VALLËZIMI NË UASHINGTON

SELIM IBRAIMI-Heather Nauert zëdhënse e Stejt Departamentit njoftoi se Sekretari Pompeo u takua sot me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe riafirmoi mbështetjen e SHBA për një Kosovë sovrane dhe të pavarur. Sekretari Pompeo gjithashtu inkurajoi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat do t’i ndihmojnë të dy vendet të integrohen në komunitetin perëndimor të kombeve.

###

Vështrim

Vizita e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në Uashington në Stejt Departamentin Amerikan lë përshtypje se Kosova ka hyrë në një lojë të rëndë të Fuqive të Mëdha dhe me thika që nuk do ta lë pa pasoja Kosovën duke e reduktuar territorin dhe shtrirjen e sovranitetit.

Një ide e paplanifikuar mirë sigurisht se do ta vë në vështirësi Kosovën dhe të ardhmen e sajë.Normalizimi i marrëdhënieve me Beogradin sipas politikës serbe  dhe asaj evropiane që nga viti 2013 përbën rrugën më të vështirë të Kosovës që nga Konferenca e Rambujesë.

E tani çka kur vetë ShBA-ja thotë se kjo është rruga e vetme që duhet të ecë Kosova? Pozicionet e Kosovës që kur delegacioni kosovarë i filloi bisedimet më Beogradin nën kujdesjen e BE-së, ishin të dobëta dhe aktualisht ky pozicion është ende në fazën fillestare të diskutimit publik të normalizimit dhe të demarkacionit me Serbinë.

Po natyrisht se Kosova duhet të hyjë në bisedime dhe duhet ti qartësojë kufijt shtetërorë, por kërkësa dhe ngutia e zyrtarëve të Kosovës vjen në një kohë kur administrata e presidentit Trump nuk ka interes të madh si dikur për Evropën dhe Ballkanin.

Sot presidenti Thaçi do të takohet me njeriun më me ndikim në Shtëpinë e Bardhë, John Boltonin, aty pritet të definohet natyra e marrëveshjes serbo-kosovare dhe sa Kosova do të zbrapset nga kërkesat nacionale për sa i përket veriut dhe sovranitetit të saj.

Pasi autoritetet kosovare nuk mund ta ushtrojnë lirshëm sovranitetin në veri, i vetmi opsion për të fituar pozicione në bisedime, për palën kosovare mbetet dërgimi i ushtrisë-Forcës së Sigurisë për të marrë nën kontroll veriun dhe burimet kombëtare strategjike të Kosovës.

Mirëpo, këtë plan ushtarak përshkak të kufizimeve Kosova nuk mund ta zbatojë dhe pikërisht këtu do të bëhet e gjithë beteja për Kosovën.

Përkrahësit e presidentit Thaçi thonë se kështu ngadalë do të integrohet Kosova dhe Shqipëria, një argument që nuk shkon në favor të shtetësisë së Kosovës.

Megjithë argumenti plotësues është se Kosova pa burime strategjike “Ujmanin” dhe “Trepçën”, përherë do të mbetet shtet ku Serbia do ta vë në dyshim sovranitetin e Kosovës.

A nuk jemi dëshimtarë se si vepron Bashkimi Evropian me Kosovën? Çka mund të pritet më shumë nga dialogu serbo-shqiptar nën mbikqyrjen e Brukselit?

Po tash administrata dhe politika e jajshtme e Trumpit është bërë ende më e paparashikueshme.Është në interes të Kosovës që bisedimet me Beogradin ti lëvizë hap pas hapi deri në krijimin e rrethanave të reja në Uashington.

Presidenti Thaçi tha për Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe se vetë krijimi i rrethanave të reja dhe në Kosovë dhe në Serbi dhe në rajon, por edhe në botë – sepse bota ka ndryshuar, Evropa po ndryshon, rajoni ynë është në udhëkryq – shtojnë domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.

Thaçi tha se Kosova duhet “ta heqë qafe një herë e për gjithmonë çështjen e Serbisë dhe të fokusohet në zhvillimin ekonomik, në rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, në krijimin e vendeve të reja të punës dhe të mos humbim kohë ne tash e tri dekada, vetëm me Serbinë, Serbinë, Serbinë”.

“Konfirmimi dhe mbështetja e plotë dhe e fuqishme e Sekretarit të Departamentit amerikan zotit Pompeo për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, pra të dialogut dhe negociatave dhe inkurajimi që kjo marrëveshje të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur, është edhe një impuls tjetër edhe për mua si President i vendit, për institucionet e Republikës së Kosovës, të gjitha pa dallim, për fuqizimin e rolit tonë të brendshëm, arritjen e një konsensusi sa më të gjerë politik dhe përmbylljen e këtij procesi me një rrugë shumë transparente, efikase, të implementueshme edhe në Kosovë”, tha Thaçi për Zërin e Amerikës.

John R. Bolton Këshilltarë për Siguri Kombëtare

Në verë të këtij viti kur u hap ideja e ndryshimeve kufitare John Bolton Këshilltarë për Siguri Kombëtare tha: “Politika jonë, politika e Shteteve të Bashkuara është që nëse të dyja palët arrijnë marrëveshje, ne nuk e përjashtojmë rregullimin territorial. Qartazi është një çështje e vështirë. Nëse nuk do të ishte, do të ishte zgjidhur shumë kohë më parë. Por ne nuk do të bëhemi pengesë dhe nuk mendoj se ndokush në Evropë do të bëhet pengesë nëse të dyja palët arrijnë një marrëveshje të ndërsjellë e të kënaqshme”.

Tani Kosova ka hyrë në tragjedinë e re të politikës së Fuqive të Mëdha me çka historikisht shtetet e vogla kanë dalë nga negociatat të dëmtuara.Do të dëshironim që Kosova të përfitojë nga negociatat dy palëshe dhe ta forcojë sovranitetin në një Ballkan dhe Evropë ku gjithnjë e më shumë interesi kombëtar dhe identitar po vihen në rend të parë.Në rast se Kosova do të coptohet, atëherë kjo mund të konsiderohet një vallëzim i çuditshëm në Uashington buzë lumit Potomak.

(ISSDMaqedonia @CSSDMacedonia)

    

Fotografia nga Twitter @Hashim Thaçi (26.11.2018)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

* Copy This Password *

* Type Or Paste Password Here *