Roland Gjoni: “Shqipëria po dëmton shtetësinë e Kosovës”

Intervistë me studiuesin e konflikteve etnike Dr. Roland Gjonin. Intervistoi Selim Ibraimi nga ISSDMaqedonia.

 

-Mundet që kusuritjet territoriale në dëm të Kosovës të kuptohen si dritë e gjelbërt për shkëputje të shqiptarëve të Maqedonisë.  

###

 

ISSD: Z. Gjoni, si e vlerësoni gjendjen e përgjithëshme të shqiptarëve në Ballkan duke e marrë në konsideratë ringjalljen e Serbisë në rajon dhe mbështetejen që po merr nga Brukseli dhe Uashingtoni? 

Roland Gjoni: Duhet analizë e thellë për këtë temë por e përbashkëta e gjendjes së shqiptarëve në Ballkan është dështimi i lidershipit në përballjen me sfidat e konsolidimit të shtetit dhe integrimit në Shqipëri, në përmbylljen e shtetndërtimit dhe integrimit në organizatat ndërkombëtare të Kosovës dhe në përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni. Për këtë lloj situate vlen thënia e njohur e Paul Pierson, studiues amerikan i shkencave politike i cili, pak a shumë thotë se “Kur aktorët politikë nuk punojnë ose veprojnë në fakt ata janë duke punuar kundër vetëvetes sepse rivalët ndërkohë i kryejnë punët e tyre”. Prandaj më shumë se me një ringjallje të Serbisë kemi të bëjmë me dështim të lidershipit shqiptar në përballjen me sfidat në shtetet përkatëse e shoqëruar kjo me rënie të peshës strategjike dhe gjeopolitikë të shqiptarëve në rajon. Besoj në pyetjet në vijim do kemi mundësi ta konkretizojmë idenë që në marrëdhëniet ndërkombëtare shumësia e mosveprimeve herët ose vonë kushton.

 

ISSD:Z. Gjoni, Kosova është në një situatë të vështirë, sidomos pas tërheqejs së disa njohjve nga disa shteteve nën ndikimin e diplomacisë serbe. Sipas jush çfarë duhet të bëjë qeveria e re e Kosovës? 

Roland Gjoni: Pajtohem me konstatimin se sidomos pas 2011-ës, Kosova është në situatë të vështirë për shkak të trajtimit të pabarabartë që i ka bërë BE-ja palëve në dialog dhe gabimeve strategjike të përfaqësuesve të Kosovës në krjimin e pozicionit negociues karshi Serbisë.Procesi i çnjohjeve është i paqartë në të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare por po jep rezultate për Serbinë.  Serbia tashmë e ka pranuar që po lobon fort që të shtohet numri i shteteve që e tërheqin njohjen si formë e presionit ndaj Kosovës në fazën e ardhshme të dialogut Kosovë-Serbi.Për shkak të suksesit relativ të tërheqjes së një numri të çnjohjeve nga shtete periferike, Serbia shfaqet e trimëruar dhe po synon të bindë edhe shtete anëtare të BE-së dhe NATO-s për t’i tërhequr njohjet.Mirëpo edhe këtu vlen të theksohet se agresioni diplomatik i Serbisë është ndihmuar shumë nga dështimi i politikës së jashtme të Kosovës në forcimin e marrëdhënieve me shtetet që tashmë e kanë njohur Kosovën.

