Sinani:”Shikoni, lëvizin me autobus si krushqit e ngrirë, pa kandidat, pa koncept…”

Intervistë me analistin politik Arsim Sinani. Intervistoi Selim Ibraimi nga Platforma Analitike (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)

 

[box type=”shadow” ]Zgjedhjet presidenciale janë mjaft të rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë, pasi kanë kandidatin e tyre.[/box]

###

ISSD:Z.Sinani, si e komentoni ju dinamikën  e fushatës zgjedhore të tre kandidatëve për kryetar shteti?

Arsim Sinani: Është një fushatë mjaft interesante me shumë të panjohura. Establishmenti politik maqedon dhe partitë shqiptare proqeveritare nuk llogaritën se do ketë një kandidaturë shqiptare, gjë që e ka ndryshuar në tërësi rrjedhën e këtyre zgjedhjeve. Kemi ballafaqim të tre koncepteve për qeverisjen e shtetit: një nacionalist maqedonas Gordana Siljanovska, poashtu një nacionalist i maskuar maqedonas Stevo Pendarovski por, i maskuar bukur edhe profesori Blerim Reka, që është kandidatura shqiptare me një të kaluar diplomatike, akademike dhe një figurë me mentalitet perëdimor. Këto koncepte do të shohim se si mëtutje do priten nga eleketorati pasi ajo në fund e jep verdiktin.

ISSD:Z.Sinani një detaj i rëndësishëm për faktorin politik brenda dhe jashtë është kandidimi i z.Reka, a konsideroni ju se kandidimi i z.Reka i ndryshoi matematikat zgjedhore partiake të liderëve politik?

Arsim Sinani: Po kandidimi i profesorit Blerim Reka  i mbështetur nga opozita e bashkuar shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa ishte supriza e këtyre zgjedhjeve. Deri në momentin e fundit lajmet ishin se do kemi një ballafaqim maqedonas, i bajtshëm t’ju them sinqerisht dhe kjo do ishte demotivuese për shqiptarët. Por profesori Blerim Reka mund të themi se u bë figura më meritore që sot shqiptarët janë në lojë, po artikulojnë kauzën e tyre në “MKDV”dhe  ka gjasa maksimale që të kalojë në rrethin e dytë, pse jo edhe të jetë fitues dhe të bëhet presidenti i parë shqiptar. Them kështu sepse personaliteti i profesorit Reka është në vijë me politikën e SHBA dhe Europës dhe angazhimet e tij gjatë tërë jetës janë në këtë vijë kështu që do të ishte shumë me e lehtë që të bëhen reformat e duhura dhe do ishte një garancë për rrugën Euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.

ISSD:Z Sinani, kandidati presidencial z. Blerim Reka ka paraqitur konceptin e Republikës, çka ndryshon ai nga të tjerët ?

Arsim Sinani: Rikthimi i Republikës është thelbi i programit politik të kandidaturës presidenciale të profesorit Reka. Ai me të drejtë thotë se Maqedonia, është shtet- por jo Republikë. Republikën e vërtetë e bëjnë: sundimi i ligjit, demokracia, gjyqësori i pavarur dhe respektimi i drejtave të njeriut. Sundimi i individit e zhbën Republikën, e bën atë shtet privat. Prandaj, kthimi i rendit republikan dhe depersonalizimi i shtetit është synimi i mandatit që e kërkon profesori Blerim Reka. Shteti nuk është pronë private, por trashëgimi e gjithë qytetarëve të saj si të barabartë. Maqedonia e Veriut si shoqëri shumë-etnike duhet të jetë edhe Republikë shumë-etnike. Më së paku, ajo mund të funksionoj me dozat e lejuara për të drejtat individuale, kolektive. Republika nuk njeh demokracinë e dozuar për kombet statistikore, të cilëve u lejohen aq të drejta sa përqind janë.

