TËRHEQJA E PËRKOHSHME

Aktualisht shqiptarët gjenden para dilemave territoriale dhe kjo do të vazhdojë deri në vitin 2030-të, kur do të përkeqësohet sistemi periferik i sigurisë europiane. Në vitin 2018-të është krijuar një gjendje e re, por jo edhe aq e favorshme për shqiptarët në rajon, pasi ideja e shkëmbimeve territoriale nuk është e qartë se ku do të përfundojë dhe sa do të dobësohet ose fuqizohet më tej faktori shqiptar në dekadën e tretë apo të katërt.

 Shkruan: Selim IBRAIMI, Tetovë

Trajtimi i historisë nga këndvështrimi linear vështirë se mund të na japë ndonjë rezultat të përafërt se si do të duket bota më 2050-të dhe cili do të jetë pozicioni i shqiptarëve në Ballkan deri në vitin 2050-të.

Deri në vitin 1911-të askush në Europë dhe Ballkan nuk mund parashikonte një luftë të tmerrshme dhe bota gjermanike shpresonte për një të ardhme perandorake për Gjermaninë e Vilhemit II, Austro-Hungarinë dhe vazhdimin e ndërtimit të shtet-kombeve në Ballkan nga popujt e Gadishullit që ishin shkëputur nga Osmanët. Mirëpo, në vitin 1912 shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike, një preludë për Luftën e Parë Botërore. Shumë autorë të kohës e hodhën poshtë studimin stinor të perandorive dhe të historisë, duke mos e artikuluar mirë problemin e qytetërimit si fokusin kryesor, sepse kristalizon rënien dhe vdekjen e kulturave perandorake.

Një komb i vogël pa pozicione gjeografike dhe pa kapacitete ekonomike, ushtarake dhe inovative e ka të vështirë të projektojë forcë jashtë territorit dhe hapësirës politike që kur është njohur ndërkombëtarisht si qeveri dhe shtet. Por, jo vetëm kaq. Në të shumtën e rasteve qeveritë nuk arrinin të mbronin interesat kombëtare të shtetasve të vet jashtë kufijve të përcaktuar nga Fuqitë e Mëdha në vitet 1912-13-të dhe ‘20-të. E ky mund të jetë argumenti fillestar se si do duhet gjendja e shqiptarëve në tre dekadat që vinë dhe sfidat që i presin po ato në Ballkan. Këndvështrimi stinor na lejon që t’i analizojmë në detaje vështirësitë jo vetëm të dy shteteve shqiptare, por edhe të popullatës shqiptare, e mbetur si pakica në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Që nga Perandoria Romake, Bizantine e deri tek ajo Osmane, të cilët gëzonin një fuqi jo vetëm ushtarake, diplomatike dhe të spiunazhit të organizuar mirë, etnitë që përbënin kompozimin etnik të sistemit perandorak, e kishin humbur qasjen në burimet që e bënin një shtet të fortë ose udhëheqje largpamëse. Diku në fund të shekullit XVIII dhe fillim të shek. XIX, me zbulimet europiane që datonin nga Renesanca dhe Koha e Artë e epokës islame, pra pa harruar edhe të Perandorisë Osmane, shqiptarët të fundit u zgjuan nga gjeopolitika gjermane dhe Austro-Hungareze për formimin e shtetit shqiptar në Ballkanin e trazuar nga emocionet nacionaliste, krijimi i krizave artificiale kufitare, luftërat për territore dhe gjithashtupër porte detare strategjike.

Shekulli që lëmë pas ishte pothuajse i humbur për zgjimin strategjik shqiptar. Me krijimin e shtetit shqiptar, e sidomos gjatë viteve të LDB-së, gjeopolitika ruse dhe politika serbe arriti të injektojë në indin shqiptar ideologjinë e komunizmit rus dhe shikimit të botës nga perspektiva ruse dhe e proletariatit. Ndërkaq, shqiptarët jashtë kufijve londinezë, për shkak të kapaciteteve të dobëta organizative dhe teknologjike, me rivendosjen e “Iron Curtanit” dhe regjimit të Titos, (1945) u shpërbën dhe, politikisht, më se për dy dekada u demotivuan nga kundërshtimet e mëtejme dhe të forta kundër politikës dominuese koloniale serbe.