Në disa raste Kosova e ka marrë të mirëqënë faktin se njohja është përhershme dhe e pakthyeshme mirëpo votimi në UNESCO dhe lobimi për Interpol kanë treguar se ka dallim të madh mes njohjes si shtet dhe ndihmës dhe përkrahjes së vazhdueshme ndërkombëtare. Pra ka shtete që në sajë të presionit amerikan e kanë njohur fillimisht Kosovën por dështimi i Kosovës për të kultivuar dhe forcuar marrëdhëniet diplomatike dhe i kombinuar me fushatën agresive të Serbisë, ka bërë që disa shtete t’i dërgojnë njoftimet diplomatike për çnjohje në Beograd. Me këtë nuk dua të them se Serbia po vepron drejt sepse është faktuar se në bashkëpunim me Rusinë, diplomacia serbe po përdor mjete nga më të ndryshmet (heqje vizash, dhurim armësh, premtime për ndihmë ekonomike dhe bursa studimore) në fushatën e saj kundër Kosovës. Mirepo, Kosova nuk duhet ta marrë të mirëqënë ndihmën e shteteve të tjera dhe të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Besoj ju kujtohen deklaratat e liderëve të Kosovës se Kosova nuk ka nevojë për politikë të jashtme sepse kemi politikë pro-amerikane. Eshtë fakt i njohur se ka lodhje me Kosovën dhe rënie të përkrahjes ndërkombëtare edhe nga shtetet që e kane ndihmuar shumë Kosovën në dekadën e parë të shtetndërtimit. Një nga shembujt kur dobësimi i pozitës ndërkomëbtare të Kosovës është rezultat më shumë i dështimit të institucioneve të Kosovës, është përjashtimi i Kosovës nga Agjencitë evropiane për bashkëpunimin në fushën e arsimit EQNA dhe EQAR. Në të dy rastet, Serbia është munduar pa sukses të pengojë Kosovën me lobim agresiv dhe për shkak të keqmenaxhimit, tashmë Kosova është përjashtuar duke i dhënë argumente Beogradit se Kosova është shtet i dështuar.

Prandaj, forcimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës do të jetë një nga sfidat e qeverisë së ardhshme.  Kushdo që të fitojë zgjedhjet të bëjë një analizë të thellë të situatës aktuale ndërkombëtare dhe të fillojë korrigjimin e kursit me një diplomaci më agresive, me staf cilësor dhe të depolitizuar të diversifikojë aleancat ndërkomëbtare.

 

ISSD: Z Gjoni, ndryshimet territoriale apo marrëveshja mundshme e normalizimit në mes Kosovës dhe Serbisë a do të kenë efekte anësore apo të drejtëpërdrejta në Maqedoninë Veriore dhe në rajonet tjera të nxehta të Ballkanit? 

Roland Gjoni:Besoj se faza e ardhshme e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës do të marrë shumë kohë dhe energji për qeverinë e re të Kosovës. Megjithëse ka presion të madh që në fazën e ardhshme Kosova të bëjë lëshime shtesë për të kompensuar Serbinë besoj se do jetë e vështirë që pala kosovare të pranojë formalisht dhe të nënshkruajë marrëveshje për dhënie territori. Do të ketë përpjekjë serioze që një gjë e tillë të maskohet si shkëmbim territoresh me zonat me shumicë shqiptare në Preshevë ose si fazë fillestare e bashkimit me Shqipërinë, mirëpo në fakt nëse nuk ka njohje nga Serbia, shkëmbimi i territoreve është vetëm një stad i ri i zhbërjes së shtetësisë së Kosovës. 

Nga ana tjetër, besoj se interesi i Serbisë është të përdor precedentin e Kosovës si mënyrë për të legjitimuar shkëputjen e “Srspka Republika” në Bosnjë dhe të rihapë proceset e ridizajnimit të kufijve në Ballkan në favor të Serbisë. Prandaj mendoj se nëse parimi i paprekshmërisë së kufijve cënohet edhe Maqedonia do të preket nga efektet anësore. Të mos harrojmë që neni kryesor i Marrëveshjes së Ohrit bazohet në refuzimin e zgjidhjeve territoriale për konfliktet ndëretnike. Prandaj, nëse kjo ndalesë nuk vlen për Kosovën dhe Bosnjën do të rriten tendencat për zgjidhje territoriale në favor të shteteve monoetnike. Mbase efektet nuk do të jenë të menjhershme por mundet që kusuritjet territoriale në dëm të Kosovës të kuptohen si dritë e gjelbërt për shkëputje të shqiptarëve të Maqedonisë.  

 

ISSD: Z. Gjoni, propozimi për një Union Doganor në mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë Veriore në kuptimin gjeoekonomik çfarë të reja mund të sjellë për popujt e rajonit dhe a paraqet rrezik të tërthortë për pozitën gjeopolitike të shqiptarëve në Europën Juglindore? 

