkanin dhe Bashkimin Evropian.

(@selim ibraimi ) (@CSSDMacedonia)

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

* Copy This Password *

* Type Or Paste Password Here *