Në Republikë, nuk ka dhënie të drejtash, sepse ato janë të drejta natyrore si shtetas të këtij shteti, e jo nga diskrecioni i pushtetit që vendos se: kujt, kur, e sa të drejta do ti lejohen. Dhe 5 shtyllat e tij të programit: stabilizimi i marrëdhënieve ndër-etnike, te politika e jashtme euro-atlanitike, koekzistenca rajonale fqinjësore, janë si parakushte për të kthyer perspektivën jetësore në vend , dhe për ndaljen e procesit të zbrazjes së vendit.
Pra, synimet e tij janë në funksion të atij të fundit: parandalimit të zbrazjes së shtetit. Ndryshe, në BE -para shtetit- do integrohen qytetarët e ikur, kurse Repubilka e Maqedonisë së Veriut: nga shteti anëtar do mbetej shtet i zbrazët. Them se është një koncept mjaft modern dhe duhet thënë se shpresat e qytetarëve nuk duhet lënë në duart e njerëzve të cilët kanë problem nga e kaluara si me nacionalizmin dhe si me biografitë e tyre që kanë problem edhe përballë demokracisë perëndimore. Me profesorin Reka s’do ketë nevojë për negociata por nga dita e parë do fillohet me procesin e jetësimit të programit euroatlantik dhe dekriminalizimit të Maqedonisë së Veriut.

ISSD:Z.Sinani, çka pritni nga rezultatet zgjedhore dhe si mendoni ju a do të ketë ndryshim të raporteve shqiptaro-maqedone pas riaktivizimit të shqiptarëve gjatë këtij procesi?

Arsim Sinani: Pres që profesori Reka të kalojë në raundin e dytë, ky është synimi i opozitës së bashkuar shqiptare përballë dy establishmenteve maqedone LSDM dhe VMRO. Raportet shqiptaro maqedone do të avansojnë kur kriminelët të përfundojnë në burg si nga pala maqedone poashtu edhe nga pala shqiptare.

Pengesë e raporteve janë këto struktura të cilat luftojnë të shpëtojnë lëkurën e vetë dhe problem është të shkëputen nga doktrina shtetërore. Maqedonia e Veriut në një të ardhme kur të vijnë në shprehje intelektualizmi dhe politikanët që janë të liruar nga klishetë,atëherë do të kemi një marrëveshje historike mes dy popujve për një qeverisje me ndarje të plotë të pushtetit mes shqiptarëve e maqedonasëve, dhe pikërisht atëherë mund të themi se kemi marrëdhënie që i rregullojnë këto raporte mes dy komuniteteve.

ISSD:Z.Sinani, si e shihni rolin e BDI -së nën hijen e LSDM-së dhe a do të jetë ky një moment i ri për këtë parti?

Arsim Sinani: BDI është një parti e cila nuk ka program politik dhe punon sipas një agjende që ia caktojnë partitë maqedone, plotësisht e kontrolluar nga establishmenti politik maqedonas. Një parti e cila nga vlerat e një lufte për shqiptari u bë një parti multikulturore, pa identitet, pa vizion, pa ideologji. Është një parti e cila e dëmton qenien kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Dhe nga ky rrezik që fshihet brenda kësaj partie, shqiptarët mund të pësojnë dhe të degradohen kolektivisht dhe të zhbëhen politikisht.

Nuk mundet që një parti e cila kreun e ka të akuzuar të përfaqësojë shqiptarët pasiqë aty më funksionojnë hipotekat të cilat me kujdes i rruan sigurimi shtetëror maqedonas dhe dosjet e tyre i trashigon çdo parti maqedone që vjen në pushtet.

BDI është pengesë për zhvillim kombëtar të shqiptarëve ky është përfundimisht mendimi im për këtë parti e cila ideologjinë e diasporës shqiptare dhe qëndresës shqiptare e shëndrroi në tenderizëm të pastër, të një grupi që është i kapur nga bishti e veshi nga pala maqedone.

ISSD:Z.Sinani meqense janë zgjedhje presidenciale dhe thuhet se janë të parëndësishme për shqiptarët nga politika zyrtare, atëherë pse kaq angazhim nga partia në pushtet që të zgjidhet një kandidat maqedonas e jo shqiptar, pra çështja është se pa votat shqiptare nuk mund të zgjidhet asnjë kandidat, atëherë e kundërta pse s’ka pajtim për një kandidat shqiptar?

Arsim Sinani: Nuk është e vërtetë se këto zgjedhje janë të parëndësishme, janë shumë të rëndësishme dhe shqiptarët e artikuluan pakënaqësinë e tyre kundrejt pushtetit.

Kjo është fushata më e rëndësishme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut sepse nëpërmjet projekti të Republikës, Blerim Reka dhe opozita e bashkuar shqiptare Aleanca dhe Besa e ruajtën dhe ia vendosën Murin e Sartrit partive maqedone dhe “bishtave shqiptarë” që janë në qeveri.