Roland Gjoni: Mbase për këtë pyetje duhet një intervistë tepër e gjatë por shkurtimisht për politikën e jashtme të Shqipërisë vlen shprehja “Për anijen që nuk e di se ku shkon nuk ka rëndësi nga fryn era”.

Me këtë dua te them se Shqipëria nuk ka politikë të jashtme të mirëfilltë me objektiva afatgjate, strategji të përpunuar me plan veprimi dhe afate për realizimin e saj. Shqipëria edhe 30 vjet pas rënies së komunizmit nuk merr qëndrime burimore vetanake por pozicionohet sipas erërave që fryjnë zakonisht e nisur nga përfitime afatshkurtëra dhe nga gjendja e brendshme dëshpëruese. Prandaj ka një konfuzion pothuajse skizofrenik në diplomacinë e saj. P.sh.: nga njëra anë objektiv madhor i deklaruar i diplomacisë shqiptare është fuqizimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe avancimi i statusit të shqiptarëve në rajon. Nga ana tjetër kemi një progres të vazhdueshëm të marrëdhënieve me Serbinë edhe pse Beogradi në kundërshtim me frymën e dialogut ka ndërmarrë agresion diplomatik ndaj Kosovës. Me Serbinë ka rritje te marrëdhenieve tregtare ndërsa progresi në zbatimin e rreth 30 marrëveshjeve ndërshtetërore me Kosovën është minimal madje ka regres në shumë fusha. Me Serbinë ka linjë ajrore ndërsa me Kosovën ka vendosje të pagesës në autostradën që lidh dy shtetet.  Prandaj edhe pjesëmarrja e Shqipërisë në zonën ekonomike rajonale dhe në “Mini-Schengen” duhet parë në kontekstin e mungesës së politikës së jashtme që e kemi parë edhe në dështimet për të përfituar nga Procesi i Berlinit dhe në investimet e Kinës në rajon. Si në çdo fushë tjetër, nëse një shtet nuk ka plan atëherë me lehtësi bëhesh pjesë e axhendave dhe planeve që hartojnë të tjerët për ty. 

Në rastin konkret, pjesëmarrja e paralajmëruar e Shqipërisë në nismat që ju përmendët është thjesht një farë rikthimi në skemat jugosllave të ideuara dhe konceptuara nga qendra të tjera diplomatike. Nuk besoj se Shqipëria ka përfitime nga angazhimi në nisma farse rajonale që tentojnë t’i krijojnë Serbisë një zonë influence joshëse për ta mbajtur larg nga Rusia ndërkohë që integrimi evropian për rajonin po bëhet gjithmonë e më jorealist.  Jo vetëm që Shqipëria nuk ka asnjë lloj përftimi tregtar me Serbinë por edhe sikur të kishte, nuk do duhej në asnjë mënyrë të futet në skema ku tentohet të zhbëhet ose dëmtohet subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës. Për mendimin tim, Shqipëria duhet me urgjencë të largohet nga skemat ballkanike dhe jugosllave që tentojnë ta kthejnë rajonin në një bllok të udhëhequr nga Serbia dhe të hapë një shteg të vetin ku si bosht kryesor do jetë krjimi dhe drejtimi i një hapësire të gjërë pa kufij në bashkëpunim me Kosovën dhe shtetet e tjera ku ka prani të shqiptareve.  Krijimi i një modeli të Beneluksit shqiptar do të ishte shumë herë me i dobishëm për te rritur vlerën strategjikë të Shqipërisë ndaj BE-së dhe NATO-s. Me keqardhje konstatoj, se Shqipëria jo vetëm qe po kthehet në skema të dështuara neojugosllave por po dëmton indirekt edhe shtetësinë e Kosovës.

 

ISSD: Z. Gjoni në fund, si e vëreni rolin në rënie të partive shqiptare në qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev dhe a kanë perspektivë shqiptarët etnikë në Maqedoninë Veriore nën konceptin e quajtur ‘Një shoqëri për të gjithë”?