Rënia e bllokut lindor, bashkë me Paktin e Varshavës, hapi një derë të re për Perëndimin dhe Fuqitë e Mëdha, ku u rivendosen përsëri në Ballkan pas lëshimit të territorit ballkanik nga Forcat Aleate në vitin 1945.

Varësia shqiptare nga Fuqitë e Mëdha

Mirëpo, në të gjithë hapësirën shqiptare, politika e jashtme dhe e sigurisë, ishte e varur kryesisht nga Uashingtoni dhe Brukseli dhe me këtë lindën edhe kompromiset e reja, që duhej të bënin dhe do të vazhdojnë të bëjnë shqiptarët në Ballkan në emër të sigurisë dhe politikave strategjike të SHBA-së në Ballkan, por duke mos e harruar edhe rolin e dyfishtë europian në nismat për përfshirjen e veriut të Kosovës në bisedimet Prishtinë-Beograd si territor që mund të shkëmbehet lehtë midis dy shteteve.

Aktualisht, shqiptarët gjenden para dilemave territoriale dhe kjo do të vazhdojë deri në vitin 2030-të, kur do të përkeqësohet sistemi periferik i sigurisë europiane. Që nga viti 1991, shumë projekte të rëndësisë strategjike i kanë anashkaluar shqiptarët në Ballkan, si p.sh. loja gjeopolitike me korridoret. Në këtë rast roli i Maqedonisë në Korridorin VIII, gjatë qeverisjes së ish- kryeministrit Nikolla Gruevski, ka qenë një rol i dyfishtë në parandalimin e realizimit të Korridorit VIII, ku bëhet lidhja strategjike rrugore e viseve shqiptare. Qeveria e Maqedonisë në atë kohë investimet i drejtoi përgjatë Korridorit X, për të modernizuar dhe integruar këtë pjesë të shtetit dhe për të lënë të pazhvilluara pjesët e tjera, ku territori është i banuar me shqiptarë.

Edhe qeveria e re e kryeministrit Zoran Zaev pjesërisht është duke e stimuluar pjesën lindore të Maqedonisë me fonde të jashtme dhe shtetërore. Ndërprerja e çdo modernizimi, ngritjeje teknologjike të shteteve shqiptare, qoftë edhe të ndonjë unioni ekonomik tregtar, në fakt do të shfrytëzohej mjaft mirë për përhapjen e idesë pan-sllave të rajonizimit, ashtu si në kohën e qeverisjes së mbretit Shtefan Uroshi IV – Dushani, i njohur si “Car Dushani”, me sistemin e tij provincial serb të dominimit në Ballkan.

Në vitin 2018 është krijuar një gjendje e re, por jo edhe aq e favorshme për shqiptarët në rajon, pasi ideja e shkëmbimeve territoriale nuk është e qartë se ku do të përfundojë dhe sa do të dobësohet ose fuqizohet më tej faktori shqiptar në dekadën e tretë ose të katërt.

Marrëdhëniet ndërkombëtare në tre dekadat e ardhshme

Këto lëvizje të qeverive duhet parë edhe nga pikëpamja e mundësisë së zvogëlimit të pranisë amerikane në Europë, kjo për shkak të shkurtimit të buxhetit amerikan. Është bërë rikthimi i më se 4.000 mijë trupave amerikane në Balltik dhe forcimi i krahut lindor të NATO-s nga kërcënimi rus. Këto momente të reja në çarjen e re transatlantike ndërmjet shteteve europiane dhe Uashingtonit janë duke u shfrytëzuar mirë për të bërë kalkulime gjeostrategjike në Ballkan.

Ky zhvillim gjeopolitik nuk përfundon me korridoret ose rrjetet e gazit natyror, por edhe me ndërtimin e blloqeve të reja gjeopolitike në Ballkan, kjo si paradigmë kundër Unionit Europian.

Në tre dekadat e ardhshme, SHBA-të do të vepronë si dikur Perandoria Bizantine, duke mos përdorur forcën ushtarake pa u kërcënuar drejtpërsëdrejti interesi amerikan, por do të operojë në sistemin ndërkombëtarë vetëm me mjete diplomatike dhe të inteligjencës, që nuk e dëmtojnë buxhetin amerikan dhe taksapaguesit. BE-ja, me strategjinë e zgjerimit, është duke planifikuar disa etapa të anëtarësimit të shteteve të Ballkanit në union dhe shpeshherë e ka mjegulluar rajonin me paqartësitë në Bruksel.