[box type=”shadow” align=”alignleft” ]Shikoni lëvizin me autobus si krushqit e ngrirë, pa kandidat, pa koncept, paasnjë, sepse janë të kapur dhe duan ta shpëtojnë vetveten as që diskutohet se ka aty diçka që ka lidhje me shqiptarët, janë të lodhur, pa ide, nuk e dijnë se kah shkojnë[/box]

Këtu shqiptarët e artikuluan pakënaqësine e tyre kundrejt pushtetit. Ky është edhe një test i madh, se a është opozita shqiptare Aleanca dhe Besa e aftë që ta mund BDI – në dhe ky do të jetë treguesi kryesor kah do shkojnë shqiptarët tutje. Prandaj gjithë kjo frikë e madhe e paspjegueshme dhe në krye janë politikanët shqiptar që janë dënuar dhe janë në proces dënimi, duan ta shpëtojnë veteveten. Por ndëshkimi i madh po vjen.

ISSD:Z.Sinani, çka mund të tregojë opozita shqiptare gjatë kësaj fushate zgjedhore?

Arsim Sinani: Opozita e bashkuar shqiptare Alenaca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa treguan se janë të aftë që ta drejtojnë vendin dhe të ndryshojnë gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Besimi i tyre po rritet dita ditës dhe sondazhet tregojnë se raporti është  3 me 1 për opozitën e bashkuar shqiptare.

Figura e profesorit Blerim Reka është kthesë e proceseve për shqiptarët në Maqedoninë Veriore dhe një zgjim kombëtar për pranverën e madhe siç e quaj unë. Ky proces do të zgjasë por them se janë gati ta marrin drejtimin e vendit, çdo ditë atyre u bashkohen në rradhë personalitete, shoqata, e figura që e trimërojnë shqiptarin të vijë dhe të ndëshkojë vorgullin e partive të shkërmoqura shqiptare në pushtet.

ISSD: Z.Sinani, në tërësi si e vlerësoni rolin e bashkësisë ndërkombëtare sa i përket luftës ndaj korrupsionit dhe sundimit të ligjit?

Arsim Sinani: Bashkësia ndërkombëtare kishte prioritet mbajt larg Rusinë nga Maqedonia e Veriut dhe e arriti këtë synim. Nuk u koncentrua në masë të madhe tek pjesa e korrupsionit dhe sundimit të ligjit prandaj ata që duhej të ishin pas grilave shëtisin të lirë, që është e papranueshme për një shtet me dyert hapur drejt NATO-s dhe BE-së.

Mendoj se paralelisht me aderimin do vazhdojë edhe pastrimi i skenës politike nga strukturat e vjetra të ndikuar nga Sërbia dhe faktorë tjerë dhe arrestimi dhe largimi nga skena politike e figurave me dosje dhe me vepra kriminale. Ky mendoj se do jetë funksioni dhe këtë e kërkojnë qytetarët që largohen nga vendi për arsye ekonomike por edhe të frikës se po reciklohet bërrllogu i njëjtë në shoqërinë e vendit.

###

 

 

[box type=”note” align=”aligncenter” ]Arsim Sinani:”Shikoni lëvizin me autobus si krushqit e ngrirë, pa kandidat, pa koncept…”[/box]

 

[box type=”warning” align=”aligncenter” ]Shënim: Ndalohet përdorimi i gjuhës së urrejtjes së çfarëdo natyre. Bordi redaksional i ISSDMaqedonia rezervon të drejtën të redaktojë dhe të mos publikojë materiale që shkelin të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, shtypin e lirë, integritetin individual, etnik, gjinor dhe social. Publikimi i intervistave dhe i analizave ka për qëllim përpunimin e çështjeve me karakter social, ndëretnik, ekonomik, politik dhe të sigurisë në interes të qytetarëve. Parandalimi i krizave të brendshme dhe të jashtme nëpërmjet platformave dhe mediave neutrale, të balancuara, të ndershme dhe objektive, është një nga prioritetet e programeve tona të Ndërtimit të Paqes, Menaxhimit të Konflikteve, Sundimit të Ligjit dhe programeve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Pikëpamjet e autorëve dhe të ekspertëve të jashtëm jo gjithëherë pasqyrojnë linjën dhe politikën redaksionale të ISSDMaqedonia [/box]