Roland Gjoni: Në Maqedoni është normale dhe e pritshme që si VMRO dhe LSDM të përpiqen të mbajnë nën kontroll shqiptarët. Rastet kur popullsia shumicë përdor institucionet shtetërore për të mbajtur nën kontroll, dhe të nënshtruar ose asimiliuar popullsinë joshumicë janë të shumta në shtetet e dala nga konfliktet ndëretnike. Madje edhe në raste kur përmirësimi i statusit të një populli jo-shumicë është parashikuar me marrëveshje paqeje si ajo e Ohrit, shumica mundohet që nëpërmjet ‘teknikalitetive’ ose politikave përçarëse të dobësojnë organizimin politik të popullit sfidues.

Në këtë kontekst LSDM-ja e ka kuptuar se rritja e rolit të shqiptarëve në Maqedoni mund të ngadalësohet por nuk mund të pengohet pambarimisht. Prandaj ndryshe nga VMRO që mundohej me presion dhe refuzim të nënshtrojë shqiptarët, LSDM-ja ka nxjerrë nga sirtaret jugosllave modele të vjetra të dominimit mbi shiqptarët që në thelb kanë çorientimin identitar dhe dobësimin politik të tyre dhe jo dhunën ose dikriminimin e hapur.

Në këtë skemë kanë rënë edhe disa shqiptarë nga rrethet akademike që kanë qënë afër grupeve të interesit të presidentit Gligorov por edhe një pjesë e brezit të ri të mirëarsimuar të shqiptarëve që janë aq shumë të mllefosur më BDI-në sa janë të gatshëm t’i bashkëngjiten partive politike maqedonase. Mirëpo, partitë politike maqedonase janë në të drejtën e tyre të provojnë të ruajnë hegjemoninë identitare dhe dominimin në shtet më anë të kooptimit të partive politike shqiptare dhe kjo ndodh rëndom edhe në vende të tjera. 

Tek partitë shqiptare kemi njëlloj përgjumje totale dhe mungesë të nismave të reja politike. Nga njëra anë kemi BDI-në që duket sikur e ka përfunduar misionin e saj dhe thjesht noton në skenën politike sepse i duhet LSDM-së dhe VMRO-së si patericë për qeverinë. Nga ana tjetër kemi opozitën shqiptare të ç’organizuar krejtësisht, që nuk arrin të artikulojë qëndrimet drejt dhe të frymëzojë përfshirje më të madhe të shqiptarëve në proceset politike. Besoj se për sa kohë BDI do të vazhdojë të dominojë bllokun politik shqiptar, nuk mund të priten përmirësime të dukshme të statusit të shqiptarëvv. Me këtë nuk dua të them se BDI nuk e ka avancuar pozitën e shqiptarëve në Maqedoni por është evidente se prej më shume se një dekade që BDI është e zhytur në korrupsion dhe keqeverisje dhe është kthyer në pengesë të përparimit të gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni.

Këtu vlen të theksohet se opozita shqiptare në Maqedoni duhet  të dalë nga gjendja e vetëviktimizimit dhe të mos e shohë çdo gjë me qasje disfatiste por të ndërtoje mbi gjendjen aktuale pa tentuar të imitojë nacionalizmat e viteve 90-ta. Unë nuk besoj se do të ketë sukses as modeli që tenton të minimizojë problemet mes dy popujve shtetformues në Maqedoni duke krijuar një identitet fallco qytetar por njëkohësisht nuk më dukën realiste edhe qasjet disfatiste që fajësojnë shumicën maqedonase për mosarritjet e shqiptarëve. Siç është shprehur Abraham Lincoln shekuj më parë “Shpeshherë ankimi është formë agresive e dembelizmit”.

Prandaj, sfida e organizimit politik të shqiptarëve në Maqedoni është si të artikulojnë drejt brengat e shqiptarëve duke ndërtuar mbi arritjet dhe duke u ankuar për dështimet e veta. Prandaj, u përket partive shqiptare të bëjnë më shumë për të avancuar statusin e shqiptarëve përkundrejt bllokadave ose pengesave të faktorit maqedonas. (ISSDMaqedonia-@CSSDMacedonia) 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

* Copy This Password *

* Type Or Paste Password Here *