Dendësia e aktorëve në Europën Lindore dhe Ballkan është duke e lëvizur boshtin e forcave drejt jugut të Gadishullit. Turqia, një fuqi në rritje, është duke e vendosur shpejtësinë e duhur të ndikimit në Ballkan, ndërsa Rusia me metodat hibride ka bërë disa ndërhyrje në rajon.

Andaj nuk mjafton vetëm anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe prania e KFOR-it në Kosovë për të thënë se siguria dhe e ardhmja e shqiptarëve në Ballkan është e sigurt deri dhe pas vitit 2050-të. Shqipëria dhe Kosova, së bashku, nuk i kalojnë mbi 30 bilionë të GDP-së.

Pra, këtij izolimi gjeopolitik të shqiptarëve në Ballkan, përveç faktorëve të brendshëm ndërshqiptarë, u kanë ndihmuar edhe aktorë të jashtëm. Rreziku i dëmtimit të interesave shqiptare në rajon është dukë u rritur për shkak të lidershipit jo karizmatik dhe të korruptuar shqiptar, për të hetuar prirjet rajonale të izolimit të përkohshëm përkrah zhvillimeve dramatike që janë duke ndodhur në Euroazi.

Këto fakte provojnë drojën e disa qarqeve të Prishtinës dhe Tiranës kundrejt trendit të ri që po krijohet pro ndarjes së Kosovës dhe shqiptarëve në zona të interesit të fuqive europiane.

Në kërkim të një strategjie tjetër

Kur në shekullin XIX shtetet sllave të rajonit të Ballkanit fituan pavarësinë nga Perandoria Osmane dhe u lidhën fuqishëm me Rusinë dhe me Europën, për të forcuar dhe krijuar një sistem të ri rajonal, vetëm shqiptarët jo vetëm që nuk fituan asgjë nga Kongresi i Berlinit (1878), por edhe ngelën jashtë ngjarjeve të asaj kohe dhe modernizimit që kishte filluar në Europë dhe në shtetet e tjera të sapopavarësuara. Stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik i Shqipërisë dhe i Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe hyrjes së Shqipërisë në NATO, janë dy kushtet që mund të parandalojnë kanosjet shqiptare të ardhshme nga shtetet fqinjë.

Si do t’u kundërviheshin qeveritë shqiptare kësaj situate? Një ndër idetë do të ishte ndërtimi i hekurudhave moderne, që në një farë mënyre do t’i mundësonte dalje më të lehtë Kosovës në të gjitha portet shqiptare dhe kjo do t’i shërbente asaj kryesisht për t’u lidhur më Perëndimin në rast të ndonjë bllokade të mundshme nga Serbia në të ardhmen. Po ashtu kjo do ta rriste bashkëpunimin e munguar tregtar në mes dy shteteve dhe do të sillte një trend të ri. Një opsion të tillë, çuditërisht, qeveria shqiptare në Tiranë dëshiron t’ia mundësojë Maqedonisë. Përveç kësaj, duhet forcuar ushtria, shërbimet inteligjente dhe diplomacia publike shqiptare në Euroazi, në Lindjen e Mesme, në Amerikën Veriore dhe atë Jugore.

Sipas zhvillimeve, tani për tani as qeveria në Tiranë e as ajo në Prishtinë nuk posedojnë mjete financiare dhe plane për këtë lidhje të shpejtë. Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë lidhje të mira infrastrukturore me Shqipërinë dhe një pengesë ekziston edhe me Kosovën, ku ende po vonohen ndërtimet e reja të autostradave që lidhin Shkupin dhe Tetovën me Kosovën. Aktualisht, politika shqiptare në rajon përballë aktorëve tjerë është në një tërheqje të përkohshme, kjo për shkak se diplomacia e vendeve fqinje është më aktive dhe është bërë joshëse për Fuqitë e Mëdha. Deri në vitin 2050-të, përkundër të gjitha këtyre rrjedhave, e vetmja rrugëdalje do të ishte bashkëpunimi më i shpejtë ndërshqiptarë. Në këtë drejtim, kjo lëvizje do t’i shtynte faktorët e rinj shqiptarë që të kërkojnë opsione të reja të komunikimit ndërshtetëror dhe strategjik me aleatët.

Kjo qasje e re do të fillonte t’i krijonte aleancat e reja rajonale, që do ta forconin interesin shqiptar në Ballkan deri në vitin 2050-të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

* Copy This Password *

* Type Or Paste Password Here *