Koment nga Selim Ibraimi- Politika dhe ushtrimi i saj në praktikë ka shumë rëndësi e sidomos në vendet që ende vazhdojnë të lëngojnë nga proceset e tranzicionit ose thënë ndryshe në shoqëritë e ndara etnikisht dhe ku paragjykimet fetare dhe etnike vazhdojnë të dominojnë jetën post- konfliktuale.

Ndonjëherë, partië e etnive që dominohen nga grupi etnik më i madh dhe që e ushtrojnë pushtetin me dekada, kanë kapacitete që të shpartallojnë strukturën politike dhe etnike të grupeve më të vogla etnike, nëpërmjet formave të ndryshme të joshjeve për individët që e duan aq shumë karrigen. Natyrisht se të gjitha vendet e hapura duhet të plotësohen dhe dikush duhet të qeverisë. Do të ishte absurde të mendohet se askush nuk duhet të merret me politikë dhe asnjëri nuk duhet të na qeverisë.

Por, të rrotullohesh rreth çështjes kombëtare me vite, dhe në fund i gjithë pazari të mbulohet me propagandën se “duhet të krijohet një front i ri për të rrëzuar Ali Ahmetin nga pushteti” dhe në fund të përfundosh me marrëveshje për poste të ulta, kjo është një shfaqje me kukulla. Ndërsa, të vazhdosh ende të qeshurat nga veshi në vesh me Ahmetin, është një hipokrizi tjetër që s’ka interpretim logjik të veprimeve në politikë.

Kënaqësia që ndjen një grup dhe klan partiak, sigurisht se nuk përfshinë plotësimin e kërkesave të votuesëve të një partie politike. Bixhozi politik i partive pa identitet dhe që ju shërbejnë interesave të partive tjera, vërtetë  është një ulje tjetër e kërkesave të votuesëve për përfaqësim të gjërë.

Zgjedhjet e ardhshme do të jenë vendimtare për partitë që paraqiten me fotografi kombëtare dhe që presin të vazhdojnë mbijetesën në emër të të drejtave kinse kombëtare. Frymëzimi për karrige tashmë po shihet nga të gjitha anët. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia)