VIZITA E DIPLOMATIT PALMER DHE POZICIONI SHQIPTAR NË BISEDIMET GREKO-MAQEDONE

SELIM IBRAIMIMatthew Palmer, Drejtori i Zyrës për Evropën Juglindore në Departamentin e Shtetit (DASH), është takuar të mërkurën me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti në Shkup.

Sipas njoftimit të BDI-së, në takim është diskutuar për negociatat midis Shkupit dhe Athinës si dhe opsioneve për mbylljen e kontestit me emrin në mënyrë që të zhbllokohen dyert e NATO-s dhe BE-së për Maqedoninë.

“Z. Ahmeti theksoi që BDI mbështet mbylljen e menjëhershme të çështjes dhe ështē kontribuese në arritjen e kompromisit të pranueshëm nga të dyja palët. Kompromisi i menjëhershëm na mundëson marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe marrjen e datës për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”. 

Pikërisht integrimi euroatlantik i Maqedonisë është prioriteti ynë sepse garantohet paqa, stabiliteti dhe siguria, por edhe hapen perspektiva të reja dhe konkrete ekonomike. ShBA mbështesin fuqimisht perspektivën EuroAtlantike të Maqedonisë dhe inkurajojnë tejkalimin e të gjitha pengesave në këtë rrugë.”-thuhet në informatën e BDI-së publikuar të enjten.

DIPLOMACIA REZIDENCIALE

Diplomacia amerikane i ka përkrahur aspiratat e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së dhe NATO-s.

Me rrëzimin nga pushteti të ish kryeministrit Nikolla Gruevski i cili tashmë u dënua nga një gjykatë në Maqedoni, amerikanët janë munduar me një diplomaci të pas dyerve ose “rezidenciale” t’i influencojë vendimet e liderëve dhe negociatat në mes Shkupit dhe Athinës.

Gjatë viteve 2014-15-16-17 e filloi diplomatja e rangut të lartë Victoria Nuland ,Hoyt Brian Lee dhe e vazhdoi Wess Mitchell këtë vit duke u takuar me liderët e partive dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor.

Vizita e diplomatit të lartë të DASH-it, Palmer, vjen në një kohë specifike kur në Nju-Jork janë duke u zhvilluar  takime dhe bisedime të drejtëpërdrejta nga ministrat e Jashtëm Dimitrov dhe Kocias.

Hudhja poshtë e propozimit “ Republika Ilinditase e Maqedonisë” nga Greqia dhe kthimi i vëmenjdes tek katër propozimet  tjera në fakt e vendosi procesin e negociatave në binarë të diplomacisë amerikane.

Propozimi maqedonas nxitii reagime negative tek disa parti opozitare të shqiptarëve të Maqedonisë dhe dukshëm shkaktoi shqetësime edhe në strukturat popullore.

Por, partia shqiptare në pushtet e BDI e mbështeti fuqishëm këtë propozim duke e argumentuar se emri është gjithëpërfshirës.

Rritja e faktorit amerikan dhe hudhja poshtë e propozimit maqedonas rreth emrit interpretohet si hapje e mundësisë së rishikimit të opsioneve më të kapshme për të dy vendet.

Viteve të fundit, sidomos administrata e presidentit Donald Trump ka lëshuar sinjale të përziera për sa i përket angazhimit të drejtëpërdrejtë të SHBA-ve në Ballkan. Zv.presidenti amerikan Mike Pence ka qenë më aktiv për sa i përket aspiratve të WB-6.

Takimi i zyrtarit të lartë Matthew Palmer është i veçantë dhe ndoshta mund të japë rezultate konkrete në negociatat dypalëshe.

Senatorë dhe Kongresmenë amerikanë kanë shfaqur shqetësime dhe mendime të ndryshme rreth pozitës së shqiptarëve në Maqedoni dhe përfaqësimit të tyre adekuat në negociatat Greqi –Maqedoni.

Indikatori tjetër që qëndron i pa zbërthyer mirë është nëse emri i ri dhe paketa negociuese do të arrijë të përfshijë karakterin multietnik të Maqedonisë.

Droja amerikane për reagime nga popullata shqiptare e Maqedonisë rreth ndonjë zgjidhje të pakëndshme që do t’i prekte interesat e shqiptarëve etnikë është vënë në fokus nga diplomacia e quajtur “rezidenciale” dhe vazhdon të zgjojë interes në administratën e Trumpit.

Fotografia: BDI

Credit: http://bdi.mk/lajmi.php?id=6891